Sot nis historia!...

Opinione

Sot nis historia!...

Nga: Dibran Demaku Më: 10 qershor 2016 Në ora: 13:55
Ilustrim

Sot nis historia! Historia e futbollit shqiptar! Djelmoshat e kombëtares (më mirë se askush tjetër) na e ngritën emrin si komb në rang europian e pse jo edhe botëror!Sot në dhjetë qershorin e këtij moti,në nisjen e rrotullimit të topit futbollistik do të jetë edhe flamuri ynë kombëtar,do të këndohet edhe hymni ynë kombëtar!

Ky dhjetë qershor do të mbahet në mend të qindra e mijëra sportistë shqiptarë si dhe simpatizantë të tyre,qofshin ata në trojet etnike shqiptare,apo edhe në diasporë,në të katër horizontet e planetit!Ata,pra sportistët dhe simpatizantët shqiptarë,kudo ku ndodhen sot do ta ndiejnë vetën më krenarë dhe më të lumtur se kurrë!

Ky dhjetë qershor i këtij moti,në historinë e sportit shqiptar dhe jo vetëm ,do të shënohet me shkronja të arta,sepse ja tashmë edhe ne si komb ndodhemi aty ku kemi ëndërruar,shpresuar dhe besuar gjatë që të jemi!...

Nuk dihet,nëse e tëra kjo është rastësi,por siç thuhet se: Rasti është mbret i botës,por ajo që tashmë dihet,dhjetë qershori sikur është i destinuar që në historinë e kombit shqiptar të jetë datë e veçantë edhe për faktin se kjo datë ka shënuar ngjarje me rëndësi jetike për të:Le ta kujtojmë për pak çaste dhjetë qershorin e vitit 1878 kur në Prizren u formua Lidhja shqiptare e Prizrenit,mbase ngjarja më e rëndësishme në krejt historinë e kombit shqiptar dhe pothuajse një shekull më vonë, dhjetë qershorin e vitit 1999 kur Kosova do të fitonte lirinë!Dhjetë qershori i këtij moti 2016,në historinë e sportit shqiptar dhe jo vetëm do ta shënojë atë trinomin e vetë si datë në historinë e këtij kombi!...

Andaj,sot,në këtë dhjetë qershor,të këtij moti 2016,të gjitha mendjet dhe zemrat si dhe sytë e të gjithë shqiptarëve janë të kthyera nga Franca,aty ku nis kampionati europian i futbollit, aty ku djelmoshat e kombëtares sonë bëjnë historinë e sportit shqiptar dhe jo vetëm!Ne nuk na mbetët tjetër vetëm t`i urojmë djelmoshat e kombëtares sonë,që vetë fati apo historia i zgjodhi,që me ta të nis historia e futbollit shqiptar,në rang europian!...Suksese dhe shumë fat djelmosha të kombëtares sonë!...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat