Jahjaga pranoi letrat kredenciale të dy ambasadorëve jorezident në Kosovë

Kosova

Jahjaga pranoi letrat kredenciale të dy ambasadorëve jorezident në Kosovë

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 14:12

Presidentja Atifete Jahjaga ka pasur sot dy takime me dy ambasador jorezident për Kosovën. Të parin e priti ambasadoren e Mauritanisë në Itali, Mariem Aouffa, e pak më vonë edhe ambasadorin e Irlandës në Hungari, jorezident për Kosovën, Pat Kelly. Të dy ambasadorët ia kanë dorëzuar Jahjagës letrat kredenciale.

Presidentja e uroi ambasadoren Aouffa për detyrën e re, duke i dëshiruar punë të suksesshme gjatë mandatit të saj si ambasadore jorezidente e Mauritanisë në Republikën e Kosovës.

Presidentja Jahjaga vlerësoi marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Mauritanisë, ndërkohë që theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit midis dy vende në të gjitha fushat me interes bilateral.

Ambasadorja Mariem Aouffa shprehu gatishmërinë e institucioneve të Mauritanisë për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e Republikës së Kosovës në çdo sferë me interes për të dyja vendet.

Ndërkaq, në takimin me Pat Kelly, Jahjaga çmoi mbështetjen që Irlanda i ka dhënë institucioneve të Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe gatishmërinë e shprehur për të vazhduar mbështetjen për procesin e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në institucionet ndërkombëtare.

Duke vlerësuar marrëdhëniet midis dy vendeve, Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit bilateral në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

Ambasadori i Irlandës në Prishtinë, zotëri Pat Kelly theksoi përkushtimin e qeverisë së Irlandës për të mbështetur institucionet e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike dhe për thellimin e bashkëpunimit në çdo sferë me interes për të dyja vendet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat