Krasniqi: Unë nuk do të lejoja që Kuvendi të bëhet arenë lufte

Kosova

Krasniqi: Unë nuk do të lejoja që Kuvendi të bëhet arenë lufte

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 11:56

Koalicioni LDK-PDK nuk ka sjellë ndryshim dhe as shpresë për vendin. Gazi lotsjellës i përdorur në Kuvend nuk është imazh i mirë por opozita është detyruar t’i përgjigjet në këtë mënyrë, arrogancës së koalicionit qeverisës. Ndërsa, lideri i PDK-së Hashim Thaçi nuk është kandidat i denjë për president të vendit. Kështu thotë ish kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, i cili ka folur për zhvillimet e fundit në vend.
Krasniqi ka thënë se po të ishte kryetar Kuvendi, nuk do ta lejonte që Kuvendi të bëhej arenë lufte.

“Është krijuar një koalicion i madh, i cili gjatë gjithë kësaj kohe, për një vit e më tepër, nuk ka sjellë asnjë ndryshim, asnjë shpresë, përkundrazi. Bashkë me krijimin e këtij koalicioni të madh, kishim ikjen e mbi 100 mijë qytetarëve të Kosovës nga Kosova dhe tani ky koalicion i madh ka bërë dhe shkeljen kushtetuese. Marrëveshjet që i kanë arritur me 25 gusht të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe ashtu siç është ka konstatuar se ka 23 shkelje... Mendoj se marrëveshjet janë tepër të dëmshme dhe mendoj se ky koalicion qeverisës e ka humbur legjitimitetin për të qeverisur me vendin dhe e vetmja zgjidhje në këto momente janë zgjedhjet e reja”, tha ai.

Krasniqi po ashtu ka komentuar edhe format e përdorura nga opozita, për të penguar punën e Kuvendit, duke i arsyetuar ato.

Ai thotë se gazi lotsjellës nuk ka dhënë një imazh të mirë për vendin, por opozita është detyruar ta përdorë atë, përball arrogancës së koalicionit.

“Imazhi që i kanë dhënë gazi lotsjellës në Kuvend nuk ka qenë i mirë, por opozita me numrat që i ka në njërën anë dhe arrogancën e koalicionit qeverisës, që ndryshe quhet në literaturën shkencore tirani e numrave, nuk ka dashur të dëgjoj dhe faktikisht opozita nuk ka pasur rrugë tjetër përveç asaj që e ka zgjedhur. Ne e dimë që ka vërejtje në metodat ose mjetet që i ka përdor opozita, por unë konsideroj që nuk është problemi tek metodat që i ka përdorë. Unë konsideroj dhe jam i bindur që ata që i kritikojnë metodat e opozitës, kanë problem esencial me kërkesat e opozitës, jo me metodat që i ka përdorë opozita. Në këtë rrafsh mendoj se duhet të shikohet se janë stërmadhuar metodat, duke i arsyetuar veprimet shkelëse të koalicionit qeverisës dhe se kjo mendoj që nuk ështëe shëndetshme, jo vetëm për të sotmen, por s’ka me qenë e shëndetshme as për të ardhmen e Republikës së Kosovës”, theksoi Krasniqi.

Krasniqi thotë se Hashim Thaçi nuk është kandidat i denjë për president, pasi që ka shkelur Kushtetutën.

“Nëse kemi parasysh që presidenti shkon nga posti kur e shkel Kushtetutën, marrëveshjet e Brukselit që një përgjegjësi të madhe, ndoshta kryesoren e mban ish-kryeministri Thaçi, konsideroj që vetëm kjo është e mjaftueshme që ai s’mund të jetë president i Kosovës, e më së paku ai është personalitet siç e kërkon Kushtetuta sepse ai duhet të jetë i pranueshëm dhe përfaqëson të gjithë qytetarët e Kosovës. Do të thotë këtë rol ai e ka vështirë ta ketë si president i Kosovës edhe për shkak të shkeljes së Kushtetutës që i ka bërë për shkak të shkeljes së marrëveshjeve të Brukselit”, tha ai.

Ai shtoi se Kuvendi nuk do të duhej të vie në këtë situatë duke u shndërruar në një arenë lufte.

Sipas Krasniqit, zgjidhjet politike nuk duhet të bëhen në Kuvend por jashtë tij.

Krasniqi i cili vite më parë mbante postin e kryetarit të Kuvendit, thotë se kurrë nuk do të lejonte që Kuvendi të vie në një situatë të tillë, çfarë është tani.

“Kam thënë disa herë dhe miqësisht kryetarit të tashëm të Kuvendit, se problemi është krijuar jashtë Kuvendit, problemi është krijuar nga Qeveria dhe koalicioni qeverisës, e kanë përgjegjësi ta gjejnë zgjidhjen politike dhe zgjedhja politike nuk mund të bëhet me debate në Kuvend. Zgjedhja politike është dashur të bëhet jashtë Kuvendit, në mënyrë që Kuvendi të mos vie në këtë situatë. Tani Kuvendi është shndërruar në një arenë të luftës, figurativisht po them për shkak të gazit lotsjellës..Do të duhej që zgjedhja të ishte jashtë Kuvendit. Mendoj që ndoshta kryetari tani pak me vonesë është duke kërkuar, pasi që po i ikë seancës, hapjen e sesionit pranveror po i ikë. Ai po e kërkon zgjidhjen jashtë Kuvendit.. Kryetari i Kuvendit i ka dy mundësi, ose ta ruaj Kuvendin nga ajo që ne kemi parë, ose të largohen nga Kuvendi nëse partia e tij që është partia e madhe parlamentare dhe partia që është në koalicion nuk e gjejnë një zgjidhje tjetër. Por Kuvendi nuk është dashur të vie në këtë situatë dhe nuk do ta bija kurrë në këtë situatë... Absolutisht jo. Do ta kërkoja zgjedhjen politike, e pastaj vazhdimin e punës në Kuvend”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat