AGK: Liria e shtypit u përkeqësua, gazetarët të kërcënuar

Kosova

AGK: Liria e shtypit u përkeqësua, gazetarët të kërcënuar

Më: 3 maj 2016 Në ora: 14:09

Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka shprehur shqetësim për keqësimin e gjendjes së lirisë së shtypit në Kosovë. Sipas të dhënave të Asociacionit, vetëm gjatë viteve 2014 dhe 2015 janë raportuar 27, respektivisht 24 raste të sulmeve, kërcënimeve, presioneve, fyerjeve dhe pengimit të punës së gazetarëve.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim për keqësimin e gjendjes së lirisë së shtypit në Kosovë. Në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, AGK rikujton se të bërit gazetari në Kosovë po bëhet gjithnjë e më e vështirë pasi gazetarët po përballen me presion të shtuar dhe ngushtim të hapësirës së veprimit të lirë. Vetëm gjatë viteve 2014 dhe 2015 në AGK janë raportuar 27 respektivisht 24 raste të sulmeve, kërcënimeve, presioneve, fyerjeve dhe pengimit në punë të gazetarëve, që tregon për rritje të numrit krahasuar me rastet e raportuara në vitet paraprake ku kanë qenë 15 deri 18 raste:, thuhet në një komunikatë të AGK-së.

AGK rikujton se përveç sulmeve kërcënimeve dhe presionit të jashtëm nga politika, grupet e interesit dhe institucioneve të tjera, gazetarët janë të privuar nga të drejtat elementare të punës.

Sipas statistikave, nga rret h 400 anëtarët e AGK-së, 30 për qind e kolegëve gazetarë punojnë në medie pa kontrata pune dhe paguhen jodinjitetshëm për punën që bëjnë.

Ndërsa, bazuar në raportet ndërkombëtare për lirinë e medies, Kosova vazhdon të mbetet një shtet gjysmë i lirë me liri të pjesshme të të shprehurit dhe ambient të pa favorshëm për ushtrimin e profesionit të gazetarisë.

Duke marr parasysh këtë gjendje, AGK kërkon nga institucionet e Kosovës që ti zbatojnë mekanizmat ligjor për mbrojtjen e gazetarëve dhe krijimin e një ambienti të përshtatshëm për zhvillimin e lirisë së shprehjes, si një ndër elementet fundamentale të demokracisë.

AGK konsideron se mungesa e zbatimit të ligjit dhe mosfunksionimi i institucioneve të drejtësisë ka inkurajuar të pakënaqurit me punën e gazetarëve që ta marrin drejtësinë në duar.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës zotohet se të vazhdojë angazhimin maksimal në mbrojtjen e të drejtave të garantuara të gazetarëve dhe krijimin e hapësirës që mediat në Kosovë, të jenë të lira dhe të pavarura në punën e tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat