Kroacia përkrahë Kosovën në proceset integruese

Kosova

Kroacia përkrahë Kosovën në proceset integruese

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 10:34

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, ka pritur në takim njoftues ambasadoren e re të Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanović.

Fillimisht ministri ka shprehur mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që Republika e Kroacisë dhe populli kroat i kanë ofruar Republikës së Kosovës në vazhdimësi. Sidomos e vlerësoi lartë kontributin e madh të shtetit kroat ndaj procesit të integrimit evropian të Kosovës.

Ministri Çollaku, e njoftoi ambasadoren kroate për zhvillimet e rëndësishme të ndërlidhura me agjendën evropiane të vendit e sidomos për punën e bërë në kuadër të procesi të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Institucionet tona kanë përmbushur kriteret e caktuara për heqjen e vizave. Kemi punuar shumë në këtë proces dhe kemi arritur të bëjmë reforma të mëdha në kuadër të këtij procesi. Aktualisht ndodhemi në periudhën vendimtare dhe presim një vlerësim meritor që do t’i mundësonte qytetarëve tanë të udhëtojnë pa viza gjatë këtij viti në shtetet e zonës Schengen”, ka thënë ministri Çollaku.

Po ashtu, ministri i Integrimit Evropian ka biseduar me ambasadoren e Republikës së Kroacisë edhe për përgatitjet që po bënë Kosova për implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit duke theksuar se ekspertiza e Kroacisë në këtë pikë do të vazhdojë të jetë e mirëseardhur për institucionet e Kosovës.

Nga ana tjetër, ambasadorja e re e Republikës së Kroacisë në Kosovë, znj. Marija Kapitanović ka rikonfirmuar përkrahjen e shtetit të saj ndaj Kosovës, rrugës së saj drejtë BE-së e posaçërisht procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Po ashtu ka theksuar se Kroacia do ta ndihmojë Kosovën edhe gjatë periudhës së zbatimit të MSA-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat