Pashallarët e Kuvendit: Për shpenzime, ka unitet mes partive! (Dokument)

Kosova

Pashallarët e Kuvendit: Për shpenzime, ka unitet mes partive! (Dokument)

Më: 30 janar 2017 Në ora: 00:10
Ilustrim

Deputetit Xhavit Halitit ia kalon për shpenzime në udhëtime zyrtare e akomodim në hotele luksoze vetëm Valon Xhaferi, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit. Për katër ditë qëndrimi në Angli, në qershorin e kaluar, Xhaferi ka shpenzuar për akomodim hiq më pakë se 8,727.89 euro.

Megjithatë, deputeti Haliti ka thyer një rekord në shpenzime: për një ditë ai ka paguar dy fatura akomodimi gjatë një udhëtimi zyrtarë – me kartelë krediti. Njëra 2,148 euro e tjetra 1,094 euro.

Nga 18 mijë euro sa kanë shpenzuar të gjithë deputetët për akomodim gjatë udhëtimeve zyrtare, për tre muaj, 15 mijë euro i kanë shpenzuar vetëm këta të dy.

Në asnjë udhëtim zyrtar, sipas të dhënave financiare, ata nuk kanë paguar më pak se shuma treshifrore. Haliti e Xhaferi të gjitha këto para i kanë shpenzuar përmes kartelave të kreditit me aprovim nga Kuvendi, shkruan fjala.

Emrat e tyre thuajse janë në secilën kategori të shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës. Madje edhe tek kategoria e shpenzimeve të pa specifikuara ku në një rast Xhaferi ka paguar mbi pesëmijë euro me kartelë, pa dhënë ndonjë detaj.

Megjithëse nuk u ofrohet për nga shuma e përgjithshme, edhe deputetja Aida Dërguti ka hyrë në mesin e deputetëve që paguajnë shtrenjtë për akomodim. Për dy ditë qëndrimi në Shqipëri, më 5 dhe 6 qershor të vitit 2016, ajo del të ketë paguar fatura të akomodimit me 1,449 euro.

Raporti i shpenzimeve për tremujorin e tretë të këtij viti tregon se nuk janë të pakta as paratë që kanë shkuar për dreka e darka zyrtare, mëditje e madje edhe akomodim brenda vendit.

Afro gjashtëmijë euro janë paguar për akomodim të deputetëve në raste të ndara gjatë muajve gusht dhe shtator, në hotelin “Emerald” dhe “Swiss Diamond” në Prishtinë. Ndërkaq, dy dreka zyrtare me 1 qershor të vitit të kaluar, një në hotelin “Swiss Diamond” dhe një në Restorantin “Rron” u kanë kushtuar mbi 12 mijë euro. Të njëjtën ditë është shtruar edhe një drekë tjetër në “Soma”, në vlerë 2,159 euro.

Shpenzimet për këtë kategori për tre muaj kanë qenë mjaftë të mëdha, duke kaluar shumën 41 mijë euro. Pavarësisht shpenzimeve, për tre muaj deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë marrë edhe afro një milionë euro vetëm paga dhe mëditje. Listës së deputetëve që gjatë kësaj kohe kanë marrë më së shumti mëditje i prinë Vjosa Osmani, Xhavit Haliti e Aida Dërguti.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat