“Vetting”-u, të hënën mblidhet komisioni parlamentar

Shqipëria

“Vetting”-u, të hënën mblidhet komisioni parlamentar

Më: 10 gusht 2016 Në ora: 09:25
Komisioni per reformen ne drejtesi

Një jave pas mbylljes së Parlamentit, 10 deputetët që janë anëtarë të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, do të mblidhen të hënën në kryesinë e Kuvendit. Komisioni i Posaçëm do të mblidhet për të shqyrtuar projektligjin e “Vetting”-ut në mënyrë që ai të jetë gati për t’u miratuar sa më shpejt. Projektligji është shqyrtuar më herët nga ky komision, por drafti ndryshoi për shkak të reflektimit në të të ndryshimeve kushtetuese të 22 korrikut për mënyrën se si do të bëhet “Vetting”-u dhe rolin që ndërkombëtarët do të kenë në këtë proces. Për më tepër opozita nuk ka qenë pjesë e mbledhjeve të Komisionit dhe meqenëse ligjet duhet të kalojnë me konsensus, ashtu si dhe drafti kushtetues të gjitha palët do të mblidhen në mjediset e kryesisë së Kuvendit për të diskutuar në parim e nen për nen një nga draftet më të rëndësishme të reformës në drejtësi.

Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të gjithë palët politike vendosen që projektligjet të shqyrtohen në muajin shtator me çeljen e sesionit të ri parlamentar, por ambasadori amerikan Donald Lu dhe ajo e BE-së Romana Vlahutin, këmbëngulën që ligjet të kalojnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ndërsa të hënën nis puna për shqyrtimin e drafteve, ende nuk ka një datë se kur do të mblidhet Parlamenti për t’i miratuar ato. E vetmja çështje për të cilën të gjitha palët kanë rënë dakord është se projektligjet nuk mund të kalojnë në Kuvend para datës 11 gusht që është momenti kur Kushtetuta e re hyn në fuqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat