Seanca parlamentare është ndërprerë sërish, pas kërkesës së grupit parlamentar të Partisë Demokratike për mbledhur Byronë. Opozita ka kërkuar një pushim të shkurtër, në mënyrë që të bëjnë një mbledhje. Ata do të vendosin që të kërkojnë përjashtimin e kryeministrit, Edi Rama nga seanca.
Debati Rama-Noka
Gjatë fjalës së kryeministrit në Kuvend, deputetët e Partisë Demokratike, Noka dhe Topalli kanë folur nga vendi duke ndërprerë fjalën e Ramës. Më pas deputetët e opozitës bllokuan foltoren, duke bërë që Valentina Leskaj të jepte 10 minuta pushim.
Rama: “Pajisja e famshme nuk është asgjë tjetër veçse një pajisje për trajnimin e forcave tona policore dhe që ka qenë nga sekonda e parë deri në sekondën e fundit në dorën e partnerëve. Nëse ju mendoni që Italia mike është përfshirë në një platformë të përbashkët përgjimi, për të dëgjuar çfarë i thotë Berisha-Lulit, apo qaheni se në dorë të kujt ka mbetur PD, po i jepni shumë rëndësi vetes. Është kaq evidente sa e doni ju njëri-tjetrin, sa respekt keni për Lulin, se do Jozefina-Lulin dhe sa të gatshëm do ishit për t’ia marrë shpirtin njëri-tjetrit. Por një tufë kaq e vogël sa keni mbetur nëse hani njëri-tjetrin do ngelemi pa parti demokratike pastaj.
Noka: Të ndërpritet seanca të largohet prej këtu dhe të mblidhet Byroja.
Leskaj: Ulu bëje kërkesën nuk mund ta ndërpresësh seancën. Nëse keni ardhur me plan për të prishur seancën kjo është çështja juaj. Qetësohu zoti Noka.
Noka: Merreni edukojeni dhe largoheni nga këtu. A e mblodhe Byronë radhën e kaluar përse s’po e mbledh tani. S’ka seancë, mblidhe Byronë.
Leskaj: E ke emrin të regjistruar merre fjalën dhe thuaji këto që po thua tani. Ky është institucion, nuk është pazar që të dalësh me forcë aty.
Rama: Mirë dakord unë po vazhdoj të flas.
Noka: Nuk do vazhdosh të flasësh, harroje.
Rama: Flamuri u mërzit për fjalën tufë dhe çfarë po bën tai po tregon se është vetëm pjesëtar tufe. Ulu atje.
Leskaj: Ndërpritet seanca, 10 minuta pushim.
Rama: Reforma në drejtësi do të miratohet, do apo nuk do PD-ja
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “reforma në drejtësi do të bëhet me apo pa bashkëpunimin e Partisë Demokratike”. Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme parlamentare, Rama tha se “drafti do të vazhdojë në rrugën e vet e “ne do t’i shtrijmë dorën opozitës dhe do t’i lemë hapur derën e negociatave”.
“Ne nuk na intereson fitorja politike, si dhe nuk gëzohemi për disfatën tuaj, se kush është kush për t’i dhënë të drejtën për reformën, pasi ajo është e të gjithëve. Duhet të gjithë së bashku të votojmë reformën për të çelur rrugën për në BE”, vijoi kreu i qeverisë.
Sipas Ramës, kjo do të ishte vetëm ana simbolike e një fitoreje të përbashkët, “pasi kryesorja është shembja e sistemit të kalbur të drejtësisë”.
“Me ju apo pa ju, ne do ta miratojmë reformën në drejtësi. Ne jemi gati që t’iu shtrijmë dorën për negociata, por reforma do të bëhet. Në pyetje është vetëm çmimi që do ketë, e ne jemi gati të paguajmë. Duhet të largojmë korrupsionin në drejtësi, ku merr vëmendje të publikut, pasi përfshihen instanca të larta. Sado që të jetë çmimi, ia vlen që të paguhet”, u shpreh kryeministri.
Ndërkohë, deklarata e Ramës ndërpritet disa herë nga Noka dhe Topalli që flasin nga vendi.