Franca kërkon trofeun e tretë, Portugalia të parin

Futboll

Franca kërkon trofeun e tretë, Portugalia të parin

Nga: Kemajl Goca Më: 8 korrik 2016 Në ora: 19:23
Pogba, Griezmann, Ronaldoe Sanches

Finalja e Kampionatit Evropian në mes Portugalisë dhe Francës, parashikohet të jetë e fortë, atraktive dhe e paparashikueshme, kur merret parasysh se qoftë të njëra palë qoftë të skuadra tjetër paraqiten yjet e futbollit. Cristiano Ronaldo me Portugalinë do të synojnë trofeun e parë evropian në histori të tyre, ndërsa Franca që ka Antoine Griezmann, Paul Pogban, Oliveir Giroudin etj. besojnë se trofeu do të mbetet në Francë. Francezët kanë përparësinë e terrenit, por kjo nuk çon edhe aq peshë në ngjarjet e mëdha siç është edicioni i 15-të i Euro 2016. Të dyja kombëtaret janë të përgatitura e të mobilizuar deri në pikën e fundit, me përjashtim që mbrojtësi portugez Pepe është në dyshim se do të paraqitet apo jo në finalen që do të luhet të dielën (në orën 21.00) në stadiumin “Stade de France” në Saint-Denis-Paris. Franca kërkon trofeun e tretë në histori të Kampionateve Evropiane. “Gjelat” ka plotë 16 vjet që nuk e kanë fituar këtë trofe, që nga koha kur triumfuan në Roterdam të Holandës. Francezët titullin e parë e fituan me 27 qershor të vitit 1984, kur në finalen e kishin mposhtur me rezultat 2:0 Spanjën. Atëkohë golat i shënuan Michel Platini në minutën e 57-të dhe Bruno Bellone (90’). Kjo finale ishte zhvilluar në stadiumin “Parc des Princes” në Paris. Franca, titullin e dytët e fitoi në vitin 2000. Ata në stadiumin “Feijenoord” në Rotterdam, pas 120 minutave e mposhtën me rezultat 2:1 Italinë.  Golat për Francën i kishin shënuar: Wiltord (90’) e Trezeguet (103’) dhe për Italinë: Delvecchio (55’). Në vitin 2004, Portugalia për herë të parë ka qenë në finalen e madhe (me 4 korrik), por nuk kishin fat, ngase qe mundur në Lisbonë me rezultat 1:0 nga Greqia. Autor i golit kishte qenë Charisteas në minutën e 57-të.  Portugalia dhe Franca deri më tash kanë treguar lojëra të mira sidomos shkëlqyen në gjysmëfinale. Franca ka pasur një rrugë jo edhe të lehtë deri në finale, sepse ishin në grupin A dhe mjaft të fortë. Ata në grupin A arritën dy fitore (2:1 ndaj Rumanisë, 2:0 kundër Shqipërisë) e një barazim (0:0 me Zvicrën), duke e zënë vendin e parë me 7 pikë. Francezët në të tetën e finales e mposhtën me shumë vështirësi 2:1 Republikën e Irlandës, ndërsa shkëlqyen në çerekfinale kur deklasuan me rezultat 5:2 Islandën dhe në gjysmëfinale e mposhtën me 2:0 Gjermaninë. Portugalia ka pasur një ecuri shumë interesante, sepse në pesë takimet e para po aq herë barazoi. Ata ishin në grupin F dhe barazuan 1:1 me Islandën, pastaj 0:0 me Austrinë dhe 3:3 me Hungarinë, kësisoj zunë vendin e tretë me tri pikë dhe nëpër vrimë të gjilpërës u kualifikuan në të tetën e finales.  Portugalia hoqi qafesh Kroacinë, duke e mundur pas 120 minutave me rezultat 1:0, ndërsa në çerekfinale barazoi 1:1 me Poloninë dhe me penallti qe më e mirë, duke triumfuar me 5:3. Në gjysmëfinale ishte një Portugali me e mirë dhe ngadhënjeu me 2:0 kundër Uellsit. Sulmuesi i Francës, Antoine Griezmann, shprehet se duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë për finalen ndaj Portugalisë. “Jemi shumë të lumtur. Mund të nisim të ëndërrojmë për 10 korrikun. Duhet të mbajmë këmbët në tokë, ka edhe një ndeshje të mbetur. Duhet të nisim të bëhemi gati për finale. Jemi të lumtur”, ka thënë Griezmann.  Përzgjedhësi i kombëtares së Portugalisë, Fernando Santos, është optimist se do të dhurojnë një lojë të mirë në finale, duke shpresuar se do të fitojnë kampionatin. Ai është i kënaqur që janë në finalen e madhe dhe beson se do të ia dalin ndaj Francës shumë të fortë. Ndërkaq, shtëpia më e madhe e futbollit, UEFA ka bërë të ditur se Mark Clattenburg do të gjykoj finalen e madhe të Euro 2016, në mes Francës dhe Portugalisë. Anglezi Clattenburg gjithashtu u ngarkua me gjykimin e finales së FA Cup në mes Manchester United dhe Crystal Palace këtë sezon.  Nga ana tjetër, bastet favorizojnë Francën, e cila për fitore ka koeficientin 2.00 eventualisht 2.05, ndërsa për barazim 3.10 dhe për fitoren e Portugalisë 4.20 eventualisht 4.50.

Shënuesit më të mirë në Euro 2016

 

Antoine Griezmann (Franca) 6

Gareth Bale (Uellsi)  3

OLivier Giroud (Franca)  3     2

Alvaro Morata (Spanja)  3

Luis Nani (Portugalia)     3

Dimitri Payet (Franca)    3

Cristiano Ronaldo (Portugalia)    3

 

Kampionët e Evropës

1960 BRSS

1964 Spanja

1968 Italia

1972 Gjermania Perëndimore

1976 Çekosllovakia

1980 Gjermania Perëndimore

1984 Franca

1988 Holanda

1992 Danimarka

1996 Gjermania

2000 Franca

2004 Greqia

2008 Spanja

2012 Spanja

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat