Ende në krijim të subjektivitetit ndërkombëtar

Kosova

Ende në krijim të subjektivitetit ndërkombëtar

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 17:11

Në prag të përvjetorit të tetë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vendi nuk ka arritur të sigurojë numrin prej 130 njohjesh, që do të mundësonte që çështja e pranimit të saj në Organizatën e Kombeve të Bashkuara të shtrohet në Këshillin e Sigurimit të kësaj organizate, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në vend.

Në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, thuhet se “Republika e Kosovës ka siguruar 111 njohje” dhe se “njohja ndërkombëtare e pavarësisë dhe e sovranitetit të Kosovës do të mbetet prioritet i Ministrisë së Punëve të Jashtme”.

Por, analisti i çështjeve politike, Halil Matoshi, vlerëson për se brenda 8 vjetësh, si vend i pavarur, Kosova ka mundur dhe është dashur të sigurojë më shumë njohje se sa që ka deri më sot.

“Liderët kosovarë kanë përmendur faktin se do të arrijnë që t’i kenë 130 njohje, aq sa i duhen Kosovës për t’u shtruar çështja e saj në Këshillin e Sigurimit (të OKB-së). Por, lidershipi i Kosovës nuk ka arritur deri tash që ta sigurojë këtë numër njohjesh, mbi të gjitha edhe për moskoordinim, për mospunë, për mosangazhim. Aleatët e Kosovës kanë qenë në gatishmëri dhe thuajse shumicën nga këto njohje i kemi pikërisht prej angazhimit dhe lobimit të aleatëve, por shumë pak, fare pak, kemi nga angazhimet e lidershipit kosovar”, thotë Matoshi Radion Evropa e Lirë.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti tjetër i çështjeve politike, Imer Mushkolaj. Ai vlerëson se njohjet e deritashme të Kosovës, kanë ardhur më shumë si rezultat i angazhimit dhe vullnetit të mirë të partnerëve dhe aleatëve të Kosovës.

Numri i vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës deri më tash, sipas tij, është zhgënjyes, për shkak se pritjet e qytetarëve kanë qenë më të mëdha, ashtu sikurse edhe premtimet e liderëve politikë.

“Po të na thoshte dikush, në ditët e para ose në muajt e parë pas shpalljes së pavarësisë, se pas 8 vjetësh do t’i kemi vetëm 111 njohje, respektivisht që Kosova ende nuk do të arrijë të fitojë subjektivitetin e duhur ndërkombëtar, natyrisht se nuk do të besonim”.

“Mirëpo, ja, fatkeqësisht, pas 8 vjetësh pavarësi, Kosova është në një situatë ku njohja nga shtetet tjera ka ngecur, sidomos këto vitet e fundit. Ne e kemi marrë vetëm këtë numër njohjesh që është i pamjaftueshëm për të krijuar (Kosova) subjektivitetin e vet ndërkombëtar”, vlerëson Mushkolaj.

Të dy këta njohës të zhvillimeve politike në vend, konsiderojnë se gjatë 8 vjetëve, e sidomos në vitet e fundit, drejtuesit institucionalë të Kosovës kanë dështuar edhe në integrimin e vendit në strukturat e rëndësishme ndërkombëtare.

Analisti Matoshi përkujton, siç e quan ai, fiaskon lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

“Edhe pse ne kemi tre apo katër resorë shtetërorë që merren me çështjet ndërkombëtare, përkatësisht me punët e jashtme, duke filluar që nga presidentja e vendit, pastaj Ministria e Jashtme, Ministria e Integrimeve (Evropiane) etj, por që nuk arritën praktikisht që t’i bindin, madje edhe aleatët ose vendet që tashmë e kanë njohur Kosovën, që të votojnë për pranimin e Kosovës në UNESCO. Ndodhi e njëjta edhe me Parlamentin Evropian. Kështu që, Kosova është larg të bërit politika konsistente të jashtme”, thekson Matoshi.

Analisti Mushkolaj thotë se ka qenë e gabuar qasja e drejtuesve të institucioneve të Kosovës, për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare të rëndësishme.

“Unë e kam parë si të gabueshme qasjen që të provohet anëtarësimi në organizata ndërkombëtare ku kërkohen dy të tretat (e votave), siç ishte rasti me UNESCO-n dhe me dështimin e madh që Kosova pësoi aty, përpara se të provohet që të shkohet për anëtarësim në organizatat e tjera, ku kërkohet një shumicë e thjeshtë".

"Dhe, 8 vjet, siç po e shohim të gjithë, shkuan shpejt, ndërkohë që Kosova ende ka mbetur në mes të rrugës, në kërkim të subjektivitetit të vet ndërkombëtar dhe në kërkim të njohjes nga shtete tjera të botës dhe organizata të rëndësishme”, shton Mushkolaj për Radion Evropa e Lirë.

Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se është krijuar përshtypja që zyrtarët institucional të Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, kanë vazhduar të shpresojnë, pa të drejtë, se vetëm partnerët ndërkombëtarë do të jenë ata që do të lobojnë dhe do të vazhdojnë që Kosovës t’i sjellin njohje.

Sipas tyre, tashmë, Kosova nuk është problemi i vetëm në botë dhe partnerët ndërkombëtar të saj, kanë probleme shumë më të mëdha, me të cilat ballafaqohen, ndonëse edhe më tej nuk ka munguar mbështetja e tyre për vendin.

E gjithë kjo, siç thonë ata, ka nxjerrë në pah pafuqinë, por edhe jo seriozitetin e zyrtarëve të institucioneve të Kosovës, për të bërë më shumë në politikën e jashtme të vendit./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat