Gjendja e sigurisë në rrugët e Kosovës është alarmante

Kosova

Gjendja e sigurisë në rrugët e Kosovës është alarmante

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 12:57
Tryeza “Ditës evropiane pa viktima në rrugë”.

Të dhënat aktuale janë mjaft shqetësuese sa i përket sigurisë në komunikacion, ku vetëm nga janari i këtij viti e deri më tani kanë vdekur 89 persona si pasojë e aksidenteve të trafikut.

Kështu është thënë sot në një tryezë diskutimi të organizuar nga kolegji “Tempulli”, me rastin e 21 shtatorit- “Ditës evropiane pa viktima në rrugë”.

Muhamed Krasniqi nga kolegji “Tempulli”, e cilësoi gjendjen e sigurisë në rrugë si alarmante, duke thënë se aksidentet me të lënduar dhe me viktima janë të përditshme.

Krasniqi: Numri i aksidenteve me viktima është i çdo ditshëm

“Fatkeqësisht, numri i aksidenteve me viktima, respektivisht me të lënduar sivjet mund të themi që është i çdo ditshëm, do të thotë nuk kalon një ditë e vetme pa dëgjuar apo pa parë kronikë televizive, ku kemi aksidente me pasojë të lënduar apo të vdekur. Policia e Trafikut si zakonisht po e bën punën e vet, me mundësitë e veta, mirëpo gjendja në rrugë vazhdon të jetë e rrezikshme dhe kërkon masa shtesë të të gjitha institucioneve, por në anën tjetër edhe të gjithë pjesëmarrësve në trafikun rrugor “, tha ai.

Ndërsa, kolonel Sheremet Ahmeti nga Policia e Kosovës, tha se ky institucion mbetet i përkushtuar për ofrimin e sigurisë së qytetarëve të Kosovës. Ai tha se muajt qershor, korrik dhe gusht kanë qenë me një numër më të madhe të aksidenteve me fatalitet.

Ahmeti: Periudha më e rëndë ka qenë qershor, korrik edhe gusht

“Periudha më e rëndë pa dyshim ka qenë periudha e tre mujorit, qershor, korrik edhe gusht. Ne kemi vërejt se kemi rritje alarmante të vdekshmërisë në rrugë, në këtë periudhë angazhimet tona, kemi bërë planifikimet që ti ofrojmë siguri qytetarëve. Janari dhe gushti e kemi parë që gjendja e sigurisë rrugore gjithashtu është ngritur në një kuotë prej 16 për qind aksidente me persona të vdekur, 19.72 për qind dhe aksidentet në gusht po ashtu janë në rritje mjaft të lartë. Në këtë aspekt Policia e Kosovës menjëherë dhe pa hamendje ka bërë angazhimet e shtuara”, tha ai.

Nënkolonel Afrim Veseli nga MFSK, tha se si FSK nuk janë hallka e parë për të ofruar siguri në rrugë. Por, ai tha që kanë një flotë të madhe të automjeteve që janë pjesëmarrës në komunikacion dhe kontributi i tyre në këtë drejtim është që ato automjete të jenë teknikisht në rregull.

Veseli: Kemi një flotë të madhe të automjeteve që janë pjesëmarrës në komunikacion

“Ne kemi një flotë të madhe të automjeteve të kategorive të ndryshme, të cilat ju i shihni që çdo herë janë pjesëmarrës në komunikacion. Që të japim kontributin për sigurinë në komunikacion ne përpiqemi që ato automjete çdo herë të jenë teknikisht të rregullta brenda serviseve të FSK-së dhe në serviset jashtë. Dhe çdo herë gatishmëria e tyre dhe përgatitja e tyre të jetë në nivelin e parë. Po ashtu, ngasësit tanë që i ngasin ato automjete të kategorive të ndryshme përpiqemi dhe kërkojmë çdo herë të jenë të përgatitur për përdorimin e atyre automjeteve që vozisin”, theksoi ai.

Veseli tha se mbështesin Policinë e Kosovës në të gjitha rastet kur ata kanë nevojë për asistencën e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat