Avramopoulos: Së shpejti fillon kampanja kundër abuzimit me lëvizjen pa viza (Foto)

Kosova

Avramopoulos: Së shpejti fillon kampanja kundër abuzimit me lëvizjen pa viza (Foto)

Më: 5 maj 2016 Në ora: 14:01

(E plotësuar) - Komisionari për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos tha se së shpejti do të fillojë kampanja për të mos e lejuar abuzimin me lëvizjen pa viza, që pritet së shpejti t’u garantohet qytetarëve kosovarë, pas rekomandimit nga Komisioni Evropian.

Ai tha se ky është një hap shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe se e sjell më afër Evropës.

Avramopoulos, po ashtu, tha se nuk duhet harruar që lëvizja e lirë shoqërohet me disa obligime.

“Nuk duhet të harrojmë që lëvizja e lirë shoqërohet me disa obligime. Do të fillojmë kampanjën për të mos lejuar abuzimin me lëvizjen pa viza”, deklaroi ai.

Komisionari, para gazetarëve përgëzoi kryeministrin dhe stafin e tij për punën e bërë gjatë muajve të fundit në mënyrë që Kosova të marrë rekomandimin për liberalizimin e vizave.

“Zoti kryeministër do të doja t’iu përgëzojë ju dhe të gjithë kolegët tuaj për punën që e keni bërë për këta muaj. E dimë që nuk ka qenë e lehtë”, tha ai.

​Mogherini: Nuk është diskutuar për nivelin e dialogut Prishtinë-Beograd

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Frederica Mogherini, në një konferencë me kryeministrin Isa Mustafa, para gazetarëve ka thënë se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të vazhdojë, derisa thotë se ende nuk është diskutuar për një nivel të ri të këtij dialogu.

Ajo po ashtu tha se, kryeministri i Kosovës e di se dialogu ka nisur për të mirën e Kosovës. Sipas saj, dialogu dhe implementimi i marrëveshjeve që arrihen, është e vetmja mënyrë që Kosova të shkojë drejt BE-së.

“Kryeministri e di mirë se dialogu është për të mirën e Kosovës. Është e vetmja mënyrë për të dërguar Kosovën drejt BE-së. Të gjitha marrëveshjet duhet të implementohen”, tha ajo.

“Për nivelin e dialogut nuk kemi diskutuar ende. Nuk e di nëse Beogradi e ndan këtë mendim”, ka shtuar ajo.

Mogherni, po ashtu, tha se është e rëndësishme që të gjitha institucionet e vendit të punojnë në këtë fushë.

Avramopoulos: Dita nuk është e largët kur do të përafrohemi

Në konferencën për media që po mbahet në ndërtesën e Kryeministrisë, në Prishtinë, komisionari për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos, tha se është shumë i lumtur që ndodhet në Prishtinë pas gjashtë muajve dhe po aq i lumtur jam që po e ndaj këtë moment me qytetarët e Kosovës.

Vizita jonë koincidon me dy ngjarje me rëndësi për vendin tuaj, UEFA dhe rekomandimi për liberalizim të vizave, të dyja këto çështje në shërbim të qytetarëve të Kosovës. Dhe ne jemi këtu që si evropian të ndajmë këtë gëzim së bashku. Nga ky moment kjo derë hapet dhe dita nuk është e largët kur së bashku do të shijojmë përafrimin”, tha komisionari Avramopoulos.

Ai tha se propozimet e djeshme të KE-së janë rezultat i punës së madhe dhe përpjekjes nga pala kosovare për të arritur suksese në fushat e përcaktuara.

“Këto forma nuk kanë të bëjnë vetëm me çështjen e dialogut por edhe me çështje të tjera me rëndësi si sundimi i ligjit, siguria e brendshme dhe funksionimi më i mirë i sistemit gjyqësor. Implementimi i tyre do të jetë fitimprurës për të gjithë”, tha Avramopoulos.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha parakushtet për liberalizimi të vizave", ka thënë komisionari evropian duke treguar edhe detyrat e fundit të Kosovës që të ratifikojë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe do të vazhdoj luftën ndaj krimit të organizuar.

Komisioni është këtu për ti përkrahur institucionet e Kosovës në këto procese, tha Avramopoulos.

Mogherini: Kemi edhe shumë punë për të bërë

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Federica Mogherini, e cila po qëndron sot në Kosovë pas marrjes së rekomandimit për liberalizim të vizave dha disa mesazhe për vendin.

Në një konferencë për media Mogherini tha se ka mbetur ende shumë punë për t’u bërë, por me një mund dhe punë të madhe që do të bëjnë se bashku mund të ja arrihen të gjitha.

“Kjo është një punë e përbashkët shumë e madhe që e kemi bërë. Sot kemi bërë një hap shumë të rëndësishëm përpara edhe pse nuk ka qenë shumë i mirëpritur nga ju. Kjo do të thotë se Kosova është Evropë, dhe ajo qka jemi duke punuar ne është integrimi evropian i Kosovës dhe në institucionet e BE-së. Është rrugë e gjatë dhe e mundimshme dhe e komplikuar”, tha Mogherini.

Duke uruar qytetarët e Kosovës për marrjen e rekomandimit, Mogherini foli edhe për dialogun Kosovë – Serbi, të cilin e quajti si shumë të rëndësishëm për forcimin e shtetit. Përveç që është i rëndësishëm për shtetin Mogherini tha se ky dialog është shumë i rëndësishëm edhe për rajonin.

Ajo u shpr eh e lumtur edhe për pranimin e Kosovës në UEFA dhe të arriturat tjera që do të vijnë në vazhdim për Kosovën drejt rrugës evropiane.

Mustafa: Serbia të heq dorë nga tentimi për ta penguar Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa pas takimit me përfaqësuesen e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, Federica Mogherini dhe Komisionerin për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopulos, ka deklaruar se Serbia duhet të heq dorë nga pengesa që po i bënë Kosovës, duke tentuar ta ndal anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Mustafa tha se këta janë mysafirët e parë në këtë ditë gëzimi pas rekomandimit për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian.

Ai shtoi se kanë biseduar për proceset tjera integruese të Kosovës, për përkushtimin për luftën ndaj krimit të organizuar dhe luftën ndaj terrorizmit, duke forcuar marrëdhëniet me fqinjët.

“E ardhmja e Kosovës është në gjirin e Evropës. Sa i takon liberalizmit të vizave është një arritur e madhe nga ana e Kosovës. Ky vendim historik për neve i hap perspektiv Kosovës. Kemi biseduar edhe për forcimin e mardhënieve me fqinjët por Serbia duhet të heq dorë nga pengesa që po i bënë Kosovës, duke tentuar ta ndal anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, tha ai.

Mogherini vjen në Kosovë me veshjen kuq e zi

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Politikave të Sigurisë, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi , Dimitris Avramopulos, kanë filluar takimin me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Mogherini duket se ka përshtatur ngjyrave që duna qytetarët e Kosovës, duke u veshur kuq e zi. Ajo bashkë me Avramopulos dhe kryeministrin Mustafa së shpejti do të dalin në një konferencë për media.

Mogherini dhe Avramopulos do të takohen edhe me presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli.

Kurse, në ora 16:15, Mogherini me një fjalim do t’u drejtohet deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri pritje të veçantë për Federica Mogherinin

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka përgatitur një pritje të veçantë për përfaqësuesen e lartë të BE'së, Federica Mogherini e cila pak më parë arriti në Prishtinë.

Sipas mediave vendore Kryeministri do të shtrojë drekë për Përfaqësuesen e Lartë për Politike të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherinin, dhe komisionarin, Dimitris Avramapolus.

Pas rekomandimit të djeshëm për liberalizim e vizave, sot n ora 14:15 në zyrën e kryeministrit do të mbahet konferencë për media, ku do të diskutohet për këtë çështje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat