Sigurimet bujqësore pritet të fillojnë në muajt e parë të 2018

Kosova

Sigurimet bujqësore pritet të fillojnë në muajt e parë të 2018

Më: 11 korrik 2017 Në ora: 12:10
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe IFC në takimin e sektorit për sigurime bujqësore

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe IFC kanë mbajtur takimin e sektorit për sigurime bujqësore, ku qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i Projektit për Sigurime Bujqësore për të gjitha palët e interesit në Kosovë dhe krijimi i një platforme për diskutimet sektoriale në fushat potenciale për aktivitete të përbashkëta.

Në këtë takim u potencua se fillimi i sigurimeve bujqësore pritet të ndodhë në muajt e parë të vitit 2018 dhe se sigurimet bujqësore ulin rrezikun operacional për fermerët dhe do të ketë efekt pozitiv financiar për ta.

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, tha se çështjen e krijimit të sistemit të sigurimit të veprimtarisë bujqësore si ministri e kanë trajtuar me prioritet të lartë dhe se është një nga objektivat e rëndësishme për të cilën janë angazhuar.

Sa i përket asaj se kur pritet të fillojë sigurimi bujqësor, Krasniqi tha se nëse çdo gjë shkon sipas planifikimit të tyre pritet që të fillojë në muajt e parë të vitit 2018, ndërsa kompensimi sipas tij do të jetë 50 për qind nga ministria dhe 50 për qind nga fermerët.

Krasniqi: T’i kemi së paku tri produkte në treg

“Qëllimi ynë është që  nëse çdo gjë ecë sipas planifikimeve të cilat i kemi bërë dhe hapave të cilët po i ndërmarrim është që herët në vitin 2018 të kemi mundësinë të jenë produktet e parë në treg. Do të rezervohemi ndoshta për numrin e produkteve, por shpresa jonë është që t’i kemi së paku tri produkte në treg. Ndërsa, sa i përket masës së subvencionimit që ne do ta marrim përsipër nga pjesa e totalit të cilën do ta ofrojnë kompanitë e sigurimeve, planifikimi ynë është që ne ta mbulojmë 50 përqindëshin dhe 50 përqindëshin ta mbulojnë fermerët vetë”, tha Krasniqi.

Sipas tij, planifikohet që tregu të ketë mundësi të ofrojë së paku tri produkte, një për sigurimin e kulturave dhe një të jetë e ndërlidhur me sektorin e blegtorisë.

Krasniqi: Mbështetje e mirëseardhur për fermerët

“Kjo është një mbështetje që besojmë që jo vetëm se do të jetë i mirëseardhur për fermerët, por do të jetë një lehtësim për ta pavarësisht që tash askush prej nesh nuk mund ta paragjykojë shumën e primit, sepse nuk mund të flasim as për produktet konkrete sot. Por, shpresojmë shumë që herët në 2018 tregu të ketë mundësi të ofrojë së paku tri produkte dhe që së paku nga një të jetë në për sigurimin e kulturave dhe një që të jetë e ndërlidhur me sektorin e blegtorisë”, tha ai.

Ndërsa, zëvendësguvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se agrikultura mbetet sektori më atraktiv për ofrim të punësimit, por që sipas tij sfidë për agrikulturën mbetet qasja në financa dhe mbrojtja e rendimenteve bujqësore.

Mehmeti: Mungesa e qasjes në financa, pengesë për fermerët

“Një sfidë kryesore në sektorin e agrikulturës në Kosovë është qasja në financa dhe mbrojtja e rendimenteve bujqësore, mungesa e qasjes në financa është një ndër pengesat kyçe për fermerët në përmirësimin e efikasitetit të prodhimit të tyre në adaptimin e teknologjisë më të mirë për krijimin e avantazheve konkurruese. Vlen të theksohet se përveç financimit dhe subvencionet të këtij sektori përmes projekteve të ndryshme të Bashkimit Evropian, granteve qeveritare, një ndër burimet kryesore i cili ofron në formë të mbrojtjes së investimeve nga rreziqet në agrikulturë është edhe sigurimi”, tha ai.

Përfaqësuesi i Zyrës së IFC-së për Kosovë, Visar Perani, tha se përkundër që bujqësia luan një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, kjo e fundit është ndër vendet e pakta që nuk ofron sigurime bujqësore të mirëfillta.

Ai tha se sigurimet bujqësore ulin rrezikun operacional për fermerët dhe do të ketë efekt pozitiv financiar për ta.

Perani: Sigurimet bujqësore ulin rrezikun operacional për fermerët

“Sigurimet bujqësore ulin rrezikun operacional për fermerët tanë dhe do të ketë efekt pozitiv financiar për ta. Jam i bindur se me implementimin e sigurimeve bujqësore sektori bujqësor do të jetë shumë atraktiv për financim nga banka të cilat janë prezentë këtu, sepse sigurisht rreziku për financim të kompanive për bujqësi do të jetë më i vogël”, tha ai.

Në këtë takim pjesëmarrësit dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë, BQK-së, kompanive të sigurimit, bankat, IMF-ja, fermerët dhe IFC-ja diskutuan për Programin e Sigurimeve Bujqësore për Kosovën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat