Doktori Sylë Berisha, do mbetët i pa shlyer në kujtesën historike të Deçanit

Kosova

Doktori Sylë Berisha, do mbetët i pa shlyer në kujtesën historike të Deçanit

Nga: Mr. Adem Lushaj Më: 21 gusht 2016 Në ora: 21:05
Sylë Berisha

Shkuarja në amshim e specialistit të pediatrisë, punëtorit shumëvjeçar të shëndetësisë, njërit nga mjekët dhe intelektualët më të “zot” të Deçanit, Sylë Berisha, është humbje, jo vetëm për familjen, por për të gjithë deçanasit. Doktor Syla, do mbahet në mend për vlerat e tij profesionale dhe intelektuale. Historia e Deçanit, e në veçanti shëndetësia e kësaj komune, nuk do mund të shkruhet pa emrin e njeriut të urtë, të sakrificës, e të pa lodhshmit në përmbushjen e betimit të dhënë, “Betimit të Hipokratit”, mjekut që për 40 vite ishte vënë në shërbim të popullit, në shërbim të atdheut.

Janë të paktë ata që nuk kanë dëgjuar dhe nuk kanë marr shërbimet mjekësore të këtij njeriu të gjeneratës së “artë” të mjekëve deçanas, gjeneratës së artë të Gjimnazit “Vëllezërit Frashëri”, që ishte emër për gjeneratat që dilnin nga dyert e këtij institucioni arsimor. Doktor Sylë, do mbeteni i pa shlyer në kujtesën historike të Deçanit. Ishit i pa nënshtruar edhe në kohën e okupimit të viteve ’90-ta, duke dhënë shembull se si duhet kontribuar në mbijetesën e këtij populli, në mbijetesën institucionale të shëndetësisë kosovare. Ishit me popullin në kohë paqe dhe  lufte, duke u sakrifikuar në çdo kohë për bashkëvendësit, për popullin dhe Kosovën. Edhe pse dije për shëndetin tuaj jo të mirë, ishe i përkushtuar për shëndetin e qytetareve, e duke harruar vetveten. 

Edhe pse gëzoje një respekt  të jashtëzakonshëm nga pacientët, nga qytetarët dhe institucionet, çdoherë tregoje një modesti për vetën, gjë që ke bërë të mbetesh përherë në mendjet dhe zemrat e atyre që të kanë njohur.

Doktori ynë, Sylë Berisha, ishe dhe mbetesh ndër profesionistët më të zot. Ishe njëri i respektit dhe sakrificës. Ishe dhe do mbetesh përherë në historinë tonë, në shëndetësinë dhe intelektualitetin deçanas. Ndaj, emri juaj do jetë stimulim për angazhimet tona intelektuale dhe shoqërore, për tolerancën dhe sakrificën njerëzore.

Lavdi jetës dhe veprës tuaj, i përhershëm kujtimi për ty!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat