Pacolli: Ja si do e doja Kosovën pas 8 vitesh pavarësi

Kosova

Pacolli: Ja si do e doja Kosovën pas 8 vitesh pavarësi

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 22:47

Në prag të festës së Pavarësisë, lideri i AKR-së, Behxhet Pacolli thotë se në ditën e paravësisë e ka menduar se Kosova pas 8 vitesh do të ishte shumë më e mirë, shumë më e bukur sesa është ajo sot.

Më tutje ai thotë se “Do të doja ta shihja një Kosovë me shumë fabrika, me një ekonomi dinjitoze ku punësimi nuk do të ishte tabu”.

Postimi i plotë:

Miqtë të mi, jemi shumë afër ditëlindjes së tetë të shtetit tonë, Kosova 8 vjet! 17 shkurti, ngjarje e bukur, sigurisht edhe për ju.

Pavarësi do të thotë të jesh i lirë, të jesh Zot në shtëpinë tënde, të vendosësh vetë, të kesh lirinë ekonomike e shumë të tjera.

Atëherë isha deputet i Kuvendit të Kosovës dhe nënshkrues i aktit të Pavarsisë. E konsideroj se kisha shumë fat. Po të më kishit pyetur si do të jetë Kosova pas 8 vitesh, atë ditë, përgjigja ime do të ishte se Kosova do të ishte shumë më e mirë, shumë më e bukur sesa është ajo sot.
Unë e di sa keq e sa vështirë është të jesh i izoluar, mos të mundësh të levizësh lirshëm, të jesh i papunë, e di shumë mirë çfarë është varfëria.

Unë sot vuaj shumë thellë me gjendjen e popullit tim, vuaj për faktin se si një vend kaq i bukur dëmtohet nga njerëz pa vizion, pa dituri, pa vullnet për të kontribuar për popullin e vet, njerëz që nuk e kuptojnë se duhet të jenë në shërbim të popullit, janë të deleguar nga populli, por jo kushtimisht për shkak të meritave.

Do të doja ta shihja një Kosovë me shumë fabrika, me një ekonomi dinjitoze ku punësimi nuk do të ishte tabu.

Do të doja një Kosovë të udhëhequr nga njerëz dinjitozë, të sinqertë, punëtorë, profesionistë, kreativë dhe njerëz që e duan suksesin e çdo gjë ia përkushtojnë Kosovës dhe popullit të vet.
Këtë realitet nuk e kam menduar, nuk e kam menduar kurrë se politika do të shërbente si arenë luftimesh për poste e karrige e populli do të shikonte nga kandët pa mundur të bëjë diçka.
Që Kosova, 8 vite pas pavarësisë, ende do të vuante, këtë nuk e kisha besuar. Kurrë!
Sidoqoftë, mos e humbni shpresën. Urime pavarësia, miq të dashur!/Bota sot

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat