Dëshmia e mikut të lezhjanit: Si e gjeta të masakruar

Shqipëria

Dëshmia e mikut të lezhjanit: Si e gjeta të masakruar

Më: 16 gusht 2016 Në ora: 09:52
Pëllumb Marnikollaj

Vijon të mbulohet me mister vdekja e 29-vjeçarit Pëllumb Marnikollaj në Greqi, i cili u gjet në frigoriferët e varrezave publike pa dijeninë e familjarëve. Një prej miqve të viktimës rrëfen kalvarin e vuajtjeve për të gjetur trupin e pajetë i cili sipas tij ishte i masakruar. Familjarët denoncojnë në polici vrasjen e Pëllumbit trupi i të cilit iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore në Shqipëri.

Një prej miqve të 29-vjeçarit lezhjan Pëllumb Marnikollaj i vrarë në Greqi në rrethana ende misterioze ka rrëfyer kalvarin e gjatë që ju është dashur familjarëve të tij për të gjetur trupin e pajetë të riut.

Ai hedh dyshime të forta se Pëllumbi është vrarë nga policia greke pasi trupi i tij kishte shenja dhune.

Dëshmitari F.H, i cili është futbollist në një ekip grek thotë se e ka ndjekur këtë çështje që prej fillimit, pasi ka qenë duke folur në telefon me Pëllumbin në momentin që ai po paraqitej në polici për të respektuar një vendim gjykate që caktonte ndaj tij masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.

Ai tregoi se shokun e tij e kishin varrosur, pa njoftuar familjen, pasi e kishin mbajtur 4 ditë në frigorifer në morgun e spitalit.

“Isha në rajon policie, pas 2 apo 3 orësh e mora në telefon nuk përgjigjej më, telefoni ishte i fikur, u shqetësuam. Kontaktuam shoqen tonë avokate. Pasi e morëm në telefon shkuam në polici bashkë me vëllain e viktimës dhe dajën e tyre. Pyeti avokatja dhe na tha që Pëllumbi është pa jetë. Polici më tha është hedhur nga kati i 4-t, i kërkova me tregu se ku është hedhur, ma bëri me dorë, por më tha që janë arsye hetimore. I kërkova me hap kamerat, tha që serveri nuk punonte atë ditë”, tregon miku i viktimës.

Sipas tij, rajoni i policisë ishte me tre kate, ndërsa policia lokale pretendon se viktima është hedhur nga kati i katërt.

Më pas ata kanë shkuar në një spital në Athinë aty ku ju kanë thënë se kishin çuar trupin e të ndjerit.

“Në spital se kishin as në libër, shkuam deri tek drejtoresha. Pas shumë këmbënguljesh na thanë se spitali e ka mbajtur 4 ditë në frigorifer. Pastaj një agjenci private funerale e kishte çuar në varreza”.

Më tej ai rrëfen edhe përpjekjet për të parë trupin pa jetë të mikut të tij.

“Kur shkuam tek varrezat na thanë që autopsia është bërë me urdhër të rajonit të policisë. Ne u çuditëm, si ka mundësi që është bërë kjo pa dijeninë e familjarëve. Pasi na dhanë kontaktin me agjencinë private funerale nuk dëgjonin të na tregonin trupin pa urdhër të prokurorisë, deri sa më në fund e pamë trupin. Syri i majtë i nxirë krejt, shpina, dora e majtë e nxirë krejt. Ai ishte torturuar deri në vdekje. Nuk donim gjë tjetër veçse me marrë trupin deri në shtëpi. Ishte dërguar në varreza si një njeri pa i identifikuar”, tregon miku i viktimës.

Trupi i 29-vjeçarit u soll në Shqipëri pas shumë kërkimesh dhe përpjekjesh nga familjarët e tij të cilët nëpërmjet një avokate arritën të gjenin në frigoriferët e varrezave publike në Athinë trupin e të riut shqiptar.

Kanë qenë shokët e viktimës që i janë drejtuar avokates greke Maria Konstantopoulou për ndihmë, e cila menjëherë ka shkuar në Rajonin e Policisë Agio Lavro në lagjen Ano Patisia të Athinës, ku është informuar se i riu shqiptarë nga Lezha kishte ndërruar jetë dhe ndodhej në morgun e një spitali aty afër.

Avokatja ka gjetur vendndodhjen e viktimës dhe ka bërë identifikimin përmes njerëzve të afërt të 29-vjeçarit.

Avokatja Konstantopoulou tha se ishte tronditur shumë kur kishte parë viktimën në murgun e Spitalit.

“Nuk më ka ndodhur ndonjëherë në jetë të shohë një viktimë të tillë, kaq trishtuese”, tha avokatja duke fajësuar veç policisë edhe shërbimin e spitalit.

Pas mbërritjes së trupit në Shqipëri, familjarët kërkuan kryerjen e ekspertizë për të përcaktuar shkakun e vdekjes së 29-vjeçarit i cili u përcoll në banesën e fundit paraditen e djeshme.

Familjarët e të ndjerit denoncuan dje në Policinë e Lezhës vrasjen e të afërmit të tyre duke bërë një kallëzim penal për akuzën e vrasjes ndaj policisë greke.

Prokuroria shqiptare ka nisur hetimet për këtë rast, ndërsa dje reagoi Partia Demokratike, e cila kërkoi, që autoritet shtetërore të ndërhyjnë si dhe Ministria e Jashtme e cila tha se po ndjek zhvillimet për këtë çështje.

29-vjeçari Marnikollaj me masë “detyrim për paraqitje”

Viktima kishte një vendim gjykate detyrim paraqitje në polici dhe ai si zakonisht ishte paraqitur për të firmosur në polici duke respektuar ligjin dhe vendimin e gjykatës, me mendimin të rikthehej serish në shtëpinë e tij.

Por ka ndodhur krejt ndryshe, Marnikollaj, u paraqit për mos tu kthyer më kurrë.

Pasi ka humbur kontaktet telefonike me shokun e tij, ky i fundit është shqetësuar dhe është vënë në kërkim të shokut. Ngjarja e rëndë ku humbi jetën në rrethana të dyshimta 29-vjeçari nga Lezha, Pëllumb Marnikollaj, po ndiqet me përparësi nga autoritetet e Ambasadës Shqiptare në Athinë, të cilët thonë se jemi të vendosur dhe do t’i shkojmë çështjes deri në fund, për zbardhjen e të vërtetës dhe do të kërkojmë me këmbëngulje nxjerrjen e fajtorëve para drejtësisë dhe ndëshkimin e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat