FMN e brengosur për numrin e madh të veteranëve, pret listat përfundimtare (Video)

Kosova

FMN e brengosur për numrin e madh të veteranëve, pret listat përfundimtare (Video)

Më: 1 maj 2016 Në ora: 08:51

Veteranët e UÇK-së, të cilët marrin nga 170 euro pagë, thonë se do të kundërshtojnë me çdo mjet nëse u zvogëlohen të ardhurat.

Kërkesën për zvogëlimin e kompensimit të veteranëve është duke e bërë Fondi Monetar Ndërkombëtar, të cilët thonë se Qeveria po përballet me presione të mëdha nga grupe të ndryshme, kur janë në pyetje këto paga.

Smajl Elezaj, kryetari i Veteranëve të UÇK-së ka thënë për Tribuna Channel, se pensionet nuk mund të ulen.

“Nuk mund të ulen pensionet përderisa ka kaluar ligji për veteranët në Kuvendin e Kosovës. Ajo nuk mund të ndodh. Qeveria nuk mund të bëjë ulje më shumë, sepse kështu është miratuar dhe nuk mund të bijnë nën shifrën minimale”, ka thënë, Smajl Elezaj, kryetar i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së

Nga burime brenda Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, kanë thënë se të mërkurën kjo Ministri ka pasur takime me FMN-në, ku ndër tjera është biseduar edhe për numrin e madh të veteranëve.

Sipas po këtyre burimeve, ky numër ka shkuar mbi 23 mijë aplikues për statusin e veteranit dhe invalidit të luftës, që është parë me shqetësim nga FMN-ja.

Në fillim nga listat që janë marrë nga shoqatat e veteranëve dhe invalidëve të luftës, numri i tyre ka qenë rreth 14 mijë veteranë, por ky numër është rritur vazhdimisht duke kaluar tashmë shifrën prej 23 mijë aplikuesish.

FMN dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale janë duke pritur listat përfundimtare nga komisioni qeveritar për njohjen e statusit të veteranëve për të vendosur më tutje.

“Jemi në pritje të listave përfundimtare dhe besoj që deri në fund të këtij muaji, që ka mbetur çështje ditësh, do të marrim edhe listat me numrin e saktë të veteranëve. Është vërtet shqetësues ky numër për të cilën ka kritika edhe nga FMN-ja”, thotë ky burim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat