Policia kap para të falsifikuara dhe mjete për prodhimin e tyre në tri rajone të Kosovës

Kosova

Policia kap para të falsifikuara dhe mjete për prodhimin e tyre në tri rajone të Kosovës

Më: 25 janar 2017 Në ora: 12:42
Ilustrim

Policia e Kosovës, në raportin e saj 24 orësh, ka bërë me dije se ka konfiskuar në rajonin e Prishtinës, në atë të Gjilanit dhe të Ferizajt kartëmonedha të falsifikuara.

Sipas Policisë, në rrugën “Eqrem Çabej” të Prishtinës, më 24.01.2017 në orën 11:50, ankuesja femër, shqiptare e Kosovës, punëtore e një bankë, ka informuar se nga një klient ka pranuar një kartëmonedhë prej 100€, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.

Njësiti policor ka konfiskuar monedhën dhe janë duke hetuar rastin.

Në Gjilan, gjegjësisht në rrugën “Adem Jashari”, më 24.01.2016 në orën 16:00, një i dyshuar mashkull, shqiptar i Kosovës, kishte shkuar në një bankë dhe gjatë verifikimit të një kartëmonedhe prej 50€, e njëjta dyshohet se është e falsifikuar.

Edhe në këtë rast, njësiti policor ka konfiskuar monedhën dhe janë duke hetuar rastin.

Kurse në Ferizaj, më 23.01.2017, në orën 00:25, njësitet policore kanë ndaluar një veturë me targa vendore të cilën e drejtonte i dyshuari mashkull, shqiptar i Kosovës.

“Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur dhe konfiskuar 8 kartëmonedha nga 20 € të dyshuara për falsifikim, 30 fletë letër të formatit A4 ku nga secila fletë ishin dy kartëmonedha nga 20 € të gatshme për falsifikim, disa pajisje të dizajnuara për falsifikim, një sëpatë, një kuletë, një celular si dhe një cigare të mbështjellë me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë”, njofton Policia e Kosovës. Vetura është konfiskuar, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat