17 pranverat e pritjes (Foto)

Kosova

17 pranverat e pritjes (Foto)

Më: 27 prill 2016 Në ora: 17:32

Flladi i pranverës po arrin të thajë lotët e saj, derisa rri ulur në oborrin e shtëpisë, të cilën dikur e ndante me burrin dhe fëmijët. Në po atë oborr, i njëjti fllad po i thanë shpirtin, derisa po i shikon fotografitë e më të dashurve të saj të zhdukur.

Një nënë, dhe bashkëshorte, ka mbetur pa fije shprese se një ditë do t’i thahen lotët nga sytë e do të ketë pranë vetes më të dashurit e saj.

Kishte kohë kur zgjohej në mëngjes me mendimin se një ditë do të marrë ndonjë lajm për familjarët e saj. Por sot, nuk pret që një ditë do të hap dy varre, në të cilat do të pushonin trupat e djalit dhe burrit të zhdukur. E kështu do të pushonte edhe shpirti i saj, që nuk ka qetësi qe 17 vjet. Pritja e ka lodhur, dhe i ka shterur çdo shpresë se një ditë, me lule në dorë, do të niset drejt varrezave.

26 marsi i vitit 199 ia ndryshoi tërësisht jetën e Ferdije Hotit, nga Krusha e Madhe. Kësaj gruaje atë ditë, forcat serbe e ndanë nga dy djemtë dhe burri.

Mosha e re Fatonit, djali i vogël i Ferdijes që asokohe ishte 15 vjeç, bëri që ai t'u shpëtojë duarve të paramilitarëve serbë. Por at a nuk patën mëshirë edhe për djalin tjetër, Dritonin dhe për burrin e Ferdijes, Muhametin që sot figurojnë në listat e personave të zhdukur. Muhameti dhe Dritoni mendohet se janë vrarë po atë ditë, 26 mars 1999.

Nëna Ferdije thotë të jenë djegur e më pastaj trupat e tyre janë hedhur në ujërat e Drinit të Bardhë.

“Djali më ka kall në mushkëri, e burri ma ka nxi jetën”-janë fjalët që Ferdija i përsëriti më së shpeshti, 17 vjet rresht.

Ajo mendon se burri dhe djali kanë qenë bashkë me trupat, të cilët asokohe qenë vendosur të vrarë në një kamion, për t’u hedhur pastaj në Drinin e Bardhë. Kjo edhe ka humbur çdo shpresë të 61 vjeçares.

E frika më e madhe e saj është që do të vdesë, e varri saj nuk do të jenë pranë atij të djalit dhe burrit. Ka frikë se do të vdes “pikë në shpirt”, se trupat e atyre nuk po pushojnë askund.

Hoti: Vetëm varrin t’ua dinim

“Nuk shpresoj, se i ka gjuajt në Dri, i ka kallë, a çka ka bërë ai e di…po kemi qejf edhe ne me ditë nga janë, sikur shoqet, me iu dërgua nga një lule. unë shkoj tek djemtë e axhës, tek varret e tyre, sepse nuk kam varr të burrit e të djalit...Ndoshta nuk gjinden për tërë jetën, kemi me mbetë kështu me mërzi, e shpresa, por e kam humb ymytin krejt, nuk e besoj që gjinden ata... Djali m’i ka kallë mushkëritë, burri ma ka nxi jetën, kështu po duhet me jetu”, thotë Ferdije Hoti.

Në një rrëfim për Kp, Ferdija tregon për jetën që bën, si i zbardh ditët dhe i ngrys netët në mungesë të të dashurve të saj.

“Ka natë që bi dhe çohna, hiç pa fjetë. Si hupi, pse hupi, pse nuk iku...bi edhe çohna, zgjuar, nuk më zë gjumi...Kemi vuajt shumë, por ato po u harrofshin vetëm të ishin gjet ata, se kur po e paramendoj si kemi hequr nëpër male, ato po i qes krejt pas shpine, vetëm ata të ishin gjetë, të gjallë jo se jo, por të paktën të vdekur me ditë ku janë, se është rëndë nana me e përmend ashtin e djalit për me gjetë, se ai i ka kallë, i ka vra, çka nuk u ka bërë”, tha Hoti.

Më të madhe mërzinë nëna nga Krusha e ka kur vijnë festat. Nga malli për t’i takuar sërish, Ferdija mban afër vetes fotografitë e djalit dhe burrit. Përmes tyre edhe bisedon me ta.

Hoti: Bisedoj me fotografitë e tyre

“Fotografitë shpesh i shikoj, i marr fotografitë kur vjen dita e Bajramit, i përqafi, bëj Bajram me fotografi, qaj, mërzitëm, si nana për evlad...Pranvera është e rëndë, ajo plot me qenë edhe mërzitesh, lëre më që nuk e kam djalin 20 vjeçar e burrin”, thotë me lot në sy Ferdija.

Më 26 m ars të vitit 1999, forcat serbe mblodhën banorët e Krushës së Madhe në xhami. Aty u morën gjithçka që patën me vete. Pastaj i ndanë ata.Gratë i dërguan për Rogovë, e meshkujt i mbajtën, që mendohet aty të jenë vrarë.

Fatoni, djali i vogël i Ferdijes që ishte 15 vjeç, u lirua nga forcat serbe.

Posa ka dalë nga dyert, ka dëgjuar të shtëna armësh. Aty ku prapa vetes ka lënë babën dhe vëllanë.

Krusha është një prej vendeve që u godit rëndë nga lufta e fundit në Kosovë. Në marsin e vitit 1999 aty u vranë më shumë se 200 civil, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq.

Sot, janë 64 persona, fati i të cilëve nuk dihet. Shumë nëna, gra, e të rinj, në fshatin ku shumica nga to kanë mbetur femra, ende presin ndonjë lajm nga më të dashurit e tyre të zhdukur.

Për Muhamet Hotin, dhe djalin Dritonin, janë në ankth familja, tash e 17 vjet.

Ferdijen arrijnë ta plotësojnë pak nipat dhe djali tjetër. Sh pirti i saj dhemb më shumë çdo ditë sepse ajo më nuk beson se institucionet e Kosovës do të arrijnë të ia sjellin eshtrat e më të dashurve të saj. E pritja vazhdon edhe më tutje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat