Shoqata e Autoshkollave: Nuk do ta përfillim ligjin për patentë shofer

Kosova

Shoqata e Autoshkollave: Nuk do ta përfillim ligjin për patentë shofer

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 15:10

Me ngritjen e numrit të orëve të teorisë dhe praktikës për patentë shofer, parashihet të ngritet edhe çmimi minimal për regjistrimin e patentë shoferit. Nga Shoqata e Autoshkollave thonë se ndryshimet në këtë ligj rëndojnë administratën dhe xhepin e qytetarëve. Ndërsa, nga Ministria e Infrastrukturës thonë se kjo ngritje e numrit të orëve ndikon në aftësimin e kandidatëve.

Kryetari i Shoqatës së Autoshkollave “Dardania” në regjionin e Prishtinës, Afrim Islami tha se ndryshimet në ligjin e ri për patentë shofer vetëm se do të rëndojnë administratën edhe xhepin e qytetarëve.

Sipas tij, ky ligj do të mbetet thjeshtë në letër, nuk do të gjej zbatim në praktikë.

Islami: Ligji për patentë shofer nuk do të zbatohet në praktikë

“Sipas tyre, çmimi duhet me u rrit nga 400 deri në 500 euro nëse shkojmë sipas standardeve që thonë ata, por ne ato nuk i përfillim, sepse kjo është pronë private e imja, dhe bëj ashtu siç dua. Ky ligj nuk do të gjejë zbatim asnjëherë. Qe 16 vite, ligji asnjëherë nuk është zbatuar siç duhet. Janë zbatuar vetëm gjërat që u kanë interesuar atyre, duke shkuar në një mënyrë paushall. Sot as këtë ligj nuk do të arrijnë ta zbatojnë”, tha Islami.

Sipas Islamit, nëse kandidatët janë të përgatitur, atëherë atyre nuk do t’u mbahen nga 30 orë në praktikë. Sipas tij, nëse ekspertët e komunikacionit të Ministrisë së Infrastrukturës nuk e shohin një kandidat të aftësuar në pjesën praktike, atëherë mos ta kalojnë, por ta kthejnë prapë në auto-shkollë për të mbajtur orë shtesë të praktikës me instruktorë.

Islami: Ministria nuk ka të drejtë të na vendos tatim

“Në letër sa me pa Inspektorati i Ministrisë, do të shënohet ashtu siç po thonë, në praktikë nuk do të zbatohet asnjëherë. Unë u kisha thënë popullit dhe kandidatëve të mos nguten, pasi që ka me qenë vetëm një ngritje e vogël , të cilën ata e marrin si tatim që na kanë vendos neve, gjë për të cilën nuk kanë pasur të drejtë, se ne jemi arsim dhe është dashur të lirohemi nga TVSH-ja”, tha më tej Islami.

Ndërsa, kryetari i Federatës së Autoshkollave të Kosovës, Xhemshit Cakolli, tha se kanëreaguar në disa nga nenet e këtij draftligji. Ai thotë se nuk janë kundër rritjes së numrit të orëve, por kundër rritjes së çmimit.

Cakolli: Jemi kundër rritjes së orëve, jo të çmimit

“Ministria e Infrastrukturës kanë përgatitur një draft ligj që përmban disa ndryshime për patentë shofer. Në disa nene, ne kemi reaguarkur ka qenë duke punuar komisioni i Ministrisë së Infrastrukturës. Diçka është marrë për bazë, diçka nuk është marrë, konkretisht ka mbetur fokusi tek çmimi. Ministria me këtë draft ligj ka bërë rritjen e orëve prej 16 në 30 orë, por në momentin që rriten orët e stërvitjes së kandidatëve, rritet edhe çmimi. Ne kemi reaguar në këtë rast, për shkak se çmimi i regjistrimit të patentë shoferit nëpër auto-shkolla parashihet të shkojë deri në 400 euro”, tha Cakolli.

Cakolli tha se kohëve të fundit nëpër autoshkolla ka pasur një fluks të madh të kandidatëve, të cilët kanë regjistruar patentë shoferët para se të ndodhte kjo rritje e çmimit.

Në anën tjetër, drejtori i Departamentit të Automjeteve në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës. Nebih Shatri për KosovaPress tha se është e domosdoshme ngritja e numrit të orëve, në mënyrë që kandidatët të aftësohen. Por, sipas tij ligji akoma nuk është miratuar.

Shatri: Numri i orëve rritet për t’i aftësuar kandidatët

“Për projektligj ka edhe një takim të martën, me 16 shkurt, ku Grupi Parlamentar do të takohet edhe një herë për miratimin e ligjit. Në media është paraqit kinse ligji është aprovuar, por një e tillë nuk ka ndodhur akoma, ky është një keqkuptim që është bërë. Ne këtë font të orëve e kemi pasur edhe më herët, deri në vitin 2009 ka qenë numri i orëve 30 në praktikë. Duke u bazuar në përvojat e vendeve tjera edhe ne e kemi ulur numrin e orëve 16 – 16, që është tregu si jo e suksesshme. Ka qenë edhe vërejtje e autoshkollave që kandidatët nuk arrijnë të aftësohen. Duke e parë gjendjen në terren dhe numrin e madh të aksidenteve, për këtë mund të fajësohen edhe kandidatët”, tha ai.

Sipas tij, vërejtjet e autoshkollave janë marrë parasysh, por sipas tij, nga ana e tyre nuk ka pasur asnjë sugjerim apo vërejtje për ngritjen e cilësisë.

Shatri:Të gjitha vërejtjete auto-shkollave janë pranuar

“Të gjitha vërejtjet e tyre pothuajse janë marrë parasysh. Ndryshimet tona që kanë qenë, ka qenë në drejtim të ngritjes së cilësisë dhe kualitetit me rastin e aftësimit të kandidatëve. Në bazë të ankesave, një pjesë në ministrisë, një pjesë në parlament dhe pothuaj të gjitha vërejtjete auto-shkollave janë pranuar, që kjo ka për të shkuar prapë në dëm të kandidatit. Nuk kemi asnjë vërejte, asnjë sugjerim që e sugjeron ngritjen e cilësisë, ne nuk mund të themi që kemi një cilësi të mirë të përgatitjes së kandidatëve”, tha Shatri.

Drejtori i Departamentit të Automjeteve më tej thotë, se të gjithë ata që nuk e respektojnë këtë ligj, do të sanksionohen.

E qytetarët janë ankuar se po presin shumë gjatë për të hyrë në test, qoftë me shkrim, qoftë në praktikë. Kështu tha edhe Atifete Ilazi nga Komuna e Drenasit.

Ilazi: Gjatë një muaj për të qëndruar në stres

“Nuk e kam ditur që ka me qenë kaq gjatë. E kam ditur për 2 javë deri në 10 ditë, por jo më shumë. Pak gjatë po më doket me qëndruar deri në 1 muaj në stres”, tha ajo.

Të njëjtën thotë edhe Shpat Guzguri, e cili duhet të pres pothuajse një muaj për t’iu nënshtruar testit për teori.

Megjithatë, në mënyrë ironike Guzguri tha se tashmë qytetarët janë mësuar me pritjet.

Me Projektligjin e ri për patentë shofer të miratuar nga Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik u mor vendim që numri i orëve për teori të shtohet nga 16 në 20 orë, kurse për mësime në praktikë është shtuar nga 20 në 30 orë. Çmimi është caktuar të jetë minimal nga 7 euro e 82 cent për një orë mësim në praktikë, kurse për teori 2 euro e 8 cent.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat