Meta ftesë Lulzim Bashës për takim deri të hënën

Shqipëria

Meta ftesë Lulzim Bashës për takim deri të hënën

Më: 10 qershor 2016 Në ora: 15:39
Basha-Meta

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi pak momente më parë se i kishte dërguar zyrtarisht një ftesë kryetarit të Partisë Demokratike për takim në kuadër të reformës në drejtësi. Meta vuri si afat të fundit ditën e hënë, duke theksuar se tashmë ishte shumë për miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Meta: Si kryetar i Kuvendit, i kam dërguar sot një ftesë dhe kërkesë zyrtare kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, për t’u takuar me të në çdo kohë, në çdo vend që ai e gjykon të arsyeshme dhe në çfarë do lloj formati që ai e gjykon të arsyeshme, mundësisht deri ditën e hënë, pasi jam i bindur se jemi tashmë të vonuar në kalendarin për ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi, e cila nuk është përfshirë deri më tani për arsye të mos arritjes së kompromisit përfundimtar në komisionin e posaçëm të kësaj reforme.

Por, ndër jemi në krizë me kohën dhe duhet të reflektojmë dhe të lëvizim sa më shpejt në mënyrë që ky proces të zhvillohet me cilësinë e duhur, sipas standardeve të Komisionit të Venecias, por edhe sipas sugjerimeve të EURALIUS dhe OPDAT-t dhe jo vetëm kaq, por përveç cilësisë së kërkuar, ky proces të gëzojë dhe të gjithë legjitimitetin dhe integritetin e plotë që meriton si kryereforma që i nevojitet vendit.

Jemi në krizë kohe sepse duhet të ishte përfshirë me kohë në kalendarin e Kuvendit, por unë besoj që me vullnetin e të gjitha palëve dhe me vullnetin e opozitës, shpresoj shumë, që ta miratojmë sa më parë dhe ta fitojmë kohën që kemi humbur.  Unë jam i hapur për cdo format të takimit. Jam shumë fleksibël e bashkëpunues.

"Përfshirja e reformës në kalendarin trejavor të Kuvendit, ishte keqkuptim”

Meta deklaroi gjithashtu se ishte një gabim futja në agjendën trejavore të punimeve të Kuvendit miratimin e kësaj reforme.

Meta: Mund t’ju them se kjo çështje është sqaruar edhe me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, zt.Paloka. Ka qenë një keqkuptim i shërbimeve të Kuvendit dhe kjo çështje nuk është në kalendarin e Kuvendit, ndërkohë që është çështja më e rëndësishme për të gjithë.

Takimi Rama-Basha pozitiv, por i vonuar

Kreu i Kuvendit komentoi edhe takimin Rama-Basha, duke theksuar se ishte takim i vonuar dhe se reforma në drejtësi mund të ishte miratuar që në muajin prill.

Meta: Besoj se qëllimi i ftesës është shumë i qartë. Vullneti është maksimal. Takimi i zhvilluar midis zt.Basha dhe zt. Rama është një hap shumë pozitiv. Mendoj se ka qenë një takim shumë i vonuar, që duhet të ndodhte prej kohësh.

Edhe reforma në drejtësi mund të kishte kaluar më parë, të paktën në muajin prill. Jo çdo gjë zgjidhet me një takim, por jam i bindur se nëse ekziston vullneti i plotë dhe i vërtetë dhe nuk kam pse ta dyshoj këtë si kryetar i Kuvendit, gjithçka mund të zgjidhet shumë shpejt duke garantuar cilësinë e reformën.

I pyetur për qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim që reforma të bëhej me konsensus, Meta tha se nuk dëshironte të komentonte për këtë, pasi sot kishte dalë në konferencë ekskluzivisht si kryetar i Kuvendit.

Meta theksoi se miratimi i kësaj reforme është shumë i rëndësishëm për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Meta: Miratimi i kësaj reforme në Kuvendin e Shqipërisë me cilësinë e duhur dhe me legjitimitetin dhe integritetin e duhur, është shumë e rëndësishme për të rritur besueshmërinë në mënyrë që të forcojmë argumentet për të marrë rekomandimin për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Është shumë e rëndësishme që reforma të miratohet sa më parë edhe për të bërë sa më shpejt efektive asistencën, në mënyrë të veçantë të Shteteve të Bashkuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat