Thaçi mirëpret nisjen e fazës së dytë të programit kundër korrupsionit

Kosova

Thaçi mirëpret nisjen e fazës së dytë të programit kundër korrupsionit

Më: 4 maj 2016 Në ora: 20:14

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mori pjesë sot në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të fazës së dytë të programit kundër korrupsionit, të zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Daneze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (DANIDA), njofton kumtesa nga Presidenca.

I pari i vendit tha se Zyra e Presidentit do të jetë gjithmonë në dispozicion të përmbushjes së këtij synimi.
Thaçi potencoi se Kosova këto ditë po merr lajme shumë të mira dhe se kjo është meritë e të gjitha institucioneve të republikës, e të gjitha qytetarëve të vendit, shoqërisë civile, medieve, të gjithë komponentëve të vendit.

“Dëshiroj të theksoj se një prej komponentëve më të rëndësishëm për vlerësimin e Kosovës për rekomandimin për liberalizimin e vizave ka qenë progresi që kanë shënuar institucionet e Kosovës në luftë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera negative”, tha Thaçi.

Ai shtoi se “jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë edhe më tepër, prandaj jemi sot këtu të gjithë së bashku që të punojmë edhe më tutje për forcimin e ligjit, për fuqizimin e përpjekjeve tona në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kemi besim të plotë se puna e përbashkët e institucioneve lokale me të gjithë partnerët e përfshirë ndërkombëtarë do të jetë çelësi i suksesit tonë në të ardhmen”.

Në këtë pritje morën pjesë edhe nikoqiri, përfaqësuesi i UNDP-së, Andrew Russell, i cili është edhe koordinator i programeve për zhvillim të KB, dhe ambasadorja e Konfederatës së Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, të cilën gjithashtu iu drejtuan të pranishmëve me një fjalë rasti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat