Limaj: Është koha për një qeveri të guximshme dhe reformatore

Kosova

Limaj: Është koha për një qeveri të guximshme dhe reformatore

Më: 7 qershor 2017 Në ora: 20:50
Fatmir Limaj

Kryetari i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, i shoqëruar edhe nga disa kandidatë për deputet, ka qëndruar të mërkurën për të bashkëbiseduar me qytetarët e Klinës, ku ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri e guximshme për të marrë vendime dhe një qeveri reformatore.

Ai tha se me Nisma në qeveri do të angazhohen për ta bërë Kosovën të lëvizë përpara dhe se ka ardhur koha për një qeveri, e cila merr përgjegjësi dhe është e gatshme të zgjidhë problemet e qytetarëve të saj.

Limaj: Duam një qeveri që ruan dinjitetin e shtetit të vet

"Me Nisma në qeveri ne vlerësojmë, besojmë e do të angazhohemi për ta futur në lëvizje vendin tonë. Këto zgjedhje thjesht nuk janë bërë për të ndryshuar një qeveri, për ta ndërruar një kryeministër. Ne besojmë që ka ardhur koha për një qeveri reformatore, një qeveri e cila merr përgjegjësi, një qeveri që nuk vajton dhe e cila nuk hedh faj, një qeveri e cila përkulet para qytetarëve, e merr përgjegjësinë për të marrë vendime të rëndësishme për vendin. Ne duam një qeveri që është në ballë të vendit, ne duam një qeveri e cila ruan dinjitetin e shtetit të vet", tha Limaj.

Për më tepër, kreu i Nisma tha se duan një qeveri që është çdo herë afër qytetarëve, ndërsa Kosovës dhe qytetarëve të saj i nevojiten njerëz punëtorë të gatshëm të marrin vendime për t’i dhënë fund problemeve të tyre.

Limaj: Kosova ka nevojë për një qeveri që zgjidh problemet e qytetarëve

"Kosova dhe qytetarët e Kosovës kanë nevojë për një qeveri e cila jep zgjidhje problemeve të tyre. Kosova nuk ka nevojë, nuk donë dhe asgjë nuk i vyen falltarët, Kosovës i vyejnë njerëzit punëtorë të gatshëm për të marrë mbi supet e tyre vështirësitë, problemet, me të cilat mund të ballafaqohet gjatë rrugës për t’i zgjidhur ato probleme me të cilat ballafaqohet vendi ynë", tha Limaj.

Kryetari i Nisma për Kosovën para qytetarëve të Klinës prezantoi edhe tri prioritetet e kësaj partie, një të punësuar për çdo familje në dy vitet e ardhshme, krijimi i fondit të vetëpunësimit dhe 400 milionë euro investime në bujqësi.

Ndërsa, kryetari i Degës së Nismës në Klinë, Naser Morina, ftoi bashkëqytetarët e tij që të votojnë për Nismën pasi që sipas tij data 11 qershor do të shënojë një kapitull të ri për Kosovën.

Morina: 11 qershori shënon kapitull të ri në qeverisje

"Data 11 qershorit do të shënojë një kapitull të ri në qeverisje bashkë me partnerët e koalicionit. Prandaj, edhe ju ftoj të votoni koalicionin numër 12, ju ftoj të votoni liderin e Nisma për Kosovën Fatmir Limaj", tha ai.

Ndryshe, gjatë ditës kreu i Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj, së bashku me disa nga kandidatët për deputet kanë qëndruar në Ferizaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat