Protestojnë specialistët e mjekësisë për mos vazhdim të kontratave

Kosova

Protestojnë specialistët e mjekësisë për mos vazhdim të kontratave

Më: 12 janar 2017 Në ora: 10:21
Protesta e specialisteve qe nuk i vazhdohet kontrata

(E plotësuar)- Mbi 200 specialistëve nuk u është vazhduar kontrata e punës nga Ministria e Shëndetësisë dhe kjo ka bërë që këta specialistë të protestojnë para Qeverisë së Kosovës lidhur me këtë vendim për mos vazhdim të kontratat.

Përfaqësuesi i specialistëve protestues Arben Ademi, tha se kanë kërkuar takim me zyrën e kryeministrit dhe takim me kryeparlamentarin, por që sipas tij vetëm i janë marrë të dhënat dhe iu është thënë se do të lajmërohen.

Ademi njoftoi se dje përfaqësues të këtyre specialistëve kanë mbajtur takim me zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe u është thënë se për këto vende do të shpallet konkursi, por sipas tij kërkesa e tyre ka qenë që t’iu vazhdohet kontrata deri në shpalljen e konkursit.

Ademi: Të na vazhdohen kontratat deri në shpallje të konkursit

“Dje janë takuar një grup me Ministrinë e Shëndetësisë ata na kanë thënë që do të del konkurs, realisht kërkesa jonë është e qartë dhe kërkojmë vazhdimin e kontratave deri në shpalljen e konkursit, në mënyrë që të mos mbetemi në rrugë dhe ta vazhdojmë punën ku kemi filluar qe tre muaj dhe të mos mbesim në rrugë deri në shpalljen e konkursit për arsye se nuk e dimë edhe saktë se kur do të dalë konkursi”, tha Ademi.

Përfaqësuesi i specialistëve tha se kur është bërë buxheti i Kosovës janë miratuar edhe një milion e 300 mijë euro për kategorinë e tyre, pra për 200 specialistë dhe sipas tij përderisa paratë janë nuk e kuptojnë arsyen se pse nuk u janë vazhduar kontratat.

Ademi: Buxheti për 200 specialistë është miratuar në Kuvend

“Buxheti është miratuar në Kuvendin e Kosovës dhe në dhjetor në planifikimin e buxhetit janë miratuar një milion e 300 mijë euro për kategorinë tonë, pra për 200 specialistë dhe thjesht ato pare janë në buxhet. Nuk e kuptojmë arsyen se pse mos me na i vazhdu kontratat. Do të thotë ne kemi protestuar vazhdimisht edhe na kanë thënë që nuk ka buxhet”, tha ai.

Ndërsa, Kujtim Kastrati, specialist i ORL-së, tha se para disa muajsh janë pranuar në punë me kontratë tre mujore dhe meqë edhe dy ditë kontratat skadojnë do të mbesin në shtëpi.

Kastrati: Edhe dy ditë jemi në punë

“Sot jemi mbledhë për arsye se para disa muajsh na kanë marrë me disa kontrata tre mujore të cilat na skadojnë me datën 14 të këtij muaji, pra ne kemi edhe dy ditë punë dhe pas saj ne do të shkojmë në shtëpi, sepse kontratat mbarojnë”, tha ai.

Kastrati tha se nga Ministria e Shëndetësisë u është thënë se kontratat nuk do t’iu vazhdohen.

Kërkesa e këtyre specialistëve të cilët kanë protestuar sot është vazhdimi i kontratës deri në hapjen e një konkursi nga Ministria e Shëndetësisë.

Mjekët specialistë protestojnë për mosvazhdimin e kontratave

Rreth 200 mjekë specialistë kanë dalë për të protestuar kundër vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për mos vazhdim të kontratave.

Mjekët specialistë, kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë për vazhdim të kontratës deri në hapjen e konkursit.

Ata kanë për këtë çështje i janë adresuar me një kërkesë edhe Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat