Progres në nivel botëror, në rajon Kosova mbetet vendi më i korruptuar

Kosova

Progres në nivel botëror, në rajon Kosova mbetet vendi më i korruptuar

Më: 25 janar 2017 Në ora: 12:11
Artan Canhasi

Instituti Demokratik i Kosovës ka prezantuar raportin e Transparency International për “Indeksin e perceptimit të korrupsionit 2016”, ku këtë vit Kosova ka shënuar përparim krahasuar me vitin 2015 edhe pse mbetet e fundit në rajon për nga niveli i lartë i korrupsionit.

Artan Canhasi, nga KDI, tha se Kosova është notuar me 36 poena, përderisa vitin e kaluar kishte 33 dhe tani Kosova është në vendin e 95.

Canhasi: Kosova ka shënuar përparim krahasuar me vitin 2015

“Sipas Indeksit të perceptimit të korrupsionit të vitit 2016, Kosova ka shënuar përparim krahasuar me vitin 2015 edhe pse mbetet prapë se prapë e fundit në rajon për nga niveli i lartë i korrupsionit. Kosova është notuar me 36 poena, përderisa vitin e kaluar kishte 33 dhe tani është pak më mirë në vendin e 95, për dallim nga viti i kaluar që ka qenë në vendin e 103... Sa i përket rajonit, Sllovenia qëndron më së miri në rajon, një shtet anëtare e bashkimit Evropian e pasuar nga Kroacia dhe Mali i Zi, Serbia, Shqipëria, Bosnja Hercegovina, Maqedonia dhe në fund qëndron në këtë ranglistë Kosova”, tha ai.

Canhasi tha se KDI së bashku me partnerët e tjerë ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të sjellin rezultate pozitive dhe sipas tij këto rezultate kanë ardhur, se ka tri vite që nuk ka ndonjë ndryshim në përmirësim të notimit.

Po ashtu, ai tha se pozitive në Kosovë është aplikimi i prokurimit elektronik dhe kontrolli i mirë i korrupsionit në nivelin e ulët.

Canhasi: Pozitive në Kosovë është aplikimi i prokurimit elektronik

“Nëse mund të përmendim diçka si pozitive në Kosovë është aplikimi i prokurimit elektronik i cili ende është në fazat e hershme të zbatimit, por prapë është diçka që ka ndikuar në masë të madhe tek ky perceptim. Kontrollimi i mirë i korrupsionit në nivelin e ulët, ku edhe barometri global i korrupsionit ka treguar që Kosova qëndron mjaftë mirë në këtë drejtim”, tha ai.

Ndërsa, problemet më të mëdha sipas Artan Canhasit, nga KDI, janë mungesa e transparencës nga paritë politike për mënyrën e financimit, emërtimi i kandidatëve në të gjitha nivelet dhe se shëndetësia dhe gjyqësori vazhdojnë të jenë pikat kyçe, që sipas tij korrupsioni vazhdon të mbetet problematik.

Canhasi: Shëndetësia dhe gjyqësori pikat kyçe ku korrupsioni është i përhapur

 “Problemet mbeten të shumta në Kosovë dhe do të fokusohesha në ato më kryesoret, e kemi mungesën e transparencës në financimin e subjekteve politike dhe partive politike, nuk dimë për vitin e katërt me radhë se çfarë, nga ka i kanë burimet e financimit partitë dhe si i shpenzojnë paratë e tyre nëpër fushata. Emërimi i përzgjedhja e kandidatëve në të gjitha nivelet, po flasim për nepotizëm si për borde, si për një pozitë të mësuesit apo të një drejtori, besoj në Kosovë është duke na shkaktuar probleme të shumta, mungesa e profesionalizimit të këtyre personave është duke na krijuar probleme shumë të mëdha. Sa i përket sektorëve të veçantë, shëndetësia dhe gjyqësori vazhdojnë të jenë pikat kyçe ku korrupsioni është mjaftë i përhapur dhe është shumë problematik”, tha ai.

Sipas Canhasit, KDI vlerëson se pozita e Kosovës do të përmirësohej ed he më tutje në rast se prokurimi elektronik, që pritet të fillojë të zbatohet, mund të mundësojë publikim të kontratave dhe kur politika e vendit do të përqendrohen në forcimin e sundimit të ligjit dhe forcimin e praktikave llogaridhënëse.

Transparency International ka vazhduar me publikimin e Indeksit për perceptimin e korrupsionit për më shumë se 20 vite. Në nivel botërorë Danimarka radhitet e pare edhe këtë vit me 90 pikë, ndërsa Somalia mbetet në vendin e fundit për 10 vjet me radhë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat