​Ujësjellësi “Prishtina”: Paguani borxhet, ose ndëshkoheni

Kosova

​Ujësjellësi “Prishtina”: Paguani borxhet, ose ndëshkoheni

Më: 29 prill 2016 Në ora: 16:52

Ujësjellësi rajonal “Prishtina” njofton të gjithë konsumatorët se kanë afat një muaj që të shlyejë borxhet ndaj kësaj kompanie, në të kundërtën do të pasojnë ndëshkimet.

Nëpërmjet një komunikate për media bëhet e ditur se menaxhmenti i Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal“ Prishtina” me rekomandim të Bordit të Drejtorëve, njofton konsumatorët ( kategorinë e bizneseve të vogla, bizneseve të mëdha, institucioneve dhe kompanive publike), se pas analizimit të gjendjes financiare, kërkon nga të gjitha këto kategori të zonës së shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Obiliq, Drenas, Podujevë, Shtime, Lipjan dhe Graçanicë që në afat sa më të shkurtër, duke filluar nga data 1 maj deri më 1 qershor të shlyejnë obligimet e tyre ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

“Në qoftë se, në afatin e përcaktuar, nuk fillojnë t’i shlyejnë obligimet / borxhet e tyre që i kanë më të vjetra se 3 muaj dhe me shumë mbi 500 euro, ujësjellësi ‘Prishtina’ do të fillojë të aplikojë masa ndëshkuese ndaj këtyre konsumatorëve: publikimi i emrave në të gjitha mjetet e informimit publik, shkyçje individuale nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe inkasimi i borxheve përmes përmbaruesve privat”, thuhet në komunikatë.

Sipas njoftimi borxhi total i të gjithë konsumatorëve në zonën e shërbimit ndaj Ujësjellësit “Prishtina” që nga paslufta e deri në muajin mars është 43 milionë e 274 mijë e 135 euro, me gjithsej 104 mijë e 926 konsumatorë.

Borxhi total i konsumatorëve të kategorisë ( biznese, institucione dhe kompani publike) ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit, që nga paslufta e deri në muajin mars është 8 milionë e 409 mijë e 786 euro, me gjithsej 12 mijë e 869 konsumatorë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat