Përkujtohet dëshmori Avni Hajredini, familjarët të zhgënjyer me institucionet

Kosova

Përkujtohet dëshmori Avni Hajredini, familjarët të zhgënjyer me institucionet

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 15:20

Me rastin e 16 vjetorit të rënies së dëshmorit Avni Hajredini, i cili dha jetën në mbrojtje të Mitrovicës, përfaqësues të pushtetit komunal, familjarë, drejtues tëshoqatave të luftës, si dhe qytetarë, kanë vendosur të shtunën buqete lulesh tek pllaka përkujtimore në vendin e rënies, në ‘Lagjen e boshnjakëve’ në veri të qytetit.

Kimete Mehmeti, motra e dëshmorit, u shpreh të jetë krenare me vëllain e saj, por tha se familjarët janë të zhgënjyer me përkujdesjen institucionale ndaj tyre.

Mehmeti: Institucionet kujdesen shumë pak për familjet e dëshmorëve

“Unë si motra e dëshmorit e ndiej veten shumë krenare, shumë të lumtur, sepse kam pasur një vëlla trim, të guximshëm… Shumë pak, shumë pak, nuk janë duke marrë masa kurrfare për familjet e dëshmorëve të cilët kanë dhënë gjakun, gjymtyrët dhe të gjitha. Nuk e di qysh e ndiejnë këta veten… për familje të dëshmorëve janë shumë pak duke u kujdesur. Mos me qenë këta dhe Amerika, sot ne nuk do të ishim të lirë kësajde me dal…Asnjë rrugë e qytetit që 16 vite nuk e ka emrin e dëshmorit Avni Koshtova”, ka thënë mes tjerash Mehmeti.

Në anën tjetër, në përpjekje të Kosovapress-it për të marrë një deklaratë nga kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, rreth pakënaqësisë së familjarëve të dëshmorit me përkujdesjen institucionale, Bahtiri nuk ka pranuar të përgjigjet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat