Pas rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën nga ana e Komisionit Evropian, kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherit edhe kandidati kryesor për kryetar të PDK-së Kadri Veseli, e ka quajtur një ditë jashtëzakonshme dhe ditë të shënuar
Në një konferencë për media të mbajtur në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, Veseli tha se kjo është edhe një epokë e re, e cila po i jep fund izolimit ndërkombëtar të Kosovës, ku ka theksuar se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe është lokomotivë e procesit të liberalizimit të vizave.
Veç tjerash kryetari Veseli ka uruar qytetarët e Kosovës për durimin dhe përkushtimin e treguar gjatë këtyre viteve në izolim.
Veseli: Një epokë e re, i jepet fund izolimit ndërkombëtar të Kosovës
“Vërtetë kjo është një ditë e jashtëzakonshme, një ditë e shënuar. Dëshiroj t’i falënderoj gjithë qytetarët e vendit për durimin që e kanë treguar dhe në të njëjtën kohë edhe për përkushtimin. Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe është lokomotivë e këtij procesi. Dëshirojë me këtë rast të falënderojë ish kryeministrin e Republikës së Kosovës, dhe gjithë ministrat e integrimeve të cilët kanë bërë një punë të jashtëzakonshme, ministrat e brendshëm e gjithsesi edhe ministrat e jashtëm. Kjo është një epokë e re, i jep fund izolimit ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht lëvizjen e lirë, rrëzimi i fundit të murit të Berlinit në Evropë”, ka uruar Veseli.
Ndërsa edhe zyrtarisht ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj tha se kjo është ditë e veçantë për Kosovën që pas 20-25 viteve të jetë e drejtë që të lëvizet pa viza drejt Evropës.
Hoxhaj: Hap i parë në rrugën drejtë në rrugën e rikthimit në Evropë
“Është hap i parë në rrugën tonë të rikthimit në Evropë, rikthimit si qytetarë të një shteti të pavarur pas 20 viteve, 25 vitesh të një mungese të një të drejte të lëvizim pa viza drejt Evropës. Gjitha qeveritë e udhëhequra nga Partia Demokratike e Kosovës, kryeministri Thaçi dhe shumë kolegë në Qeveri dhe qeveria aktuale kanë bërë një punë brilante në përmbushjen e kritereve...Ka qenë një proces i gjatë i vështirë por është një arritur e madhe dhe megjithatë është një meritë e qytetarëve të Kosovës. Ne jetojmë në një kohë ku hapësira e një shteti të vogël si Kosova është e vogël që një individ t’i përmbush kërkesat , interesat dhe ambiciet e tij. Ne jetojmë në një kohë të ndryshimeve të shpejta ku lëvizja e lirë e qytetarëve ja mundëson secilit që në hapësirën evropiane t’i përmbush kërkesat dhe interesat e tij”, tha Hoxhaj.
Hoxhaj ka shtuar se përmes kësaj të drejte qytetarët e Kosovës do t’i përmbushin interesat e tyre thelbësore për ta.
Ndryshe, Veseli tha se ka Hoxhaj si ministër i Punëve të Jashtme ka shumë punë për të bërë duke theksuar atë të procesit në integrimet e Bashkimit Evropian.