Blaku: Krijimi i komisionit për matje të territorit është absurd

Kosova

Blaku: Krijimi i komisionit për matje të territorit është absurd

Më: 27 janar 2017 Në ora: 11:55
Profesori i ekonomisë dhe demografisë, Rifat Blaku

Tentimi i ri i Qeverisë së Kosovës për t’i japë zgjidhje çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, kësaj radhe me krijimin e një komisioni për matje të territorit të shtetit, nuk po gjen përkrahje nga opozita e as nga shumica nga shoqëria civile.

Profesori i ekonomisë dhe demografisë, Rifat Blaku, tha se ky vendim i Qeverisë është absurd dhe qesharak, sepse nënkupton që njerëzit nuk e dinë sipërfaqen e territorit të vet.

Sipas Blaku, krijimi i këtij komisioni ia humb edhe imazhin shtetit të Kosovës.

Blaku: Krijimi i këtij komisioni është vendim absurd

“Në këtë vend bëhet një vendim absurd, qesharak, i papjekur, që ia hup imazhin shtetit të ri të Kosovës. Se kush qenkan këta, të cilët nuk e dinë sipërfaqen e territorit nëpër sipërfaqe të veta. Në qoftë se ka mospajtime dhe përplasje rreth një vije kufitare me një shtet, që ka ndodh në shumë raste tjera mes shteteve, nuk ka ndodh asnjëherë që të matet territori, apo e tërë hapësira gjeografike në perimetrin total gjeografik brenda këtyre kufijve... Unë kur e kam dëgjuar fillimisht kryeministrin se gjoja se nëse ka nevojë do ta masim territorin, kam menduar që është një lloj relaksimi si batutë. Por, mbrëmë kur e dëgjova edhe njëherë ishte shqetësimi shumë i madh, sepse në rrethanat kur është një kompleksitet i pakëndshëm i këtij shteti, të merresh dhe të ngritësh komisione, dhe të derdhësh mjete për gjëra banale, triviale, me mat territorin!!! Çfarë lidhje ka territori i Kamenicës, Dardanës, ap o i Podujevës, me kufijtë e Malit të Zi”, tha Blaku.

Profesori Blaku tha se është shqetësuese të rimatet territori, kur këtë punë e kryejnë shërbimet kadastrale të komunave dhe ministria e Administratës Publike, e cila nxjerr profilin e komunave.

Në krye të këtij komisioni është emëruar kryetari i Akademisë Shkencore të Kosovës, Hivzi Islami, që sipas profesorit të ekonomisë dhe demografisë, Rifat Blaku, nuk ka njohuri për këtë çështje dhe për këtë arsye ky komision del të jetë më shumë humbje kohe se sa që pritet të gjejë zgjidhje të problemit.

Blaku: Komisioni duhet urgjentisht të ndërpritet

“Ky komision do duhej urgjentisht të ndërpritet, ky cirk qesharak, ky banalitet, ky veprim i papjekur, jep idenë e kundërt që para botës të dalim pak më dinjitoz dhe që jemi të aftë të ndërtojmë një shtet të qëndrueshëm dhe stabil...Në krye të këtij Komisioni emërohet Akademia e Shkencave që i dini marifetet e saja, dhe tash bëhet kryetar vetë kryetari i Akademisë që lidhje nuk ka me këtë temë, me çështje të kadastrit. Tash del si një ‘llaskucë’, për t’i imponue çarqeve vendimmarrëse që janë në pushtet...Projekte të tilla duhet të mos dalin as në media, e lërë më të jetësohen. Kjo është fundi i absurditetit, skajshmëria e mjerimit, sepse në botë sot ekzistojnë me qindra e qindra satelitë, që çdo send e instalojnë...Është haram për mjetet që derdhën nga taksat e këtij populli shumë të pafat në këtë rast”, tha Blaku.

Përndryshe, Komisioni për matjen e territorit në Republikën e Kosovës, ka filluar punimet nga data 24 janar e këtij viti, ku kryetar është zgjedhur kryetari i tanishëm i ASHAK-ut, Hivzi Islami.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat