Selimi: Koha e VLAN-it tregoi se kush tradhton

Kosova

Selimi: Koha e VLAN-it tregoi se kush tradhton

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 13:44

(E plotësuar) Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se koha e VLAN-it tregoi se kush tradhton dhe kush jo, dhe sipas tij, ata që tradhtuan tashmë janë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Ai tha se e kanë kaluar atë provim dhe periudhën kush ik e kush mbetet.

Deputeti Selimi ka thënë se zgjidhja e vetme e situatës aktuale është shkuarja në zgjedhje, ndërsa tha se nuk ka asgjë zyrtare rreth ndonjë kandidature të përbashkët të opozitës për kryeministër ose president.

Duke folur rreth raportimeve se Shpend Ahmeti mund të jetë kandidat i përbashkët i opozitës për kryeministër, Selimi tha se nuk ka asgjë konkrete.

“Jemi të bashkuar si opozitë për zgjedhje të reja, por si do të shkojmë në zgjedhje si opozitë është herët të flasim”, tha Selimi.

Ai po ashtu tha se edhe për ndonjë kandidaturë për president, opozita do të dilte me emra vetëm pas zgjedhjeve, por jo në këtë periudhë.

Selimi tha se kundërshtojnë zgjedhjen e Thaçit president dhe sipas tij, një seancë e tillë pa opozitën është jo legjitime.

Ai tha se zgjedhja e Thaçit president varet nga deputetët e LDK-së. Sipas tij, ka zëra që deputetë të LDK-së do të votojnë kundër Thaçit president, por kjo sipas tij nuk është zgjidhje, pasi seanca duhet të bojkotohet në mënyrë që koalicioni qeverisës të mos ketë kuorum.

Selimi: Thaçi ka pritur flamuj të ISIS-it në protestën e 9 janarit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi në emisionin “Info-Box” ka folur për protestën e 9 janarit të mbajtur nga opozita, duke thënë se zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka pritur që të eskalojë situata dhe në protestë të jetë edhe flamuri i ISIS-it.

Ai tha se fotografia kryesore e 9 janarit ishte masiviteti, që prezanton qartë afrimin e qytetarisë aktive rreth kauzës së opozitës.

Selimi potencoi se revolta s’ka qenë në skenar të organizatorëve dhe sipas tij protesta ka përfunduar në momentin kur është deklaruar e mbyllur.

Ai tha se gjithmonë në protesta ka njerëz të shërbimeve të ndryshme dhe se Thaçi ka pritur të eskalojë situata, si dhe të ketë flamuj të ISIS-it në protesta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat