Thaçi: Të punojmë edhe më tutje për forcimin e ligjit

Kosova

Thaçi: Të punojmë edhe më tutje për forcimin e ligjit

Më: 4 maj 2016 Në ora: 20:00

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mori pjesë sot në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të fazës së dytë të programit kundër korrupsionit.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mori pjesë sot në pritjen e organizuar me rastin e fillimit të fazës së dytë të programit kundër korrupsionit, të zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, të mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Agjencia Daneze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (DANIDA).

I pari i vendit tha se Zyra e Presidentit do të jetë gjithmonë në dispozicion të përmbushjes së këtij synimi.

Thaçi potencoi se Kosova këto ditë po merr lajme shumë të mira dhe se kjo është meritë e të gjitha institucioneve të republikës, e të gjitha qytetarëve të vendit, shoqërisë civile, medieve, të gjithë komponentëve të vendit.

“Dëshiroj të theksoj se një prej komponentëve më të rëndësishëm për vlerësimin e Kosovës për rekomandimin për liberalizimin e vizave ka qenë progresi që kanë shënuar institucionet e Kosovës në luftë kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera negative”.

Presidenti Thaçi shtoi se “jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë edhe më tepër, prandaj jemi sot këtu të gjithë së bashku që të punojmë edhe më tutje për forcimin e ligjit, për fuqizimin e përpjekjeve tona në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kemi besim të plotë se puna e përbashkët e institucioneve lokale me të gjithë partnerët e përfshirë ndërkombëtarë do të jetë çelësi i suksesit tonë në të ardhmen”.

Në këtë pritje morën pjesë edhe nikoqiri, përfaqësuesi i UNDP-së, Andrew Russell, i cili është edhe koordinator i programeve për zhvillim të KB, dhe ambasadorja e Konfederatës së Zvicrës në Kosovë, Krystyna Marty Lang, të cilën gjithashtu iu drejtuan të pranishmëve me një fjalë rasti.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi tha se ka besim të plotë se në këtë përkushtim do ta kemi përkrahjen e gjithë spektrik politik në Kuvendin e Kosovës dhe se do të rritet edhe më tepër partneriteti i institucioneve të vendit me të gjithë shoqërinë civile për një qasje të përbashkët dhe unike për forcimin e institucioneve dhe rritjen e transparencës.

“Jam i bindur gjithashtu se do të kemi një partner të fuqishëm në qytetarin e Kosovës”, konkludoi presidenti Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat