Kelmendi: Premtimet për 200 mijë vende të punës nga PDK, do të duhej të realizohen

Kosova

Kelmendi: Premtimet për 200 mijë vende të punës nga PDK, do të duhej të realizohen

Më: 30 prill 2016 Në ora: 12:39

Kam menduar që kontributin tim dhe përvojën shumë vjeçare që kam, ta japi drejtpërdrejtë duke i menaxhuar disa ministri, ka thënë në një intervistë për KosovaPress, pronari i kompanisë “Elkos”,dhe deputet i parlamentit të Kosovës, Ramiz Kelmendi.

Kelmendi ka dhënë dorëheqje mbrëmë nga Partia Demokratike e Kosovës. Kjo sipas burimeve të KosovaPress-it, ka ardhur pas një injorimi që pretendenti i vetëm për ta udhëhequr PDK-në, Kadri Veseli, i ka bërë në tubimin në Pejë, ku në fjalimin hyrës, i ka përmendur me emra të gjithë deputetët dhe biznesmenët pjesëmarrës në tubim por jo edhe Ramiz Kelmendin.

Atij gjithashtu i është pamundësuar para më shumë se 300 simpatizantëve të tij, që ta marrë fjalën dhe të çojë përpara synimet e tij dhe premtimin që i është dhënë për postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës.

Kelmendi ka thënë se premtimet elektorale për krijimin e 200 mijë vendeve të reja të punës nga Partia Demokratike e Kosovës, do të duhej të realizohen, për këtë presin qytetarët e Kosovës.

Kelmendi: Do të duhej t’i përmbahemi premtimeve

“Ne e kemi plotë gojën sot fj alë, zhvillim ekonomik dhe kemi premtuar 200 mijë vende të punës, dikush 120 mijë, dikush 160 mijë, ato numra i kam kuptu seriozisht, nuk e kam kuptu si një fushatë zgjedhore dhe se me i realizu, ajo është e domosdoshmëri. Qytetarët kanë nevojë për ato vende të punës dhe kam menduar që me kyçjen time në këtë formë ka pasur mundësi me u realizu më shpejtë zhvillimi ekonomik , tha Kelmendi.

Ai thotë se nuk ka shkuar në PDK për përfitime personale. Sipas tij, kompania e tij ishte e zhvilluar edhe gjatë kohës sa ai ishte në opozitë.

Kelmendi: Nuk kam shkuar në PDK për përfitime personale

“Nuk kam shkuar në PDK për të përfituar personalisht sepse unë këtë ngritje ekonomike të grupit “Eklos” e kam bërë kur kam qenë në opozitë. Por kam menduar që kontributin tim dhe përvojën shumë vjeçare që e kam, me e dhënë drejtpërdrejtë duke i menaxhuar disa ministri, të cilat janë të domosdoshme të sinkronizohen që të bashkëveprojnë më shpejtë dhe më mirë në funksion të zgjedhjes së çështjeve dhe kërkesave të shumta dhe nevojave të mëdha që ka Kosova për zhvillim ekonomik.”, tha Kelmendi.

Ai po ashtu tha se grupi Elkos ka bërë një planifikim të investimeve të veta në periudhën kohore 2016-2022. Brenda vitit do t’i hapë disa fabrika dhe gjatë këtyre viteve, sipas tij, do të investohen mbi 143 milionë euro, ku parashihet të punësohen rreth 1 mijë e 430 persona.

Kelmendi: Për gjashtë vite do të investojë mbi 143 milionë euro

“Gjatë këtyre viteve projektet do të arrin vlerë diku në 143 milionë euro, dhe do të fokusohen më shumti në ngritjen e prodhimtareve të ndryshme, të lëmisë që unë i njoh dhe të atyre lëmive që ka treg të mjaftueshëm në territorin e Kosovës. Në parim do të bëjnë zëvendësimin e produkteve të importuara nga shtete të ndryshme, sidomos nga ato shtete të regjionit….Kemi planë të bëjmë një investim të fuqishëm edhe me sektorin e bujqësisë. Praktikisht të gjitha ato që ne i kemi propaganduar gjatë fushatës parazgjedhore në të cilën kam menduar që mund t’i krijoj nga pozita qeveritare, kam filluar që t’i zbatoj nga pozita e pronarit të grupit Elkos”, tha Kelmendi.

Kelmendi ka qenë i angazhuar në partinë e Ramush Haradinaj- AAK. Në zgjedhjet e fundit të 2014, iu është bashkuar PDK-së.

Ai ka dhënë dorëheqje mbrëmë nga Partia Demokratike e Kosovës, pas mospërmbushjes së premtimeve për ta marrë pozitën e zv.kryeministrit të qeverisë së Kosovës.

Kelmendi i tha KosovaPress se u detyrua që të marrë një vendim për t’u dorëhequr nga PDK-ja, sepse i është pamundësuar që ai të kontribuojë në programin për zhvillim ekonomik.

“Është akti im moral... u desh të dorëhiqem dhe të gjej rrugë të tjera ku mund të realizojë synimet për zhvillim ekonomik”, tha Kelmendi.

I pyetur nëse do t’i bashkohet ndonjë partie tjetër, Kelmendi tha se në çdo moment potenciali i tij zhvillimor intelektual dhe përvoja e tij nuk do rrijë në pritje, por do gjejnë rrugë për të ardhur deri te realizimi i qëllimeve të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat