Spitalet rajonale ’krye n’veti’ ndalin operimet lektive

Kosova

Spitalet rajonale ’krye n’veti’ ndalin operimet lektive

Më: 27 gusht 2016 Në ora: 15:20
Ilustrim

Qytetarët e Gjakovës apo të Prizrenit të sëmurë nga bajamet, e të cilëve u duhet operim i menjëhershëm, një mjekim të tillë nuk do të mund ta marrin në Spitalin rajonal të Gjakovës apo të Prizrenit.

Kjo për arsye që të dy këto spitale i kanë ndërpre operimet lektive apo ndryshe të ftohta në muajin qershor deri në muajin shtator.

KP ka siguruar edhe vendimin e ndërprerjes së operimeve lektive nga Spitali i Prizrenit:

Image

Ndërprerja e këtyre operimeve në dy spitalet rajonale, sipas Shoqatës së Pacientëve është bërë pa një vendim të Ministrisë së Shëndetësisë ‘krye në vete’ dhe të Shërbimit Kliniko-Spitalor, e arsyetimi i dhënë nga spitalet rajonale që i kanë dhënë Shoqatës së Pacientëve, ka qenë se ndërprerja e kësaj është bërë shkaku i nxehtësisë, si dhe mungesës së stafit.

E këto arsyetime për Shoqatën e Pacientëve janë të pa baza dhe një vendim të tillë ata e vlerësojnë si abuzim për pacientët.

Kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra, ka treguar se ka pranuar një vendim prej institucioneve shëndetësore të nivelit sekondar dhe terciar se janë ndërprerë operacionet lektive, e të cilat operacione në spitale private mund edhe të bëhen.

Kodra: Këto operacione nuk ndalen në spitale private

“Kemi pranuar një vendim që spitali i Prizrenit dhe i Gjakovës e ka ndërprerë, mirëpo në bazë të informacioneve kjo ka ndodh në gjitha spitalet regjionale...Ne kemi konsideruar këtë vendim të pa bazuar duke pasur parasysh faktin se Ministria e Shëndetësisë nuk ka ndërmarr një vendim të tillë i cili për shkak se nuk ka pas nevojë aq të madhe për të marr një vendim. Nëse do të kishte rrezikshmëri kaq të madhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik do të duhej të jepte një rekomandim për shkak të rrezikshmërisë. Duhet me u cekë që këto operacione nuk ndalen në spitalet private dhe kjo është abuzim me pacientët duke i bartur ata nga institucionet publike në ato private”, tha Kodra.

Image

Veç spitaleve private këto operacione nuk janë ndërprerë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

Kodra tha se nëse do kishte qenë nevoja që të ndalohen këto operacione, ato do të ndaloheshin edhe në nivel të Shërbimit Spitalor.

Një vendim të tillë të Spitaleve Regjionale, Kodra po e konsideron si të pamatur.

Kodra:Asgjë nuk e arsyeton ndalesën e operacioneve lektive

“Ne konsiderojmë se është vendim i pa matur, i pa bazuar dhe duke pasur parasysh se cila do të ishte logjika që në vendet tropikale të mos bëhen asnjëherë operacionet për shkak të nxehtësisë atje është gjithmonë nxehtësi, kjo nuk e arsyeton atë që pacientëve të iu ndalen operacionet. Pacientët kanë të drejtë të mos durojnë vuajte dhe dhembje të panevojshme por ta marrin shërbimin 24 orë”, theksoi Kodra.

Pas vendimit, Kodra kishte kontaktuar spitalin e Prizrenit dhe atë të Gjakovës ku veç arsyetimit që kjo vjen si pasojë e kohës së nxehtë, kanë arsyetuar edhe se kjo praktikë ka ndodh që nga pas lufta.

Ai thotë se komplikimet për shkak të nxehtësisë vetë pacientët vendosin se a dëshirojnë të hynë në operacion apo jo.

Kodra: Vetë pacientët vendosin se çka dëshirojnë

“Pacientët kanë të drejtë që pas informacioneve që do t’i marrin për shembull, rrezikshmërinë ë që mund të ketë, komplikimet që mund t’i ketë për shkak të nxehtësisë ata vetë vendosin se a dëshirojnë të hyn në operacion apo jo, nëse ata dëshirojnë pasojat i bartin vetë. Por nuk besoj që kjo do t’i pengonte. Logjikisht operacionet të cilat janë emergjente bëhen operacionet emergjente cila është niveli i masave për t’i ruajtur ato që të mos infektohen”, tha Kodra.

Shoqata e Pacientëve për këtë vendim i ka shkuar edhe drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor nga i cili nuk kishte marr përgjigje. Veç kësaj, ata i kishin dërguar edhe një komunikatë publike bordit të Shërbimit Spitalor, por pa marrë ndonjë vendim që i është rikthyer ankesa.

Përfaqësuesi i kësaj shoqate Besim Kodra, i tha KosovaPress-it se nëse nuk do të ndërmerret ndonjë vendim do t’i drejtohen edhe Avokatit të Popullit për shkelje të të drejtave të njeriut. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat