Gërvalla: Nëse ratifikohet marrëveshja për demarkacionin, largohem nga LDK-ja

Aktuale

Gërvalla: Nëse ratifikohet marrëveshja për demarkacionin, largohem nga LDK-ja

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 9 gusht 2016 Në ora: 23:02
Donika Gervalla

Aktivistja e LDK-së në Gjermani, Donika Gërvalla Schëarz ka njoftuar përmes një shkrimi në Facebook se do të largohet nga LDK-ja, në rast se me votat e kësaj partie Kuvendi ratifikon marrëveshjen për demarkacionin.

Ajo thotë se deputetët u betuan për të mbrojtur integritetin e Republikës së Kosovës dhe kush e shkel këtë betim, tradhton Kosovën.

Postimi i plotë:

Nëse Kuvendi i Kosovës me votat e deputetëve të LDK-së ratifikon marrëveshjen aktuale me Malin e Zi, atëherë largohem nga Lidhja Demokratike e Kosovës

U betuan të gjithë. U betuan ta mbrojnë integritetin territorial të Republikës së Kosovës, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin e saj 2.2. Kush e shkel këtë betim, tradhëton Kosovën. Tradhëton gjakun që ndodhet në themelet e Republikës, ata mijëra djem dhe vajza që dhanë jetën për liri.

Neni 2.2 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës: „Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacënueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe me ligj“.

Betimi i deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës: “Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane. Betohem!“

Betimi i Presidentit të Republikës së Kosovës: “Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia.”

Integriteti i klasës politike në Kosovë jo që është i dobët, por as nuk ekziston. Jo vetëm kaq, por këto figura të zbehta, të cilat gëzojnë asgjë më shumë përbuzjen e qytetarëve të tyre, ndodhen para një gabimi të pariparueshëm për Kosovën, para heqjes dorë nga një pjesë e territorit të Kosovës. Ky gabim është i pariparueshëm. Toka e shitur është shitur dhe nuk kthehet më kurrë. Të gjithë shembujt e historisë shqiptare e dëshmojnë këtë. Asnjë fuqi në botë nuk do të mund ta riparojë këtë cënim të integritetit territorial edhe ashtu të cunguar të vendit tonë.

Të gjithë e dimë se ku është kufiri mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe të gjithë e dimë mirë se sa toka shqiptare ka edhe përtej kufirit, të cilat nuk i përmend askush prej nesh. Të gjithë jemi të gatshëm për të kërkuar kompromise të shëndosha dhe të pranueshme për hir të fqinjësisë së mirë. Madje edhe Mali i Zi pati ofruar bisedime të reja për të përmirësuar gabimet që mund të jenë bërë gjatë negociatave të një delegacioni mizerabël, injorant dhe aspak kompetent të qeverisë së Hashim Thaçit.

Problemi nuk janë fqinjtë tanë. Problemi nuk është BE-ja, e cila thekson vetëm që ne duhet ta zgjidhim çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Si e zgjidhim këtë çështje është në radhë të parë puna jonë. Këtu bëhet fjalë për tokën e Kosovës dhe jo për Hashim Thaçin, Kadri Veselin apo Isa Mustafën. As për Ramushin, Albinin apo Jakupin. Këtu bëhet fjalë për të drejtën dhe detyrimin tonë, atë të qytetarëve të Kosovës, të mos qendrojnë pasiv, ndërkohë që një klikë injorantësh shet pjesë të vendit, të vendit tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat