Breshkë 400 kilogramëshe në Patok

Ndryshe

Breshkë 400 kilogramëshe në Patok

Më: 9 gusht 2016 Në ora: 18:54
Breshka

Një breshkë rreth 400 kg është kapur nga peshkatarët në Lagunën e Patokut. Kjo është hera e parë që në rrjetat e peshkatarëve bie një breshkë me të tillë peshë. Biologët dhe studiuesit e fushës shprehen se, një breshkë pak më e vogël është kapur rreth viteve ’60 në këtë zonë, por kurrsesi 400 kg.

“Kam 50 vite që bëj kërkime dhe një gjallesë të tillë unë e kam parë të ballcamosur në muzeumin e shkencave natyrore, që është kapur në vitin 1963 për herë të parë. Kjo është breshka më e madhe, reptili më i madh i ditëve tona, që shkon deri në 1200 kg”, thotë profesor Idriz Haxhia.

Për biologen Vilma Piroli, e cila ka 6 vite që merret me studimin e breshkave ujore, prania e saj në Patok flet për rëndësinë dhe pasurinë e kësaj zone.

“Po fillojmë të kuptojmë se, ndoshta ekuilibrat kanë filluar të japin treguesit e parë se, ndryshimi i tyre po sjell edhe ndryshimin dhe shfaqjen e këtyre gjallesave, që janë një rast i rallë për vendin tonë. Kjo është një breshkë, që zakonisht gjendet në mjedise oqeanike, që viziton kryesisht brigjet e Mesdheut pranë oqeanit Atlantik. Duhet të shohim në vitet vijim nëse ky do të jetë një trend i ri, apo thjesht një rast i kufizuar”, u shpreh Vilma Piroli, biologe.

Pas matjeve dhe markimit, breshka është lënë sërish e lirë në ujë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat