Neonatologjia: Nuk verbojmë fëmijë, por kujdesemi për ta

Kosova

Neonatologjia: Nuk verbojmë fëmijë, por kujdesemi për ta

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 10:35

Klinika e Neonatologjisë ka reaguar të enjten lidhur me shkrimet në media rreth arsyeve të verbimit të shumë fëmijëve të Kosovës që kanë lindur para kohe dhe janë trajtuar në Klinikën e Neonatologjisë.

Në reagim thuhet se një fat i keq që e përcjell secilin punëtor shëndetësor është se nuk mund t’i ndihmojmë gjithnjë atij që ka nevojë për ndihmë, ndërsa kjo është akoma më e dhimbshme kur bëhet fjalë për të porsalindurit, të cilët, përkundër angazhimit maksimal të stafit të Klinikës së Neonatologjisë, nuk ia dalin gjithnjë të jenë me shëndet të mirë.

“Konsiderojmë se, përkundër kushteve në të cilat punojmë, përkushtimi ynë ndaj pacientëve të vegjël dhe prindërve të tyre është maksimal”, thuhet në reagim.

“Në Klinikën e Neonatologjisë brenda një viti trajtohen më shumë se 10 000 të porsalindur, ndërsa prej tyre rreth 1000 foshnje janë të lindura para kohe. Foshnjat e lindura para kohe janë të rrezikuara nga shumë sëmundje me pasoja afatgjate, në mesin e të cilave edhe Retinopatia e prematuritetit, sëmundje e cila mund të ketë për pasojë verbimin. Duke e ditur mundësinë e paraqitjes së retinopatisë së prematuritetit neonatologu është përgjegjës për të kërkuar konsultën e oftalmologut për fëmijë e lindur para kohe i cili është i obliguar për zbulimin e sëmundjes”, thuhet në njoftim.

Pra, skriningu (zbulimi) për retinopatinë e prematuritetit si dhe trajtimi i saj është përgjegjësi strikte e oftalomolgut, pasi bëhet fjalë për syrin.

Duke e parë si një problem të madh retinopatinë e prematuritetit, që nga fillimi i vitit 2011, në Klinikën e Neonatologjisë punohet sipas protokolleve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë të vitit 2010 të cilat parashohin që të gjithë fëmijëve të lindur para kohe të ju bëhet ekzaminimi i syve nga 4-6 javë pas lindjes.

Me qëllim të skriningut të kësaj sëmundje, secilës foshnje të lindur para kohe derisa qëndron në Klinikë e Neonatologjisë i realizojmë të paktën një vizitë tek oftalmologu ndërsa vizitat e radhës për përcjelljen e sëmundjes caktohen nga ana e oftalmologut, sipas nevojës dhe vlerësimit të mjekut.

“Meqë në shkrimin në fjalë është përmendur rasti i dorëzuar në inspektoratin e shëndetësisë dhe në polici në të cilin kërkohet përgjegjësia ime në cilësinë e drejtorit të Klinikës së Neonatoogjisë, e ndjej të nevojshme të njoftoj opinionin e gjerë se që nga marrja e mandatit tim kam ndërmarr masa për ta adresuar problemin e kësaj sëmundje. Nga rastet e përmendura në shkrim vetëm dy raste kanë ndodhur nga koha kur unë jam zgjedhur drejtoreshë e klinikës”, thuhet në reagim.

“Prandaj e shoh të udhës që të sqaroj vetëm këto dy raste ndërsa fletë lëshimet dhe historitë e foshnjave të lindura para kohe ku është e cekur nevoja për konsultë të oftalmologut, data e konsultës si dhe caktimi i vizitës së radhës te oftalmologu edhe pas daljes nga Klinika janë dërguar si dëshmi në redaksinë e gazetës ‘Zëri’”.

“Rasti i parë është foshnja K.B, e lindur më 16.10. 2015, në javën e 33 të shtatzënësisë. Foshnja ka lindur me probleme të rënda shëndetësore dhe është trajtuar sipas protokolleve për trajtimin e foshnjave premature. Në kuadër të trajtimit fëmiu është oksigjenuar kryesisht me oksigjen 21% e që është përqendrimi i oksigjenit në ajrin e ambientit. Meqë fëmiu ka qenë i lindur para kohe, në ditën e 20 të jetës, një ditë para se të lirohej nga klinika më dt. 05.11.2015, fëmiu është dërguar për kontroll në Oftalmologji ku pas kontrollit të parë oftamologia ka rekomanduar për një kontroll të dytë pas 3 muajsh. Gjatë tërë kohës së trajtimit të fëmiut në Klinikën e Neonatologjisë prindërit kanë qenë të njoftuar lidhur me gjendjen e rëndë të foshnjës dhe rrezikun nga retinopatia e prematuritetit”, thuhet në reagim.

“Rasti i dytë është ai i foshnjes së familjes Kovaçi, i lindur me dt. 27.09.2015, në javën e 27/28 të moshës së barrës me një peshë të vogël prej 1000 gr. Tek kjo foshnje vizita e parë oftalmologjike është bërë më dt. 05.11.2015 e që i bie 5 javë pas lindjes, moshë e cila është konform protokolleve të OBSH prej 4-6 javë për skriningun e retinopatisë. Në vizitën e parë doktoresha nuk ka vërejtur ndryshime në sy të foshnjës ndërsa kontrolli i radhës i është caktuar pas 2 muajsh”.

“Informojmë opinionin publik se nuk qëndron fakti i përmendur në shkrim se tek fëmijët e trajtuar në Neonatologji nuk janë respektuar protokollet të cilat na udhëzojnë se në çfarë kohe duhet të dërgohen fëmijët tek oftalmologu si dhe nuk qëndron fakti se prindërit e fëmijëve të lindur para kohe në Neonatologji nuk informohen për rreziqet e verbimit të fëmijëve”.

“Kjo mund të dokumentohet në çdo moment siç është edhe dy rastet në fjalë. Që nga skriningu i parë për sëmundjen, është përgjegjësi e oftalmologëve se si, me çfarë aparaturë dhe kur fëmijët duhet të përcillen e të trajtohen për këtë sëmundje. Prandaj, të fajësosh neonatologun për diçka që nuk di dhe as që supozohet se duhet të di të bëj, është, vërtetë, ndërrim tezash”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat