"EC Ma ndryshe”: në Prizren po shkatërrohen vlerat kulturore

Kosova

"EC Ma ndryshe”: në Prizren po shkatërrohen vlerat kulturore

Më: 6 maj 2016 Në ora: 13:56

Organizata Joqeveritare “Ec ma ndryshe” ka reaguar lidhur me rrënimin e objekteve të vjetra në Prizren, gjë që sipas tyre po ndikon në shkatërrimin e vlerave të trashëgimisë kulturore.

Në një komunikatë për media, ata kanë thënë se rasti i fundit i shkatërrimit të vlerave të trashëgimisë kulturore ka ndodhur dje në rrugën “Marin Barleti”.

“Objektet në rrugën “Marin Barleti”, që kryesisht janë rezidenciale, tashmë janë në shkatërrim e sipër. Të gjitha këto objekte kanë status të mbrojtjes ligjore dhe bëjnë pjesë në Kompleksin e Nënkalasë, Pantelisë dhe Potok Mahallës, pjesë e listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme”, thuhet në komunikatë.

Kjo organizatë i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë në qendrën historike, që sipas tyre, shkatërrimi po merr masa alarmante.

“Në buxhetin e MKRS-së për vitin 2016 figuron se për masat preventive, intervenime emergjente janë të ndara 200 mijë euro. Gjatë vitit të kaluar, kjo Ministri nuk ka investuar asnjë cent nga ky buxhet në Qendrën Historike të Prizrenit, edhe pse gjendja e shumë objekteve tashmë disa vite është tejet e rënduar”, thuhet më tej në komunikatë.

“Ec Ma Ndryshe” më tej bën thirrje për ndjekje penale të këtyre rasteve, pasi që sipas tyre, pavarësisht dhjetëra rasteve të raportuara, nuk ekziston asnjë vendim gjykate për dëmtimin e trashëgimisë.

“Përveç dëmit të madh ndaj trashëgimisë kulturore të vendit, rastet e fundit të shkatërrimit si dhe përsëritja eventuale e këtyre skenarëve do të ndikojnë edhe në forcim të argumenteve të kundërshtarëve të Kosovës për procesin e anëtarësimit në UNESCO”, thuhet në fund të komunikatës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat