“Në qytet pa makinën time” shënohet edhe në Kosovë

Kosova

“Në qytet pa makinën time” shënohet edhe në Kosovë

Më: 22 shtator 2017 Në ora: 12:33
“Në qytet pa makinën time” shënohet edhe në Kosovë

Dita Botërore pa Makina u shënua sot edhe në Kosovë. Kështu Ministria e Mjedisit dhe organizata jo qeveritare “Let’s Do It Kosova” kanë organizuar disa aktivitete në kuadër të kësaj dite.

Me moton  “Në qytet pa makinën time” edhe ministrja e Ambientit Albena Reshitaj ka shkuar në punë me biçikletë e jo me makinë.

Ajo tha se gjatë mandatit të saj si ministre do të  përkushtohet maksimalisht në reduktimit e ndotjes së ajrit në Kosovë.

Ajo tha se Ministri në  bashkërendim me institucionet qendrore dhe pushtetin lokal do të iniciojnë rregullimin e infrastrukturës në mënyrë që të rritet numri i personave që përdorin transportin publik, mirëpo edhe biçikletat dhe mjetet tjera që nuk ndotin ajrin, dhe në një të ardhme të afërt edhe makinat me rrymë.

Reshitaj gjithashtu potencoi se si ministre ajo do të ndërmarr masa ndaj menaxhimit më të mirë të mbeturinave si dhe inspektimin e bizneseve,  të cilat kontribuojnë në ndotjen e ajrit.

Reshitaj: Zotohem se do të përkushtohem maksimalisht në reduktimin e ndotjes së ajrit

“...dhe atë përmes krijimit të një sistemi të menaxhimit të cilësisë së ajrit, krijimin e sistemit unik për monitorimin e shkallës së ndotjes së ajrit në tërë vendin dhe ndërmarrjen e masave konkrete preventive, ndërmarrjen e veprimeve për reduktimin e ndotjes së ajrit që vjen nga trafiku, krijimit të zonave të reja të gjelbra sidomos zonave në vendet urbane, menaxhimin e mirë të mbeturinave, rritjes së numrit të inspektimeve për bizneset që kontribuojnë në rritjen e ndotjes së ajrit në Kosovë, duke kontrolluar edhe sistemin e filtrimit të pluhurit. Ne si ministri në bashkërendim më institucionet tjera qendrore dhe pushtetin lokal do të iniciojmë rregullimin e infrastrukturës e cila do të mundësoj rritjen e numrit të personave që përdorin transportin publik, pse jo edhe biçikletat duke kontribuar kështu në krijimin e një mjedisi të pastër dhe një jete më të shëndetshme për qytetarët dhe shoqërinë në përgjithësi”, tha ministrja Reshitaj.

Luan Hasanaj nga “Let’s do it Kosova”, tha se fushata promovuese si kjo, dhe me ndihmën e institucioneve shtetërore do ta bëjnë të lehtë rrugën drejt zvogëlimit të ndotjes së ajrit dhe sensibilizimin e qytetarëve se ambienti duhet të jetë i pastër.

Hasanaj: Ditë si kjo janë shumë të rëndësishme

“Ne si shoqëri civile, si organizata jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë me gjithë kapacitetet që i kemi, me fushata promovuese, me bashkëpunim ndërmjet këtyre aktereve që thash më lart, dhe vërtet atyre dashamireve të biçikletave, pse jo edhe të ecjes, të iu japim shans. Andaj ditë si kjo janë shumë të rëndësishme qe ne të bëjmë fushatë, t’i ftojmë qytetarët dhe bashkërisht siç po ua bëjmë sot në bashkëpunim me ministrinë e mjedisit dhe organizatat tjera kësaj do ia dalim më lehtë”, u shpreh Hasanaj.

Lumturie Aliu, vullnetare në “Let’s Do It Kosova”  mendon se do të vijë dita kur në Kosovë do të rritet numri i personave të cilët përdorin transportin publik, dhe se do të rritet edhe numri i personave të cilët ngasin biçikleta apo mjete tjera të cilat nuk ndotin ambientin.

Përderisa kanë vazhduar aktivitetet për nder të kësaj dite rrugët  “Ukshin Hoti”  dhe “ Garibaldi” janë bllokuar nga Policia për t’iu mundësuar vullnetarëve të ngasin biçikletat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat