Veselaj: Zejnullahu nuk i ka votat të rizgjedhet rektor

Kosova

Veselaj: Zejnullahu nuk i ka votat të rizgjedhet rektor

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 00:45

Zeqir Veselaj, anëtar i zgjedhur i Këshillit Drejtues në Universitetin e Prishtinës si dhe Mentor Sopjani, asistent në këtë universitet. por që nuk arriti të zgjedhet si anëtar i këtij këshilli, kanë diskutuar në lidhje me zgjedhjen e pesë antarëve të Këshillit Drejtues.
Veselaj ka thënë se nuk ka pritur që mandati i kaluar të zgjaste aq pak.

“Nuk e kemi prit ne që kemi qenë përpara anëtarë që kaq shpejt të ndodh kjo, që realisht me fillimin e mandatit të shkojmë përsëri në zgjedhje, sepse vendimi i Këshillit Drejtues sipas meje ka qenë i panevojshëm. Ne i kishim dy shtyllat të bllokuara, pa funksion dhe kishim një rektor që ishte shkaku që këto dy shtylla kishin mbetur jashtë funksionit”, tha Veselaj.
Sopjani në anën tjetër vuri në pah tre rastësi që i kanë pothuajse të gjithë të zgjedhurit për Këshillin Drejtues (KD).

“Si procedurë nuk kam vërejtje, por tri rastësi janë se gjithë të rizgjedhurit janë sipas medieve anëtarë të partive. Të njëjtit të shkarkuar janë zgjedh. Rastësia e tretë është se sipas informacioneve të mia të gjithë kanë kaluar në rrethin e parë, gjë që është një gjë që nuk ka ndodhur ndonjëherë në UP”, tha Sopjani.

Por menjëherë ka reaguar Veselaj, i cili ndonëse kishte shërbyer si këshilltar politik i Ethem Çekut atëherë ministër i energjetikës, ka thënë se nuk ka ndonjë lidhje me asnjë parti politike.

“Të paktën mua nuk mund të më gjeni asnjë lidhje me parti, ka të tjerë që kanë qenë, por unë jo. Kam qenë këshilltar për ambient për ministrin Çeku, por nuk kam qenë i emëruar politik dhe jam krenar për punën që kam bërë, pa qenë anëtar i partisë”, tha ai.

“Të gjithë anëtarët e KD-së janë rizgjedhur prej stafit akademik, e po më vjen keq që po devalvohet stafi akademik që një mijë profesrëve t’u thuhet që kanë votuar në bazë të preferencave partiake”.

Sopjani tregoi arsyet pse kishte konkurruar për t’u bërë anëtar i KD-së.

“Asryeja pse kam konkurruar është për shkak të dy aspekteve; një që nuk kam qenë anëtar i asnjë partie asnjëherë deri më tash, e dyta që kam disa të arritura që për në Kosovë nuk janë të pakta e rrallë kush ka këso të arritura

Me siguri që nuk jam zgjedh, sepse e kanë konsideruar që vlerat e mija nuk janë të nevojshme për Universitetin”.

Ai e uroi kolegun e tij Veslajn që është zgjedhur, mirëpo ka qenë shumë dyshues se kjo përbërje e njëjtë e KD-së do të mund të bënte ndonjë ndryshim.

“Shpresoj që këta ta çojnë universitetin përpara, por bazuar në një fenomen pra shkarkimin e ish rektorit Zejnullahu, që është shkarkuar për disa arsyje jo shumë falënderuese, e të shkarkohet një njeri që kërkon të zbatohet ligji është goxha problematike”.

Kurse Vesalaj ka thënë se ai dhe kolegët e tij nga ky Këshill do të votojnë për një rektor që do përmirësojë gjendjen e universitetit.

“Ne do ta zgjedhim një rektor që shpresojmë në fund që ta stabilizoj këtë situatë turbulente në këto dy tri vitet e fundit. Një rektor i cili e vazhdon reformën e filluar. Por një rektor që e kap statutin në duar nuk është reformë por anarki.

Reforma është në tërësinë e saj. Rektori i kaluar nuk është marr me asnjë problem tjetë përveç me avancime”.

Ai ka thënë se nuk është e vërtetë që zgjedhjet në universitet kanë bërë që të rizgjedhen të njëjtët persona.

“Nëntë dekan janë të rinj. Senatorët janë shumica të rinj. Që dikujt iu ka fiksuar që janë të njëjtit, është problemi i tyre, jo i joni”.

E Sopjani u shpreh se ka shumë grupe të interesit që punojnë për interesa personale.

“Që ka grupe të organizuara brenda UP-së e që mund të quhen klane mjafton t’i lexoni në gazeta që çdo ditë shpërfaqen, grupet e interesit janë çdo kund, por kisha dëshiruar që të mos jenë në nivelin e tillë që t’i mbrojnë interesat parciale, individuale e jo të institucionit”, tha ai.

Tani Këshilli Drejtues do të bëjë zgjedhjen e rektorit të ri, e Veseli është shprehur se rektori i tanishëm, Ramadan Zejnullahu nuk ka mundësi që t’i mbledh përsëri votat.

“Ne jemi para zgjedhjes së rektorit, e na duhet një rektor që e kupton që është aty për të menaxhuar e për të zbatuar vendimet e dy organeve që janë mbi të. Problemet që i ka krijuar Zejnullahu, nuk lë hapësirë që ta udhëheq këtë universitet”.

“Në senat ka shumë senatorë që e kanë nënshkruar shkarkimin e që në fillim ishin po ata që kanë nënshkruar ardhjen e tij”.

Por ndryshe mendoi Sopjani, i cili Zejnullahun si të parin e Universitetit e vlerësoi si shumë të dobishme.

“Zejnullahu ka nxitur një shpresë tek njerëzit për ndryshime”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat