YIHR KS reagon ndaj gjuhës fyese të avokatit Tomë Gashi

Kosova

YIHR KS reagon ndaj gjuhës fyese të avokatit Tomë Gashi

Më: 29 prill 2016 Në ora: 12:50

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut- Kosovë (YIHR KS) shpreh shqetësimin në lidhje me përdorimin e gjuhës së urrejtjes nga avokati Tomë Gashi në paraqitjen e tij në televizionin Klan Kosova, emisioni info magazine, në debat me gazetarin Kastriot Jahaj, më 28 prill 2016. Gjatë emisionit avokati u referohet komunitetit serb me term fyes dhe denigrues dhe përkundër insistimit të gazetarit, që një shprehje e tillë është e papranueshme, z. Gashi nuk shpreh keqardhje.

Avokatët janë tejet të rëndësishëm në ofrimin e njohurive të tyre se si të ballafaqohet me rastet që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes, dhe kursesi nuk pranohet që vet të jenë nxitës.

Gjuha e përdorur nga avokati në paraqitjen e tij publike, njëherit është në kundërshtim me kodin e etikes profesionale të avokatit që ndalon sjelljet fyese nga ana e avokatëve.

Dëshirojmë t’i rikujtojmë z. avokat që sipas nenit 40 të Kushtetutës së Kosovës, “liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare”, andaj kursesi nuk mund të thirret në liri të shprehjes.

Duke qenë të vetëdijshëm që Oda e Avokatëve të Kosovës nuk mban përgjegjësi për deklarimet e avokatëve, ajo duhet ta mbaj përgjegjës avokatin për dëmtim të prestigjit të saj, duke përdorur term fyes dhe diskriminues dhe që nuk promovon tolerancën ndaj komuniteteve etnike dhe në veçanti ndaj komunitetit serb.

Shprehjet denigruese, fyese, poshtëruese, në kundërshtim me ligjet në fuqi janë të papranueshme, sidomos kur vijnë nga personat që duhet të mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut, andaj përmes kësaj komunikate kërkojmë që avokati Tomë Gashi të kërkojë falje publike për termin fyes ndaj komunitetit serb. Për një gjë të tillë kërkojmë nga televisioni Klan Kosova që t’i ofroj avokatit hapsirën e njejtë dhe kohën e njejtë për të kërkuar falje dhe presim përkushtim nga ana e avokatit që një shprehje e tillë të largohet nga fjalori i tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat