I akuzuari Enver Hasani, akuza në drejtim të Lumezit, Ibrahimit, Dakës

Aktuale

I akuzuari Enver Hasani, akuza në drejtim të Lumezit, Ibrahimit, Dakës

Më: 2 korrik 2016 Në ora: 15:44
Enver Hasani

Enver Hasani, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte Rektor i UP’së dhe Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ka lëshuar akuza në drejtim të Aleksader Lumezit.

Ka thënë për te se të gjitha akuzat që thuhen për te qëndrojnë përpos asaj që ka të bëjë me tentim vrasje. Ka thënë se nuk mund të akuzohet për këtë vepër penale pasi është frikacak.

Ka akuzuar Kryeprokurorin se është duke iu hakmarrë për çështje private.

“Kjo e fundit, pak a shumë, u bë publike nga një prokuror ndërkombëtar ditën kur A. Lumezi mori detyrën, ani se as sot e kësaj dite nuk besoj se A. Lumezi mund të ketë gisht në ndonjë tentim vrasje, për arsye krejt të thjeshtë se është frikacak i madh. Për akuzat e tjera që rrinë pezull mbi të, besoj pa fije dyshimi. Kjo këtu, në fakt, nuk ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka që ky njeri, pikërisht me të marrë vesh këtë, filloi akuzat për hakmarrje ndaj meje, ditën e njëjtë, mu në mes të prillit 2015. E kishte shkruar bardh e zi arsyen: rrëzimi nga posti i kryeprokurorit të shtetit vite më parë”, ka shkruar Hasani.

Reagimi i Enver Hasanit

Përgjigje për seancën që u shty dje: gjurmëve të një “hochstapler”-i

Unë nuk kam asnjë fije besimi në këtë sistem drejtësie që orkestrohet nga A. Lumezi dhe shefat e tij politik. Jo vetëm unë! Pakkush në këtë vend, por edhe më gjërë, mendon ndryshe nga unë për sistemin që udhëhiqet nga A. Lumezi dhe segmentet e caktuara të gjyqësorit kosovar që e kanë nën kontroll absolut. Shtyrja e seancës dje, datë 1 korrik 2016, dëshmon katërcipërisht këtë që unë them këtu si më poshtë. Meqë kanë ndryshuar rrethanat, dhe ka një ligj të ri për EULEX-in, pak më i favorshëm për njerëz si puna ime, u morëm vesh me avokatin tim të nderuar zt. Bajram Tmava që të kërkojmë nga EULEX-i që urgjentisht ta marrë lëndën time për shqyrtim dhe vendosje. E kam kërkuar që në prillin e vitit 2015 kur filluan goditjet hakmarrëse dhe primitive ndaje meje. Ja arsyet pse kjo është kështu:

Kur vdiq avokati i nderuar, z. Bajram Maraj, i lehtë qoftë dheu mbi të, unë isha jashtë Kosovës. Më ngeli peng që nuk arrita të jem në varrimin e tij, për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Një mikut tim i thashë të lutej për mua, që një grusht dhe të Kosovës t’ia hidhte mbi varr në emrin tim. Miku im e bëri! Ma lehtësoi barrën morale që ndjeja. Kur u takuam, e pyeta si kishte kaluar dhe si po e përballonte familja e avokatit të ndjerë, Bajram Maraj, humbjen e tij. Më tregoi çdo detaj, edhe për mesazhet që kishte marrë nga A. Lumezi në praninë e disave. I kishte thënë se “ata që kanë pasur punë me mua, janë ndarë keq!”. “Mbeta pa fjalë!”, më tha ky miku. “Nuk mund t’i besoja veshëve të mi!”. Në fund, më tha: “Enver, ke pasur shumë të drejtë kur më ke thënë se A. Lumezi është një ‘hochstapler’!”. “Jo vetëm kaq”, ia ktheva unë duke qeshur, “por është edhe i papjekur, një ‘pishpirik’!”, siç thuhet andej nga Mitrovica. Në atë kohë ia pata shpjeguar këtij mikut tim arsyet për këtë sjellje prej “hochtapler”-i të A. Lumezit, arsyet e hakmarrjes së tij primitive që kishte filluar kur Gjykata Kushtetuese kishte dhënë dritën e gjelbër për të për t’u zgjedhur aty ku është sot, në mesin e prillit 2015, kur edhe filluan akuzat ndaj meje.

Jo më shumë se një javë para vendosjes për t’i dhënë leje që të emërohej A. Lumezi në postin aktual, e kisha takuar fare rastësisht në hyrje të restorantit “Pishat”. Tentoi të më shmangte dhe, kur ia bëra me dorë, zu të ndalej. U ndal. I tregova se Gjykata e ka thuajse në fund trajtimin e lëndës që ndërlidhet me procesin për kryeprokuror të Shtetit dhe se shpejt do të dal vendimi, në mes të prillit. Nuk e kuptoj, shtova më tej unë , nevojën që keni dërguar intervenime lidhur me procesin e vendimmarrjes sepse Gjykata vendos në bazë të Kushtetutës dhe ligjit dhe jo të interesave individuale të personave subjekt të procedurave. Po ashtu, i tregova se fjalët e kuluareve, të ndërkombëtarëve, thoshin se ai kishte probleme serioze me ligjin, por që, në fakt, nuk mund t’i thosha asgjë më shumë se kaq. Kjo e fundit, pak a shumë, u bë publike nga një prokuror ndërkombëtar ditën kur A. Lumezi mori detyrën, ani se as sot e kësaj dite nuk besoj se A. Lumezi mund të ketë gisht në ndonjë tentim vrasje, për arsye krejt të thjeshtë se është frikacak i madh. Për akuzat e tjera që rrinë pezull mbi të, besoj pa fije dyshimi. Kjo këtu, në fakt, nuk ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka që ky njeri, pikërisht me të marrë vesh këtë, filloi akuzat për hakmarrje ndaj meje, ditën e njëjtë, mu në mes të prillit 2015. E kishte shkruar bardh e zi arsyen: rrëzimi nga posti i kryeprokurorit të shtetit vite më parë.

Për të qenë paradoksi më i madh dhe më interesant, në akuzat e dyta ndaj meje për rrëzimin e tij, kishte thirrur si dëshmitar kryesor pikërisht gjyqtarin ndërkombëtar, Robert Carolan, po atë që kishte qenë raportues në rastin kundër tij dhe që, vite me pas, në hotelin “Sirius”, në një tubim të përbashkët me kolegët e Gjykatës Supreme, e kishte arsyetuar vendimin për rrëzimin e A. Lumezit me një entuziazëm të pashoq. Po e them këtë, këtu, jo se ka ndonjë rëndësi, por për t’u treguar atyre që nëpër pompa të benzinës e nëpër qendra tregtare kishin sajuar mitin për gjoja mashtrimin e këtij gjyqtari ndërkombëtar nga ana ime dhe nga një këshilltar ligjor për rrëzimin e A. Lumezit. Nuk besoj se njeriu i mashtruar mund të gjejë arsyetim në publik për ta sqaruar vendimmarrjen e kryer nën “mashtrim”!

U kishin thënë mentorëve të tyre politikë, kur kishin marrë lejen për të më akuzuar , se “kemi ndërmend ta mbajmë nëpër gjyqe Enver Hasanin, për ta frikësuar që asnjëherë më të mos flasë për asgjë” (sic!). Kjo i bie, shkurt, të ma mbyllnin gojën. Sajuan rastin e parë, si ish-Rektor, të cilin edhe më herët, kur ishte rrëzuar B. Pacolli nga posti i Presidentit, ma kishin futë ndër hundë zyrtarë të pushtetit, por që as atëherë e as sot e kësaj dite kjo nuk më ka bërë asnjë përshtypje dhe asnjëherë nuk e kam marrë seriozisht një akuzë të tillë. Më vonë, kur m’u bë oferta për kryeprokuror që e refuzova për arsye rroge, kjo akuzë u bë edhe më e ashpër, pikërisht nga i njëjti person që tani edhe formalisht më akuzon: në fakt, ka qenë frika deri në palcë e A. Lumezit dhe shefave të tij politikë dhe të tjerë që kanë ashpërsuar veprimin akuzues ndaj meje që në momentin kur kanë parë potencialisht se unë mund të shkoja në atë pozitë, të cilën asnjëherë nuk e kam lakmuar seriozisht. Hajt e heqja frikën atyre, thotë populli!

Kur “Gazeta Express” kishte shkruar shkrimin pompoz, që sot është akuzë formale ndaj meje, unë e padita këtë gazetë në Gjykatën Themelore dhe krejt me siguri mund të them se do ta fitoj rastin kundër tyre, kurdo që ai vjen në rend të ditës, ani se fitorja ime morale ka ardhur pak kohë pas padisë sime kundër tyre, sepse që atëherë e deri më tani gazeta ka hequr komentet për lexuesit e frustruar që në mënyrë anonime shajnë e denigrojnë të tjerët pa fije përgjegjësie. Nejse, edhe kjo nuk ka rëndësi këtu.

Rastin e dytë, akuzën me Arta Ramën, e lanë të flejë pak. A. Lumezi i dha urdhër vartësit të tij kryesor në sistemin gjyqësor të shkallës së parë, Hamdi Ibrahimit, që ta fuste rastin në sirtar për një kohë dhe, në urdhrin e dytë, ta niste aty ku nuk duhej – në Kuvend të Kosovës, për ta bërë një shou medial. Duhej të pritej, siç më kanë thënë, derisa të më dilte mandati, në qershor të vitit 2015, gjë që d.m.th. se, krejt me siguri, po të kisha pasur mandatin nëntëvjeçar, asnjë akuzë nuk do të kishin guxuar të nisnin ndaj meje. Ndërkohë, Hamdiu me të tjerët, dilnin në medie, siç e mban mend publiku, duke orkestruar një histeri kolektive te një pjesë e deputetëve, të cilit kishin mërinë me mua jo për imunitet, por për çështjen e ashtuquajtur VLAN, i cili që nga prishja e tij e parë u prish e u riprish edhe dy a tri herë të tjera. Për fat, këtyre herëve të tjera, nuk më morën në gojë aq shumë, mbase për shkak se kishin hallet e njëjta me gjyqësorin e me prokurorët e njëjtë që m’i kishte lëshuar në qafë A. Lumezi me porosinë e mentorëve të tij politikë. Asnjëherë, kurrë dhe kurrë, asnjë gjykatë nuk tha se unë, apo gjyqtari Robert Carolan, kishim imunitet. Asnjëherë, as unë e as Arta Rama, nuk thamë se vetëm ne kemi imunitet. Ajo çfarë thamë dhe çfarë është e vërteta ka të bëjë me faktin se ekzistojnë dy lloje të imunitetit: një relativ dhe quhet funksional, kurse tjetri diplomatik dhe është absolut. Ky i dyti nuk mund të jetë objekt i asnjë juridiksioni në këtë rruzull tokësor, pa u hequr nga organi kompetent që e ka veshur me të, në rastin konkret nga EULEX-i. Thënë shkurt: nuk jam unë që jam fshehur pas imunitetit diplomatik, duke folur gjepura dhe përralla, gënjeshtra dhe gjëra që nuk kanë asnjë logjikë. Ata që kanë dhënë deklaratë me imunitet diplomatik në Prokurori, janë fshehur pas tij, duke e ditur krejt qartë se asnjë pasojë nuk mund të kenë për fjalën e thënë, për shkak se edhe vrasja e rëndë nga një njeri me imunitet diplomatik përjashton të njëjtin nga juridiksioni nacional. Këto gjëra ua mësoj unë studentëve të mi, këto i mësojnë studentët e drejtësisë në çdo vend në dy anët e Atlantikut. Bile-bile, studentëve u them, siç më kanë thënë edhe mua dekada më parë kur kam qenë student që, nëse bëheni gjyqtarë ose prokurorë ndonjëherë, mos gaboni as ftesë t’u dërgoni në mënyrë të drejtpërdrejtë personave me imunitet diplomatik, por vetëm nëpërmjet Ministrisë së Jashtme të Kosovës. Këtë, si e them unë, ua ka thënë EULEX-i nja disa vjet më parë, kur një gjyqtar i Kosovës kishte dërguar ftesë në EULEX pa ndërmjetësimin e organit kompetent për Punë të Jashtme në Kosovë.

Kjo, jo vetëm që u shkel, por edhe u mor në pyetje dëshmitari i tillë, gjyqtari ndërkombëtar Robert Carolan, ndërkohë që ekzistonte një vendim i Gjykatës Themelore që thoshte se personat me imunitet diplomatik nuk mund të shërbejnë si dëshmitarë po iu hequr atyre imuniteti në fjalë, por vetëm më kërkesën e Prokurorit të Shtetit dhe jo të kryetarit të Gjykatës Themelore. Ky i fundit, Hamdi Ibrahimi, siç më kanë thënë njerëzit që kanë qenë të pranishëm aty afër, kur ka parë vendimin e institucionit ku punon, ka thirrur personalisht në Prokurorinë Speciale dhe iu ka sugjeruar që sa më shpejt të ngrenë aktakuzën e dytë kundër meje, duke e marrë në pyetje dëshmitarin me imunitet absolut diplomatik. Kjo edhe ndodhi në fund të vitit 2015. Hamdiu kishte realizuar me besnikëri premtimin dhënë A. Lumezit se do ta zvarriste rastin kundër meje deri në maksimum.

Kundër vendimit të Gjykatës Themelore, që thoshte se gjyqtari ndërkombëtar nuk do të guxonte të merrej në pyetje në asnjë rrethanë derisa të mos i hiqej imuniteti diplomatik, ankesën e ushtroi Prokuroria Speciale. I kam thënë avokatit tim, kur kam parë se e njëjta prokurore, Drita Hajdari, e cila aq zellshëm dhe me një urrejtje patologjike ndaj meje, së bashku me familjarët e saj, kishte ushtruar ankesë kundër meje, se duhet të jetë i lumtur ai kriminel ordiner që bie në duart e saj sepse vërtet qenka një figurë emblematike e padijes prej juristi. “Lum kriminelët që bien në duart e saj!”, ia ripërsërita, e avokati im qeshi me gaz!

Në shkallë të dytë, ndërmjetësi i A. Lumezit, apo sekseri i tij me botën e krimit dhe të nëntokës së Kosovës, Haxhi Dërguti, u përkujdes për t’i terrorizuar gjyqtarët e Apelit që të vendosnin lëndën kundër meje, me ton pikërisht homonim: pra kundër meje. E kishin futur në Kolegjin e Apelit kujdestaren e dikurshme të klasës sime në shkolle të mesme në Mitrovicë, e cila është gjyqtare për të mitur, për shkak se, me sa duket, pakkush ose askush nuk kishte dashur të merrte pjesë në një lojë të ulët që po orkestrohej nga A. Lumezi me kamarillën e tij të instaluar nëpërmjet shefave të vet politikë në sistemin gjyqësor të Kosovës.

Apeli doli të mos ishte asgjë, krahasuar me Gjykatën Supreme, instancën e fundit për interpretim të ligjit në Kosovë. Rastin tim aty e vendosi një kolegj prej tre vetash ndër të cilët ishte, kush tjetër, pos njeriut megalojal ndaj A. Lumezit – gjyqtares Valdete Daka. Ky lojalitet fare nuk ka rëndësi këtu, sepse fundja është çështje krejt e tyre. Rëndësi ka që kjo gjyqtare, në vitin 2012, kishte shkelur Kushtetutën e Republikës në rastin e njohur si “rasti Bajrush Gashi”, duke marrë pjesë në të gjitha instancat kundër këtij të shkreti, njësoj siç kishte bërë tani në rastin kundër meje. Imagjinoni tani: asnjë njeri, asnjë shoqëri apo jurist nuk e ka ngritur as nuk e ka përfolur këtë çështje. D.m.th., në tri shkallët kundër meje, me një kontroll të pabesueshëm, u arrit urdhri i dhënë në fillim: “Enverin duhet ta mbani sa më gjatë nëpër gjykata!”.

Çështja u rikthye në pikën zero. Është fat i madh që tash kam mjaft kohë dhe kryesisht po merrem me ligjërata, aty kë tu edhe me ndonjë shkrim akademik. Kjo më jep stimuls më të madh për t’ua shpjeguar studentëve atë se çfarë nuk duhet të jenë kur të bëhen profesionistë të këtij profesioni.

Tri nivelet e trupave gjykuese kundër meje, të kontrolluara nga A. Lumezi, thanë se tani duhet të ngre çështjen e imunitetit në “Gjykatën e Hamdi Ibrahimit”. Unë e përsëris, asnjëherë nuk ka qenë problem dhe nuk është problem çështja e imunitetit funksional, por e atij diplomatik. Unë kam kërkuar çdo herë që të sigurohet barazia e armëve dhe t’i hiqet imuniteti diplomatik gjyqtarit ndërkombëtar, Robert Carolan, gjithnjë sipas kërkesës së Prokurorit të Shtetit. Se imuniteti diplomatik mund të hiqet vetëm me kërkesën e Prokurorit të Shtetit, jo me kërkesën e Hamdi Ibrahimit, e ka thënë EULEX-i në një shkresë të cilën në vjeshtë të vitit 2015 e ka dërguar te avokati im. Kjo shkresë e EULEX-it gjendet në lëndën e dytë kundër meje që nga vjeshta e vitit të kaluar. Për hir të publikut, po e theksoj këtu se, menjëherë, dy ditë pasi filluan hetimet ndaj dy rasteve në mes të prillit 2015, vet kam kërkuar me shkrim nga EULEX-i që të merrej me rastet, por që për arsye ligjore nuk ka pasur mundësi të bëhej një gjë të tillë : ka ndryshuar mandati i EULEX-it më patën thanë, ashtu që tani më nuk ka mundësi që të merren lëndët nga vendorët përveç rasteve të jashtëzakonshme dhe atë me pëlqimin e vetë vendorëve, të cilët , në rastin tim , ishin A. Lumezi me shefat e tij politik!

Krejt kjo histori e hakmarrjes, e orkestruar nga A. Lumezi, si forcë motorike individuale ka pasur veç mllefit për rrëzimin e tij nga Gjykata Kushtetuese, edhe frikën krejt reale të tij dhe të shefave të tij politikë, se unë mund të bëhesha Kryeprokuror i Shtetit, post që, siç e thashë, asnjëherë nuk më ka bërë përshtypje. Për hir të së vërtetës, ka qenë paga ajo që më ka dekurajuar, sepse kisha një kredi rreth sa gjysma e rrogës së shefit të akuzës kosovare, post që më ofrohej atë kohë. Edhe faktorët e tjerë kanë pasur ndikim, nuk do mend: një mikut tim, në atë kohë, i pata thënë se do ta kisha të vështirë çfarëdo reforme në Prokurori të Shtetit, nisur nga niveli i atyre që po e shihja, përfshirë dhe A. Lumezin me të cilin atëherë kisha njëfarë muhabeti. “Me këta”, i pata thënë atij mikut tim, “i vetmi premtim mund të jetë lufta kot kundër krimit të një rëndësie minore, si vjedhja e pyjeve në Leposaviq!”. Mbase e kam gabim, sepse po ma thonë që A. Lumezi po përgatitet për të goditur krimin e “jakës së bardhë”. Mbase, edhe mund ta bëjë këtë!? Me sa duket, A. Lumezi po pret deri sa Gjykata Speciale t’i marrë bosët kryesorë, ashtu që ai më pastaj të merret me latifundistët e Kosovës, me anëtarët e familjeve të bosëve kryesorë të krimit në Kosovë, për t’u treguar si një Eliot Nes në sytë e publikut. Kjo, ka pak gjasa të ndodhë, sepse A. Lumezi pikërisht ka ardhur aty për t’i mbrojtur nga goditja e prokurorëve vendorë pronat dhe pasurinë e anëtarëve të familjeve të bosëve të krimit kosovar në një kohë kur Gjykata Speciale ta ketë filluar goditjen e tyre në Kosovë. Kjo rrethanë shpjegon edhe akuzat që bëhen qe një vit vetëm ndaj ministrave dhe VIP-ave të cilët nuk i takojnë mentorëve të cilët e sollën A. Lumezin në pozitën ku është sot. Ky është një problem strukturor, një defekt që zgjidhjen mund ta dijë vetëm Luciferi, ndërkohë që çdo “mëkat” imi me të ashtuquajturin VLAN nuk është veçse kalimtar dhe i papërfillshëm, por që sigurisht do të sanohet në zgjedhjet e para të përgjithshme kosovare, kurdo që mbahen ato.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat