Banorët e Hades: Nëse nuk përmbushen kërkesat, do të ketë protesta tjera

Kosova

Banorët e Hades: Nëse nuk përmbushen kërkesat, do të ketë protesta tjera

Më: 18 gusht 2017 Në ora: 19:13
Protesta e banorëve të Hades

(E plotësuar) - Banorët e lagjeve të fshatrave Hade dhe Shipitullë kanë ndërprerë protestën e sotme, pas arritjes së marrëveshjes për një takim të hënën me menaxhmentin e KEK-ut, kreun e komunës së Obiliqit, MMPH-në dhe prokurorin e shtetit.

Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk arrihet marrëveshje për ndërprerjen e punimeve të ekskavatorëve të KEK-ut, do të dalin serish në protestë edhe më masive.

Protestuesit kanë arritur marrëveshje me komandantin e policisë së rajonit të Obiliqit Sejdi Zeqiri që të hënën në stacionin e policisë të takohen me menaxhmentin e KEK-ut, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kryetarin e komunës së Obiliqit Xhafer Gashi dhe prokurorin e shtetit, duke kërkuar që të ndërpriten punimet e ekskavatorëve të KEK-ut.

Banori i fshatit Hade, Sahim Krasniqi ka thënë se pas takimit me komandantin e policisë rajonale të Obiliqit, Sejdi Zeqiri kanë ardhur në përfundim që të ndërpresin  protestën, me qëllim që të takohen me zyrtarë kompetentë për arritjen e marrëveshjes për ndërprerjen e punës së ekskavatorëve së KEK-ut.

Krasniqi: Të arrihet marrëveshje për ndërprerje të punës së ekskavatorëve

“Me komandantin kemi arritur marrëveshje për t’u takuar të hënën me drejtorin menaxhues të KEK-ut, drejtorin për shpronësim në Ministri të Ambientit, prokurorin e shtetit të Prokurorisë themelore për të arritur marrëveshje që ekskavatorët të ndalen për të mos rrezikuar familjet, ose duhet të arrihet marrëveshje në bazë të kërkesave të banorëve, ama vetëm në bazë të kërkesave të banorëve, në asnjë formë tjetër marrëveshje nuk mund të arrihet”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka tërhequr vërejtjen se nëse nuk do të mbahet takimi të  hënën deri në ora 15:00, atëherë banorët serish do të protestojnë në mënyrë edhe më masive.

Banorët e lagjeve Mirena, Krasniqi, Bërbatovci dhe Mjekiqi të fshatit Hade dhe Shipitullë thonë se ekskavatorët e KEK-ut janë duke operuar brenda zonës së sigurisë në afërsi prej 120 metrash ku janë duke jetuar banorët.

Përfaqësuesi i lagjes Mirena, Faton Mirena ka thënë, se kërkojnë ndërprerjen e punës së ekskavatorëve të KEK-ut derisa të arrihet një marrëveshje për kompensim të pasurisë.

Ai po ashtu ka thënë se kanë dërguar kërkesat e tyre edhe në Prokurorinë e Shtetit dhe Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale, por ende nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Mirena: Të ndërpritet puna e ekskavatorëve të KEK-ut

“Qëllimi i protestës është se ne kërkojmë që ekskavatorët e KEK-ut të ndërpresin punën, e cila është duke operuar brenda zonës së sigurisë, të cilin ligji e parasheh në 250 metra, ndërsa këta janë duke operuar 120 metra afër shtëpive të banueshme. Iu bëjmë apel të gjitha institucioneve shtetërore dhe Prokurorisë së Shtetit të bëhet hetim pse po operojnë ekskavatorët brenda zonës së sigurisë kur Komisioni i minierave me urdhëresë të veçantë me numër të protokollit 29/78 e ka ndërprerë operimin brenda zonës së sigurisë për të mos u rrezikuar jeta e banorëve dhe pasuria e tyre, dhe kërkojmë deri sa të bëhet marrëveshja përfundimtare për kompensimin e pasurisë mos të lëshohen ekskavatorët”, tha Mirena.

Ndërsa, banori i lagjes Mirena, Aziz Mirena ka thënë për Kp se banorët janë për bashkëpunim me institucionet e vendit, mirëpo sipas tij nëse nuk arrihet ndonjë  marrëveshje janë të gatshëm edhe të vdesin.

Image

Mirena: Pasurinë nuk e japim

“Na përndryshe pasurinë tonë nuk e japim krejt edhe 21 në liri kemi me ra këtu e pasurinë nuk e lëmë. Ne jemi për marrëveshje dhe zhbllokim të situatës, por këta nuk po donë”, ka thënë ai.

Protestuesit për një moment tentuan t’i afrohen kufirit ku po punojnë ekskavatorët, mirëpo ata u penguan nga Policia e Kosovës.

Ndryshe, banorët e fshatrave Hade dhe Shipitullë kanë zhvilluar një protestë të qetë edhe ditën e djeshme.

Ndërpritet protesta, banorët e Hades kërkojnë marrëveshje deri të hënën

Banorët e lagjeve të fshatrave Hade dhe Shipitullë kanë ndërprerë protestën e sotme, pas arritjes së marrëveshjes për një takim të hënën me menaxhmentin e KEK-ut, Komunës së Obiliqit, MMPH-së dhe prokurorin e shtetit. Ata kanë paralajmëruar se nëse nuk arrihet marrëveshje për ndërprerjen e punimeve të ekskavatorëve të KEK-ut, do të dalin serish në protestë edhe më masive.

Protestuesit kanë arritur marrëveshje me komandantin e policisë së rajonit të Obiliqit Sejdi Zeqiri që të hënën në zyrat e policisë, të takohen me menaxhmentin e KEK-ut, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kryetarin e komunës së Obiliqit Xhafer Gashi dhe prokurorin e shtetit, duke kërkuar që të ndërpriten punimet e ekskavatorëve të KEK-ut.

Me këtë rast protestuesit paralajmëruan se nëse të hënën deri në ora 15:00 nuk arrihet asnjë marrëveshje, ata do të zhvillojnë protesta më të ashpra te vija e sigurisë. Protestuesit e mbledhur nga lagjet Mirena, Krasniqi, Bërbatovci dhe Mjekiqi të fshatit Hade dhe Shipitull thonë se ekskavatorët e KEK-ut janë duke operuar brenda zonës së sigurisë në afërsi prej 120 metrash ku janë duke jetuar banorët.

Ata kanë tentuar t’i afrohen kufirit ku po punojnë ekskavatorët, por për këtë ata janë penguar nga Policia e Kosovës.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat