Rrahman Rama në Shqipëri: FSK pret vetëm vendimin politik (Foto)

Kosova

Rrahman Rama në Shqipëri: FSK pret vetëm vendimin politik (Foto)

Më: 29 prill 2016 Në ora: 16:36

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Rama ka qëndruar për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Me nderime të larta shtetërore, Rama u prit nga ministrja e Mbrojtjes në Shqipëri Mimi Kodheli dhe shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë Gjeneralmajor Jeronim Bazo.

Rama ka kërkuar përkrahje për Kosovën, edhe në kuptimin politik, në iniciativat regjionale. Derisa ministren dhe shefin e shtabit i ka informuar për arritjet e FSK-së në parapërgatitje për transformim.

Edhe një herë, shefi i Forcës në Kosovë, ka përsëritur se janë në pritje të vendimit politik dhe se FSK është e gatshme të zbatojë planin e saj afatgjatë.

Vizita e gjeneral Ramës, bashkë me delegacionin e tij, pati si qëllim mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit.

“E informova për procesin, ne si ministri e forcës, dhe si forcë e sigurisë, për procesin, sidomos për transformimin e forcës së sigurisë së Kosovës. Gjetëm një përkrahje të plotë. Kërkova që të kemi përkrahjen në kuptimin politik në iniciativat regjionale dhe morëm një përkrahje të jashtëzakonshme të ministreshës, dhe tutje vazhduam edhe takimin me gjeneralin Bazo, shefin e shtabit, dhe stafin e tij, që na dhënë një prezantim të aktiviteteve të tyre, strukturës së tyre, ri-organizimin e tyre. Dhe, bazuar në proceset tona ku jemi sot, unë e njoftova po ashtu edhe shefin e shtabit për procesin se ku jemi dhe diskutuam për thellimin e bashkëpunimit në fazën e ardhshme të transformimit, duke u bazuar në misionin e ri. Dhe duke i marrë për bazë përvojat që i kanë oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e ushtrisë së Shqipërisë, qëllimi i krejt kësaj është të rrisim bashkëpunimin bilateral por edhe bashkëpunimin gjeneral”, tha ai.

Komandanti i FSK-së pohoi edhe një herë se Forca që ai drejton tashmë është vetëm në pritje të një vendimi politik, i cili do t’i hapte rrugë shndërrimit të FSK-së në ushtri, meqë forca, sipas tij, është e gatshme për misionin e ri.
Pas pritjes që iu bë në ministri të Mbrojtjes, gjithashtu me nderime të larta ushtarake Rama u prit edhe në Shtabin e Ushtrisë së Shqipërisë.

Aty u shkëmbyen përvoja mes vendeve dhe u diskutua për një bashkëpunim më të madh.

Tutje, gjeneral Rama vizitoi edhe Bataljonin e Forcave Speciale Zallherr, ku edhe iu demonstrua një gjuajtje me armë.

Vizitën e sotme në shtetin e Shqipërisë, komandanti i FSK-së e shfrytëzoi edhe për të vizituar Ambasadën e Kosovës. Aty takoi ambasadorin Ramiz Lladrovci të cilin e uroi për marrjen e detyrës si ambasador.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat