Ministria e Integrimit Evropian nisë konferencat informuese mbi MSA-në

Kosova

Ministria e Integrimit Evropian nisë konferencat informuese mbi MSA-në

Më: 1 maj 2016 Në ora: 12:54

​Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian duke qenë një material voluminoz dhe mjaftë kompleks për faktin që rregullon çdo sferë shoqërore, tani ka filluar të zbërthehet dhe shpjegohet në mënyrë që të jetë e kapshme për zbatuesit e saj si dhe qytetarët e grupet e interesit.

Në këtë drejtim duket të jetë e angazhuar Ministria e Integrimit Evropian, përfaqësues të së cilës kanë filluar me sesione e konferenca informuese nëpër të gjithë Kosovën, me qëllim që të kuptohet rëndësia e kësaj marrëveshje dhe roli që do të ketë secili për zbatimin e saj.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i pyetur lidhur me angazhimin e kësaj ministrie për vetëdijesimin e qytetarëve mbi MSA-në.

Sipas tij, MSA-ja është kontratë për të ardhmen e Kosovës dhe se zbatimi i saj në mënyrë të suksesshme dhe brenda afateve të parapara do të përshpejtojë rrugën e Kosovës drejtë anëtarësimit në BE.

“Duke qenë se bëhet fjalë për marrëveshjen më të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës ne si MIE jemi të përkushtuar maksimalisht që të japim sqarimet dhe informatat e nevojshme tek të gjitha palët e interesuara qoftë n ga ana e institucioneve që merren me zbatim të saj ashtu edhenga shoqëria civile, mediat, bizneset etj., në mënyrë që kjo marrëveshje të kuptohet dhe implementohet drejtë dhe të hyjë në funksion të të gjithë qytetarëve”, ka thënë Çollaku.

Nga të dhënat e Ministrisë së Integrimit Evropian, del se deri më tani janë mbajtur konferenca informuese lidhur me MSA-në me zyrtarë të nivelit qendror, kryetarë komunash, zyrtarë të nivelit lokal, media lokale e organizata të shoqërisë civile lokale nga komuna e Prishtinës, Drenasit, Fushë Kosovës, Graçanicës, Lipjanit, Obiliqit dhe Podujevës.

Këto konferenca që kanë për qëllim që të diskutohet për rëndësinë e MSA-së, hapat që do të ndërmerren në drejtim të zbatimit të saj si dhe rolin dhe detyrimet që kanë Komunat e Kosovës në këtë drejtim pritet të vazhdojnë në të gjitha komunat në vend.

Ministria e Integrimit Evropian, përveç konferencave informuese në për Kosovë ka përgatitur edhe broshura informuese me mbështetje të organizatës qeveritare gjermane GIZ me qëllim që ta bëjë MSA-në sa më të qartë për komunitetin e biznesit, grupet e tjera të interesit dhe qytetarët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat