​Opozita e bashkuar: Protesta e 17 shkurtit do të jetë më masive se e 9 janarit

Kosova

​Opozita e bashkuar: Protesta e 17 shkurtit do të jetë më masive se e 9 janarit

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 14:48

(E plotësuar) - ​Takimet për mobilizim të qytetarëve që janë duke i paraprirë protestës së 17 shkurtit të opozitës kanë vazhduar edhe sot. Sot opozita e bashkuar mbajti edhe një tubim me qytetarë në Sallën e Kuqe në Prishtinë.

Në këtë tubim u bë thirrje që protesta e 17 shkurtit të jetë më masive se ajo e 9 janarit të këtij viti, që mblodhi mijëra qytetarë.

Deputeti në Kuvendin e Kosovës dhe ish-kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti duke bërë thirrje për pjesëmarrje në protestën e 17 shkurtit , deklaroi se Serbia gjatë orvatjeve të saj për të instaluar “Zajednic”-ën në Kosovë, nuk ka hasur në rezistencë te Qeveria, por sipas tij, rezistenca e vetme kundër Serbisë është ajo e opozitës së bashkuar.

Kurti konsideroi se Republikën e Kosovës nuk po e mbron Qeveria, madje nuk është as neutrale, por po e mbron “Zajednic”-ën e Serbisë.

Kurti theksoi se “Zajednica” ka vdekur dhe nuk duhet të lejohet që të ngjallet, derisa cilësoi se me demarkacionin me Malin e Zi po duan të na thonë se Kosova nuk ka kufij.

Kurti: “Zajednica” nuk duhet të ngjallet

“Asnjë Qeveri e Kosovës pasluftës në as një rast nuk ia dhënë as një goditje Serbisë, sikurse këtë e ka bërë opozita e bashkuar në këta 5 muajt e fundit. “Zajednica”, po lëshohej me parashutë sikurse forcat armike në një desant ushtarak. Mirëpo, nuk arriti të zbresë, të lëshohet dhe të instalohet në Kosovë, sepse sot të gjithë konstatojmë se “Zajednica” ka vdekur dhe obligimi jonë shoqëror dhe detyra kombëtare është që ajo të mos ngitet dhe të mos ngjallet. Në anën tjetër më demarkacionin më Malin e Zi, sikur duan të na thonë se Kosova nuk ka kufij fare. Por, ju i keni kufijtë, e keni shpallur njëfarë pavarësie po, këta kufij ne ua shtyjmë, ua copëtojmë, kafshojmë si duam ne. Pra, me këso lloj demarkacioni duan të na thonë se Kosova nuk ka kufij. Por, kur nuk ke kufij nuk ke as territor “, tha Kurti.

Sipas Kurtit, Mali i Zi u det yrua që ta pranojë rinegocimin për demarkacion, por Qeveria e Kosovës nuk e do këtë gjë sepse po ta pranonte rinegocimin, sipas tij, kjo Qeveri do ta pranonte krimin e faljes së 9 mijë hektarë të tokës së Kosovës.

Opozitën Kurti e cilësoi si jo të dhunshme por të vendosur, duke shtuar se kur nuk ke liri, drejtësi, demokraci dhe barazi, vullneti është mllef dhe zemërim.

Ai tha se Qeveria e ka hallin e guximit dhe idealit të opozitës dhe jo gazin apo shkeljen e ligjit.

Kurti: Në kohën kur dominon hipokrizia, vendosmëri duket sikur dhunë

“Në kohën kur dominon hipokrizia, vendosmëria duke sikur dhunë. Por, koha e hipokrizisë po merr fund kurse vendosmëria jonë po fiton. Kundërshtarët tonë i kemi parë teksa ankohen se ne po e shkelim ligjin. Por, ata nuk e hall që ne po e shkelim ligjin. Ata e kanë hall që ne po guxojmë ta shkelim ligjin. Ky është problemi që kanë ata me ne. Ata janë të gatshëm të na falin edhe një pjesë të mirë të realitetit të tyre të ndyrë, por nuk janë të gatshëm të na falin pse ne kemi ideale të pastra. Ata nuk e kanë hall as gazin lotsjellës, as shkeljen e ligjit, as një aksion tonin. Ata e kanë hall pse ne kemi ideale dhe guxim. Pikërisht këto ideale dhe ky guxim neve na bënë ata që jemi dhe na bënë ta kemi Republikën e Kosovës që ne nuk e japin pavarësisht se kush është në Qeveri dhe çfarë janë planet e Serbisë”, deklaroi Kurti.

Ndërsa, Donika Kadaj – Bujupi nga Alenaca për Ardhmërinë e Kosovës, duke kujtuar se në fillim të aktiviteteve të opozitës së bashkuar për të kundërshtuar Qeverinë, ka pasur njerëz skeptikë, theksoi se pas 6 muajsh populli është bindur që gazi lotsjellës ishte mënyra për ta ndalur marrëveshjen e asociacionit dhe demarkacionit.

Ajo shtoi se protestën e 17 shkurtit i gjithë populli do t’ia kthejë shpinën Qeverisë së Kosovës, duke e bërë të padukshme.

Kadaj– Bujupi: Me 17 shkurt i gjithë populli do t’ia kthejë shpinën Qeverisë

”Varfëria nuk është mungesë karakteri, është mungesë parash, mungesë investimi, kur Qeveria ta kthen shpinën dhe të bën të padukshëm, ashtu siç bëri kjo Qeveri me qytetarët e Republikës së Kosovës. Prandaj ne do të vazhdojmë. Do të vazhdojmë bashkë dhe me 17 shkurt i gjithë populli do t’ia kthej shpinën kësaj Qeverie dhe do ta bëjë të padukshme. Për më tepër do të fillojë edhe një etapë e re, një kapitull i ri për vendin tonë dhe të njëjtit që shkaktuan dëme do të japin llogari për veprimet e tyre. Jam e bindur që me 17 shkurt të gjithë bashkë, përtej partive politike, në interes të kauzës dhe vendit , për të mirën e Kosovës do të jemi në sheshin “Skenderbeu” dhe “ Nëna Terezë”. Do ju themi shkoni, atyre të cilët e dëmtuan Republikën dhe do të hapim një kapitull të ri për të rinjtë dhe të rejat , të cilët janë të gatshëm të sfidojnë vetën e tyre, të tejkalojnë interesin personal, partiak dhe të jenë në interesa të shtetit dhe të kauzës”, tha ajo.

Ndërsa, në mungesë të Jakup Karsniqit, që ishte paralajmëruar që do të merrte pjesë në këta tubim, anëtari i kryesisë së NISMË-s për Kosovën, Shyqri Bytyqi tha se opozita me angazhimin e saj ka arritur që qytetarëve të Kosovës t’ia sqarojë dëmin që vjen nga këto dy marrëveshje.

Ai potencoi se qytetarët nuk do të ndalen dhe janë të vendosur për të kërkuar llogari nga Qeveria.

Bytyqi: Qytetarët nuk duan të ndalen në mbrojtje të kauzës

“Nuk jemi vetëm opozitë dhe po deshëm ne si opozitë të ndalemi na bënë të qartë qytetarët nëpër tubimet tona, s e nuk mund të ndalemi sepse vetë qytetarët nuk do të ndalen në mbrojtjen e kauzës. Pra, qytetarët treguan se kur është në pyetje shteti, dëmi që i shkaktohet nga kjo Qeveri shtetit, ata do të jenë si kurrë më shumë të vendosur për të kërkuar llogari nga këta qeveritarë që po i shkaktojnë dëm vendit tonë”, shtoi ai.

Tubimi i radhës i opozitës së bashkuar për të kundërshtuar marrëveshjen e Asociacionit të komunave Serbe në Kosovë dhe atë të demarkacionit me Malin e Zi dhe për kundërshtim të Qeverisë së vendit pritet të jetë protesta e 17 shkurtit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat