Mbrëmje spektakulare e kinematografisë franceze në Shkup

Filma

Mbrëmje spektakulare e kinematografisë franceze në Shkup

Më: 16 qershor 2016 Në ora: 17:15
Festivali i Filmit Francez

Mbrëmë në kinemanë “Milennium” të Shkupit me fillim prej orës 20:30 në mënyrë solemne u hap Festivali i nëntë më radhë i filmit francez.  Filmi që e hapi këtë festival ishte “Rruga drejt Stambollit” me regji të Rashid Bushareb.

Rreth organizimit të Festivalit foli drejtoresha, Z. Odre Bijare e cila tha se qëllimi i festivalit është të zgjojë interesimin e popullatës për kulturën franceze nëpërmjet kinematografisë, të përforcojnë bashkëpunimin kulturor ndërshtetëror  si dhe të bëhet motivimi i rinisë.

“Janë nëntë vite me radhë që organizojmë këtë festival, dhe falë përvojës që tash më kemi fituar në këtë drejtim, nuk ka qenë e vështirë te realizojmë një ngjarje si kjo. Për te pasur një sukses si ky, natyrisht se duhet shumë punë, shumë angazhime por me vullnet të mire dhe me punë paralelisht ia dolëm. Është kënaqësi e madhe të shohësh gjithë këta njerëz, që kanë ardhur këtu për të pare punën tonë.” tha Bijare.

Sipas saj, filmi “Rruga drejt Stambollit” ka një tematikë që i prek të gjithë në botë.

“Bëhet fjalë për një nënë e cila merr rrugën drejt Stambollit për të gjetur vajzën e saj 18 vjeçare që ju bashkëngjitet një grupi të xhihadistëve për të shkuar në  Siri.” tha Bijare.

Në mungesë të regjisorit të filmit, foli aktorja e cila dhe luan rolin kryesorë në film, Abel Zhafri.

“Ideja ishte e regjisorit të prek një temë aktuale e cila na preokupon të gjithëve. Qëllimi  ishte të rrëfehet një realitet i hidhur njerëzor, nga e gjithë kjo që ndodhë përreth nesh përfundimisht viktima më e madhe mbesin të jenë familjaret, prindërit që humbin fëmijët e tyre. Një element tjetër  cili vjen shumë i potencuar gjatë rrëfimit në film, është roli i prindit gjatë edukimit dhe rritjes se fëmijës.” tha Zhafri.

Mbrëmja e parë u përmbyll me një koktej nga organizatorët. Festivali do të zgjatë deri më 18 qershor ai mbahet në Shkup dhe Ohër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat