Qytetarët e Obiliqit e ndërprenë debatin për shpronësime në mungesë të përfaqësuesve institucional

Kosova

Qytetarët e Obiliqit e ndërprenë debatin për shpronësime në mungesë të përfaqësuesve institucional

Më: 22 gusht 2016 Në ora: 11:21
Debati për shpronësim të tokave në Obiliq

(E plotësuar) - Qytetarët e komunës së Obiliqit e kanë ndërprerë debatin qysh në fillim ku ishin tubuar të diskutonin rreth shpronësimeve që KEK-u po kërkon t’i bëjë në fshatin Hade në mënyrë që të njoftohen më shumë rreth këtij procesi.

Tubimi i KEK-ut me qytetarë u ndërpre pasi kryetari i komunës, Xhafer Gashi i cili ishte i radhitur në anën e qytetarëve, tha se banorët nuk kanë çka të diskutojnë pa praninë e drejtorit të KEK-ut, Arben Gjuka dhe përfaqësuesve të Ministrive relevante.

Madje ai replikoi me një përfaqësues të KEK-ut, i cili i tha Gashit se po dëshiron të bëjë fushatë politike.

Gashi: Nuk kam ardhë për të bërë politikë

“Sot jam i interesuar me  zgjidh probleme dhe ti mundesh me ardhë kur të duash me i pa dëshmitë. Sa shkresa ia kemi drejtuar kryeministrit, sa  shkresa ia kemi drejtu ministrave të linjës, sa shkresa ia kemi drejtuar KEK-ut, sa herë kem qenë në takim me anëtarë të komisioneve, por me nejt prej kornerit mirë është. Nuk jemi sot këtu  për politikë. Mendoj se sot qytetarët e Obiliqit pa dallim politik duhet me qenë të bashkuar dhe pa dallim politik duhet me ngrit këtë çështje ndaj KEK-ut në radhë të parë dhe të gjitha institucioneve. Mirupafshim në KEK, përcjellani këtë mesazh Arbenit se me siguri... unë po e ndij që në këtë rast jemi jo të përfaqësuar dinjitetshëm dhe ju qytetarë nëse të vazhdoni, unë jo”, tha Gashi.

Qytetarët e mbledhur në një sallë të shkollës “Ibrahim Rugova” dëgjuan kryetarin e tyre dhe nuk vazhduan më tej diskutimin pa praninë e drejtorit të KEK-ut Arben Gjuka dhe përfaqësuesve të Qeverisë.

Para se të ndërpritej ky debat, kryetari i Obiliqit ia kujtoi KEK-ut që çdo herë edhe para kohës së luftës e edhe pas saj, banorët e këtyre fshatrave të cilët janë dëmtuar nga KEK-u janë kompensuar në mënyra të ndryshme si me shkollim ashtu edhe me punësim, gjë që sipas tij nuk po ndodh më.

Gashi: A duhet që qytetarët e Obiliqit t’i bllokojnë rrugët për të kuptuar se këtu ka zot shtëpie

Gjithherë ka qenë, para luftës nuk ka qenë obligative por gjithherë ka qenë morale që këta njerëz që janë prek nga ky ambient i ndotur kanë pas benifit së paku shkollimin bursat, kanë pas benifit punësimin, të drejtë që ju sot ua mohoni. Është shumë për të ardhur keq që në vazhdimësi ka kërkesa të qytetarëve rreth shpronësimit, kohës, planeve dinamike se si do të zhvillohet, menjëherë më tutje ne sot jemi ardh po bisedojmë për diçka tjetër derisa edhe asnjë përgjigje se kemi marrë për probleme që aktualisht  i kemi. A  duhet që qytetarët e Obiliqit të dalin në rrugë  t’i bllokojnë rrugët për ta kuptuar Qeveria, për ta kuptuar KEK-u që këtu ka zot shtëpie dhe këta nuk lejojnë me shkel mbi dinjitetin tyre”, tha Gashi.

Ragip Grajçevci nga fshati Hade i prekur tha se takimi qysh në fillim është parë se nuk është  serioz.

Grajçevci: Më shumë se ne nuk ka dhënë askush për KEK-un

“Unë  nuk po e shoh askënd, nëse nuk janë ata njerëz, edhe atë ditë u kam thënë nëse nuk është ekzekutivi, nuk kem çka me mbajtë debate e ligjërata, jemi rrasë me këto debate....zotit Arben Gjuka me shkrim ia kam qu me protokol, qe 5 vjet rreth asnjë kërkesë banorëve të Hades nuk i është kthy me shkrim, por as me gojë. Jemi ardhë në takim e i kemi shtjerrë takimet me juve, na e keni okupua jetën na e keni bërë të vështirë në atë fshat, prandaj ne banorët e fshatit iu kemi mbështet në projekte madhore në zhvillimin e vendit në fushën energjetike, më shumë se ne askush nuk u ka mbështet, rrogat e juaja i qoni në shtëpi, djemt e juaj i punësoni, tanët janë pa punë ato nuk i përfillni kërkesat as të punësimit, as të zhvendosjes, as të shpronësimit vetëm kah ju intereson juve ka keni donatorë ju KEK-u, po i them me emër, Çitaku dhe Makolli kanë ble toka dhe po doni me shku me mbërri pronën e atyre atje”, deklaroi ai.

Grajçevci ia dërgoi panelistëve edhe një hartë në të cilën sipas tij shihen tokat të cilat kanë qenë në zonën e shpronësimit e cilat po shpronësohen.

Grajçevci: Jemi bërë tri gjenerata nuk po na lejoni të ndërtojmë shtëpi

“Kam maru shtëpi këtu qe 30 vjet,  familja u rrit më 2004, valoni, fitimi, burimi janë martu ka katër fëmijë i kanë, nuk na ke leju me ndërtua shtëpi, nuk na ke lejuar Shkabaj as komuna as Ministria. 10  herë jemi kanë, jemi kanë tash së fundmi edhe tek ky i stentave(ish ministri Ferid Agani.v.j), ai ia kish marrë edhe zemrën njeriut e jo dheun, tash po doni apet me na marrë”, tha i revoltuar Ragip Grajçevci.

Edhe Adil Januzi, banor i kësaj zone, tha se në debat qytetarët kërkojnë që detajisht t’u sqarohet mënyra dhe procedura e shpronësimit.

Januzi: Kërkojmë sqarime për të gjithë procesin

“Ju duhet detajisht me na tregu në fazën e parë kush është  në fazën e dytë kush është, qysh është mënyra e dislokimit, qysh shkon mënyra e pagesës qysh shkon mënyra e shpronësimit, këto i kërkojmë prej juve”, tha ai.

Kurse, një nga përfaqësuesit e KEK-ut, Isuf Gerguri, tha se procedura do të sqarohet,  por sipas tij nuk mund të kalohet në fazat tjera pa e përfunduar fazën e parë të shpronësimit.

Gërguri: Nuk mund t’i kryejmë fazat tjera pa e përfunduar fazën e parë

“Pa fillimin e incizimit dhe regjistrimit të të gjitha patundshmërive, të cilat ndodhin në teren ne nuk mund të kalojmë në fazën e dytë dhe të tretë si parashihen me KKZH”, ka deklaruar ai.

Banorët e fshatit Hade janë të pakënaqur me mënyrën e shpronësimit të tokave të tyre pasi siç thonë ata, shpronësimet janë bërë sipas interesave të pushtetarëve.

Ndërpritet debati për shpronësim të tokave, mungoi drejtori i KEK-ut

Një debat për shpronësimin e tokave të qytetarëve nga KEK-u që ishte paraparë të mbahej sot në Obiliq është ndërprerë pasi që mungoi drejtori i KEK-ut Arben Gjuka dhe përfaqësues të Qeverisë.

Kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi i ftoi qytetarët e komunës së tij që pa prezencën e Arben Gjukës dhe ministrave përgjegjës të mos diskutojnë për KEK-un dhe  tokat që kjo ndërmarrje ka kërkuar që t’i shpronësojë.

 Qytetarët e pranishëm kishin shumë ankesa në drejtim të KEK-ut me arsyetimin se po ua merr pronat derisa ata nuk kanë asnjë përfitim nga kjo ndërmarrje.

Andaj kryetari i Obiliqit Xhafer Gashi tha se nuk kanë çka të diskutojnë pa i dëgjuar personat përgjegjës.

Image
Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat