Ish-kryetari i Ferizajt Xhemajli dëshmon në gjykimin ndaj Limajt dhe të tjerëve

Kosova

Ish-kryetari i Ferizajt Xhemajli dëshmon në gjykimin ndaj Limajt dhe të tjerëve

Më: 18 shtator 2017 Në ora: 12:38
Ilustrim

Ish-kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemajli, ka dhënë dëshminë e tij në gjykimin ndaj Fatmir Limajt dhe të tjerëve, në rastin e njohur si MTPT.

Xhemajli, të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka treguar se në vitin 2008, ka qenë i përfshirë në mirëmbajtjen e rrugëve në Ferizaj, për çka Limaj dhe të tjerët akuzohen për vepra të ndryshme korruptive.

Ai thotë se ka pasur takime me dhjetëra herë me ministrin Fatmir Limaj, në Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomit. “Me sa më kujtohet i pari nga kryetarët komunave, ia kam qu në CD në dy projekte”, ka thënë Xhemajli.

“Ka qenë obligim si kryetar me punu, jo veç për ndërtimin e rrugëve, por edhe për fusha tjera. Ne si komunë e kemi pas obligim me përgatit projektin edhe me siguru shpenzimet, nga Komuna ose nga Ministria e Transportit. Kam njohuri për kompanitë “Burimi” dhe “Ekskavatori”, e di që merren edhe me ndërtimin e rrugëve. Pronari i “Ekskavatorit”, është zotri Rysha, e di që janë 4 vllazni. Sadush Rysha është njeri nga djemtë e pronarëve më doket. Gjatë ndërtimeve kam shku me shiku procesin e punës, kualitetin e rrugëve. Sadushi e di që është impliku në punime, por nuk e di çka”, ka deklaruar tutje Xhemajli.

Ndryshe, në seancën e së hënës e ka dhënë dëshminë e tij edhe dëshmitari Mustafë Dalloshi.

Ai tha se është vozitës kamioni dhe deklaroi se nuk është në dijeni nëse Ali Aliu dhe Arsim Kolshi, janë përfshirë në ndonjë projekt për ndërtimin e rrugëve në Kosovë, gjatë vitit 2008.

Seanca ende është duke vazhduar.

“Betimi për Drejtësi”, në vazhdimësi ka raportuar për këtë rast.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzën e konsoliduar më 28 shtator 2015, me anë të së cilës janë bashkuar dy aktakuza të mëparshme të rasteve MTPT 1 dhe MTPT 2.

Aktakuza e parë ishte ngritur me datë 05 dhjetor 2012, ndërkaq aktakuza e dytë më 19 shkurt 2014 dhe për të dyja janë mbajtur dy shqyrtime fillestare. Mirëpo, me vendimin e 30 majit 2014 të kryetares së atëhershme të trupit gjykues, këto dy raste janë bashkuar në një, duke ngritur një aktakuzë të cilën e kanë quajtur aktakuzë e konsoliduar.

Pas këtij vendimi, të dyja palët kishin dërguar ankesat e tyre dhe në bazë të ankesave Gjykata e Apelit më 23 dhjetor 2014 kishte vendosur që ai vendim nuk mund të ankimohet sepse është vendim i prerë.

Aktakuza e konsoliduar i ngarkon të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpërtim Telakun për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe të akuzuarin e fundit Florim Zukën për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike.

Përveç këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet po ashtu edhe për veprën mos deklarim i parave për fushatë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat