Begaj: Do të qeveris i vetëm

Kosova

Begaj: Do të qeveris i vetëm

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 01:17

Kryetari i Komunës së Malishevës,Ragip Begaj si dhe kryetari i degës së LDK-së në këtë Komunë,Sami Kafexholli, kanë folur në lidhje me prishjen e koalicionit në mes të NISMA-s dhe LDK-së në Malishevë.

I pari i kësaj komune, Ragip Begaj, tregoi arsyet e prishjes së këtij koalicioni.

“Ka ardh një moment, që ne si subjekt i NISMA-s në Malishevë e kemi një strukturë e shumica e tyre kanë vendos që të mos vazhdohet me koalicion”, tha Begaj në emisionin Ora e Fundit të Klan Kosovës.

Kurse Kafexholli u shpreh se koalicioni që tashmë është prishur ishte formuar vetëm për një qëllim, që t’u ndihmojë qytetarëve nga kjo komunë.

“Koalicioni është shkëputur njëanshëm nga NISMA, të them të drejtën edhe sot me kryetarin në ora 16 e kemi biseduar edhe i kam treguar atij dhe kolegëve të tij që LDK-ja është parti institucionaliste, e kemi bërë me dëshirë koalicionin me të vetmit qëllim që t'u vimë në ndihmë qytetarëve të Malishevës”, tha ai.

“Ne kemi dashur t’i tregojmë qytetarëve të Malishevës që LDK-ja dinë të qeverisë me duar të pastërta”.

Por Kafexholli tha se si është ftuar kjo parti në koalicion ashtu është dashur që të informohet për prishje të koalicionit.

“I kam thanë edhe në zyre të kryetarit, që nuk keni bërë mirë e është dashur të na ftoni”.

“Nuk e besoj që ka qenë paaftësia e anëtarëve të LDK-së, ne jemi munduar edhe e kemi thanë edhe më herët se ne 3 drejtorë kemi qenë aty kemi hyrë ballë hapur edhe kemi dal të tillë, unë jam i gatshëm së bashku me dy kolegët të mi të përgjigjemi”.

Mirëpo i pari i kësaj komuna pati vërejtje për koalicionin dhe tha se marrëveshja e arritur në mes të dy palëve nuk ishte respektuar asnjëherë.

Sipas Begajt, ekzistonte një marrëveshje jo e shkruar në mes të liderit të NISMA-s, Fatmir Limaj, si dhe atij të LDK-së, Isa Mustafa, mirëpo që nuk është zbatuar asnjëherë.

“Ekzistonte një marrëveshje interne mes Limajt e Mustafës që të sistemohen drejtorët e NISMA-s në Prishtinë. Ne jemi marr vesh kështu, mirëpo asnjë lëvizje nuk është marr përveç që janë largu 3 drejtorët e NISMA-s”, tha Begaj.

Kurse Kafexholli u shpreh se nuk e dinë për këtë marrëveshje pasi që nuk ishte pjesë e saj.

“Çka kanë bisedu dy liderët nuk e di nuk kam qenë pjesë e atyre bisedimeve”, tha ai.

Begaj tha se atëherë ishte marr vendimi që Fetah Rudi të sistemohet diku tjetër, mirëpo kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë.

Por i pari i LDK-së në këtë Komunë tha se marrëveshja është përmbushur në tërësi nga partia e tij.

“Marrëveshja prej LDK-së, besoj që është përmbush, unë nuk e di 3 drejtorët e tjerë që duhej të sistemoheshin, por buxheti është miratu kryetari e dinë”

“Në vitin 2014 ne nuk kemi qenë pjesë e marrëveshjes fare dhe e kemi votuar buxhetin komunal”.

Kurse në pyetjen nëse është penduar për koalicionin që ka bërë me NISMA-n, Kafexholli, tha se asnjëherë nuk ka qenë pro këtij koalicioni.

“Edhe në vitin e kaluar kur kemi biseduar, unë në kryesi të degës e kam thanë që për të bërë koalicion me NISMA-n e Fatmir Limajt unë si Sami Kafexholli kurrë se nuk kisha dashur ta bëja”, tha ai

E Begaj për këtë kohë që ka mbetur në qeverisje të Malishevës, ka thënë se nuk do kërkojë për partner të ri në koalicion.

“Nuk do të bëjmë koalicion me askënd, do të mbes i vetëm do të qeverisë i vetëm”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat