Agani e Maxhuni flasin për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore

Kosova

Agani e Maxhuni flasin për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 16:39

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka zhvilluar një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, me të cilin bisedoi për rolin e policisë në zbatueshmërinë e Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore.

Ministri Agani, fillimisht e njoftoi të parin e policisë për rëndësinë e këtij udhëzimi, e që ka për qëllim përmirësimin e mjedisit ku jetojmë dhe veprojmë.

Agani tha se inkorporimi i Policisë së Kosovës në mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së legjislacionit në fushën e mjedisit është mëse i rëndësishëm dhe jetik, andaj kërkoi ndihmën e Maxhunit në këtë aspekt.

Drejtori Shpend Maxhuni, tha se janë të gatshëm të marrin përgjegjësitë që ju takojnë edhe sa i përket këtij udhëzimi, ndërsa theksoi nevojën e bashkëpunimit të të gjithë aktorëve përgjegjës, duke përfshirë edhe qytetarët për të dhënë kontributin e tyre në zbatimin e udhëzimit në fjalë.

Ndryshe, Udhëzimi i ri Adminstrativ për Gjoba Mandatore, i nxjerrë nga Ministri Agani në fund të vitit të kaluar, i jep mandatin për shqiptimin e gjobave mandatore edhe Policisë së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat